Kursimet po shkaterrojne shendetin e perendimoreve

Kursimet po shkaterrojne shendetin e perendimoreve
Masat e kursimeve ekonomike po shkaktojnë dëmtim të rëndë të shëndetit në Europë dhe në Amerikën e Veriut, duke sjellë vetëvrasje, depresion dhe sëmundje infektive, si dhe duke ulur aksesin tek ilaçet dhe kujdesi shëndetësor, deklaruan disa kërkues shkencorë të hënën.

Duke detajuar një dekadë pune kërkimore, ekonomisti politik i Universitetit të Oksfordit, David Stuckler dhe Sanjay Basu, epidemiolog në Universitetin e Stenfordit, thanë se rezultati i punës së tyre është që masat e kursimit në buxhetet e shumë vendeve po dëmtojnë rëndë shëndetin.

Në një libër që do të publikohet këtë javë, kërkuesit thonë se më shumë se 10 mijë vetëvrasje dhe deri në 1 milion raste depresioni janë diagnostikuar gjatë asaj që ata e quajnë “Recesioni i madh” dhe masat e kursimit të ndërmarra në Europë dhe në Amerikën e Veriut.

Në Greqi, vendime të tilla si ulja e buxhetit për parandalimin e HIV ka koinciduar me rritjen e infektimeve të reja me virusin që shkakton Sidën me deri 200 për qind që nga viti 2011, gjë që është shkaktuar pjesërisht edhe nga rritja e abuzimit me drogën në kushtet e papunësisë së lartë deri në 50 për qind mes të rinjve.

Greqia përjetoi gjithashtu shpërthimin e parë të malaries në dekada pas shkurtimit të buxhetit për vrasjen e mushkonjave. Dhe më shumë se pesë milionë amerikanë kanë humbur aksesin te kujdesi shëndetësor gjatë recesionit të fundit, argumentojnë ata, ndërsa në Britani, rreth 10 mijë familje janë shtyrë drejt situatës së familjeve të pastreha nga masat e shkurtimit të shpenzimeve buxhetore të ndërmarra nga qeveria.

“Politikanët tanë duhet të marrin parasysh pasojat serioze – dhe në disa raste, të thella – që sjellin zgjedhjet ekonomike”, tha David Stuckler, një kërkues i lartë në Universitetin e Oksfordit dhe bashkautor i librit “Ekonomia e trupit: Pse kursimet po vrasin”.

“Të këqijat që ne kemi zbuluar përfshijnë shpërthime të HIV dhe malaries, mungesë ilaçesh bazë, humbje të aksesit ndaj kujdesit shëndetësor, si dhe abuzim epidemik me alkoolin, i cili është tërësisht i shmangshëm. Këto kanë sjellë edhe depresion e vetëvrasje”, tha ai në një deklaratë. “Kursimet kanë efekte shkatërrimtare.”

Studime të mëparshme nga Stuckler, të publikuara në gazeta shkencore, kanë gjetur një lidhje mes normave në rritje të vetëvrasjeve në disa pjesë të Europës me masat e kursimeve të ashpra, si dhe kanë zbuluar se epidemia HIV po zgjerohet, për shkak të shkurtimit të shërbimeve ndaj grupeve vulnerabël të popullsisë.

Por Stuckler dhe Basu thanë se efektet negative në shëndetin publik nuk janë të pashmangshme, madje edhe gjatë katastrofave më të mëdha ekonomike.

Duke përdorur të dhëna nga Depresioni i Madh i viteve 1930 apo nga Rusia postkomuniste, si dhe disa shembuj nga kriza ekonomike aktuale, ata thonë se krizat financiare mund të parandalohen të kthehen në epidemi në rast se qeveria përgjigjet me efikasitet.

Si shembull, ata thonë se programet aktive në tregun e punës në Suedi ndihmuan në rënien e vetëvrasjeve gjatë recesionit që përfshiu këtë vend. Vendet fqinje, që nuk patën programe të tilla, shënuan edhe rritje të mëdha në numrin e vetëvrasjeve.

Gjatë depresionit të viteve 1930 në Shtetet e Bashkuara, për çdo 100 dollarë shpenzime lehtësimi nga programi “Marrëveshja e re amerikane”, solli 20 vdekje më pak për çdo 1 mijë lindje, katër vetëvrasje më pak për 100 mijë njerëz dhe 18 vdekje më pak nga pneumonia për 100 mijë.

“Si përfundim ne tregojmë se përkeqësimi shëndetësor nuk është një pasojë e pashmangshme e recesionit ekonomik. Bëhet fjalë për një zgjedhje politike”, tha Basu në një deklaratë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama