Kërkimet
Agjencia e Kërkimeve ndaj Kancerit ka treguar se, jo vetëm domatja, por edhe produktet që vijnë prej saj ndihmojnë në luftën kundër kancerit. Përbërësit që ato përmbajnë kanë aftësinë që të jenë antikanceroze dhe të ulin rrezikun e zhvillimit të kancerit. Pas studimeve të bëra mbi ndikimin që kishin në organizëm përbërësit e domates, u zbulua se konsumimi i saj arrinte të reduktonte rrezikun e kancerit të prostatës, kancerit të mushkërive apo atij të pankreasit. Efekti antikanceroz vjen nga veprimi i likopenit, përbërës i cili gjendet te domatja dhe është një çelës i ri në luftën kundër kancerit. Në fillim është dukur si e pamundur të mendoje se ky përbërës kimik mund të reduktojë rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës, mushkërive, mëlçisë, zorrës së trashë, të gjirit, vezoreve dhe pankreasit. Por rezultatet e arritura treguan se domatja dhe produktet e saj mund të ndalojnë dhe reduktojnë zhvillimin e llojeve të ndryshme të kancerit. Rezultatet e arritura u publikuan për herë të parë në gazetën e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe qe një zbulim me rëndësi veçanërisht për ata burra që rrezikonin kancerin e prostatës.
Zbulimet
Zbulimi i parë për efektin antikanceroz të domates është bërë në vitin 1989 dhe u zbulua se, burrat të cilët konsumonin një ose më shumë produkte domatesh në javë reduktojnë rrezikun e kancerit të prostatës në më tepër se 60 për qind. Pas 12 vjet të tjera studimesh, mbi 47 000 meshkuj arritën përmirësim në gjendjen e tyre shëndetësore nën terapitë analizuese me përbërësit e domates nga Qendra Kërkimore. Studiuesit theksojnë se, konsumimi i domates është qenësor për organizmin. Shumë mjekë mendojnë se domatja dhe likopeni nuk mund të shkatërrojnë kancerin e prostatës, por ndikojnë në ngadalësimin e zhvillimit të tij. Shoqëria Amerikane e Kancerit ka theksuar se, domatet kane shumë antioksidantë të domosdoshëm për organizmin. "Ato nuk mund të ndryshojnë sëmundjen te ata që vuajnë nga kanceri, por ato mund të ndikojnë në përmirësimin dhe lehtësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.
Pacientët që hanë çdo ditë fruta dhe perime gëzojnë një gjendje më të lehtësuar, duke e mbrojtur veten nga evoluimi i përshpejtuar i sëmundjes", shprehet Marji Mc Cullough, drejtor i Epidemiologjisë së Përbërësve Ushqimorë në këtë shoqatë. "Ne duam t'i inkurajojmë njerëzit të hanë domate dhe produkte të ndërtuara prej saj, sepse ato mund të reduktojnë rrezikun e përhapjes së shumë llojeve të kancerit, por ne e rekomandojmë këtë si bashkëngjitje të një diete të pasur në varietete të ndryshe perimesh dhe frutash. Për vetë përbërësit shumë të rëndësishëm që përmban domatja, duhet të përfshihet në dietë", përfundon Mc Cullogh. Për momentin kjo është një shpresë më tepër në gjetjen e një çelësi për të ecur në botën e luftës kundër kancerit.
Marre nga : Gazeta TiranaObserver