Në 26 shkurt 2016 përfaqësuesi ligjor i Kurum Internacional sh.a. ka depozituar një kërkesë falimentimi për riorganizim pranë Gjykatës së Tiranës. Në ditët e ardhshme gjykata do të caktojë administratorin e ri të kompanisë, në zbatim të ligjit të falimentimit.
Kurumi është kompania e parë industriale post-komunsite në Shqipëri, e cila ka marrë nga shteti një pjesë të rëndësishme të ish kombinatit metalurgjik të Elbasanit dhe e ka vënë atë në funksion për prodhimin e hekurit për ndërtim.
Kurumi eksporton pjesën më të madhe të prodhimit të tij-- në vitin 2014 Kurum ka qënë eksportuesi i dytë më i madh në Shqipëri, pas Bankers Petroleum, duke eksportuar rreth 100 milion euro hekur, të barabratë me rreth 5 përqind të eksportit total të vendit.
Në 2012 Kurumi bleu nga shteti 4 hidrocentrale me një fuqi prej 75 MW. Blerja u financua me hua të marrë nga IFC e Bankës Botërore, rreth 70 milion euro, dhe dy banka shqiptare, BKT dhe Raiffeissen, secila me 7 milion euro.
Sipas bilanceve të vitit 2014, detyrimet bankare të Kurumit arrijnë rreth 134 milionë euro, të cilave u shtohen dhe rreth 125 milionë ndaj debitorëve. Në total, detyrimi i Kurumit përbën rreth 260 milionë euro ose 2,6 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit.
Kurum International sh.a. është në pronësi të Hasmet Kurum, i cili është njëkohësisht edhe pronari i Kurum Holding A.S., që operon në të njëjtin sektor në Turqi ku është një ndër 500 shoqëritë tregtare më të mëdha të vendit.
Hasmet Kurum ka qenë në të kaluarën anëtar i parlamentit turk dhe manaxher i Beshiktashit, një nga skuadrat më të njohura të Turqisë.
Lajmi i vërtetë për sot është se Kurum Holdin A.S.--kompania mëmë turke, ose më sakta motra e Kurumit shqiptar, duke pasur të dyja të njejtin pronar--është e përfshirë në një proçedurë falimentimi në Turqi, por ka kërkuar që dy nga kompanitë përbërëse të grupit të pezullojnë përkohësisht proçesin e falimentimit deri në datën 8 qershor.
Turkja Kurum Holding A.S. ka qenë e pranishme në Shqipëri si pronare e 100 për qind të aksioneve të Kantierit Detar të Durrësit dhe, për rrjedhojë, pronare e një pjese të madhe të Portit të Durrësit. Në fund të dhjetorit 2014, aksionet e Kantierit (Durrrës Kurum Shipping sh.p.k.) iu shitën një shoqërie në Delaware, e njohur si parajsa fiskale amerikane, vetëm për 8,5 milionë euro, e barabartë me vlerën nominale të aksioneve, por shumë më pak se vlera e 100 milionëve që Kurum kishte kërkuar në vitin 2013 për të njejtën gjë. Pronari i kësaj shoqërie amerikane rezulton të jetë një person fizik me nënshtetësi turke.
Ky operacion, i cili nuk ka të bëjë direkt me shqiptaren Kurum International, lë të nënkuptohet strategjinë e Hasmet Kurumit për të marrë një pjesë të aseteve të rëndësishme të kreditoreve të falimentimit në Turqi, dhe si rrjedhojë lë të kuptohet se i gjithë sistemi i falimentimit të Kurumit, si në Turqi ashtu edhe në Shqipëri, është i drejtuar nga të falimentuarit dhe jo nga kreditorët apo nga gjykata.
Dhe në fakt në Shqipëri, falimentimi u kërkua vetëm pasi u lejua sekuestro provizore mbi aksionet e Kurumit në favor të një kompanie Serbe, për një operacion të panjohur tregtar, që duket shumë pak e mundshme, veçanërisht bërë pak javë para kërkesës spontane të falimentimit, dhe vetëm disa muaj pas kërkesës dhe miratimit te financimeve bankare nga sistemi bankar shqiptar. Këto dy operacione duken jashtëzakonisht të dyshimta sot.
Eksperienca e pakët në fushën e tregtisë, si dhe korruptimi i lehtë i sistemit gjyqësor e bëjnë Shqipërinë një vend interesant për të organizuar falimentime të pilotuara, dhe pasojat shkojnë mbi kurrizin e bankave dhe furnitorëve vendas (dy kategori shumë të rënduara nga kriza) dhe si pasojë mbi kurrizin e të gjithë ekonomise vendase.
Falimentimi i Kurum International, një nga industritë e para në vend, është vetëm një nga falimentimet e para e të rëndësishme në këtë periudhë krize dhe paraprin falimentimet e listës SEKRETE të kreditorëve më të mëdhenj që prej vitesh bllokojnë sistemin bankar shqiptar. Mënyra se si do të menaxhohet kjo praktikë nga Gjykata do të na japë një këndvështrim të qartë se çfarë do të ndodhë me ekonominë shqipëtare.