Kush Genjen?

Kush Genjen?
Siç është njoftuar nga media këto dy ditë një vendim i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda urdhëron policinë të kryejë arrestimin e katër të rinjve të akuzuar për veprën penale të "gjobëvënies" ndaj shtetasit Leonard Bombaj, regjisor i njohur dhe prezantues televiziv. Ata janë shtetasit Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj. Urdhri ka mbërritur në policinë e Tiranës ditën e premte në orët e pasdites.

Historia e këtij hetimi që ka tronditur opinionin publik këto dy ditë publikimesh në shtyp, ka nisur vitin e kaluar.

Në shtator 2010, një 15-vjeçare e shoqëruar nga një psikologe bëri kallëzim në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, se ishte dhunuar seksualisht nga Leonard Bombaj. Sipas saj, një nga episodet e dhunës ishte konsumuar në mars 2010 në një hotel në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. Një ditë para këtij kallëzimi, Leonard Bombaj, i akuzuari prej saj, kishte kallëzuar për "kanosje" babanë e 15-vjeçares. Sipas dosjes, 15-vjeçarja ia ka rrëfyer historinë e raportit me Bombajn Arkimed Lushës (Stresit), me të cilin kishte lidhje shoqërore. Në korrik të 2010-s ka pasur një takim mes vajzës, Bombajt, Lushës dhe shtetasit Relado Kurti.

Në shtator 2010, disa persona i kanë kërkuar rreth 20 mijë euro Bombajt në formë "dëmshpërblimi" për atë që kishte bërë me miken e tyre të re. Bombaj ka tërhequr një shumë nga një bankomat dhe më pas personat i kanë marrë edhe automjetin. Bombaj në kallëzimin e tij ka shtuar se pas kësaj ngjarje, kërcënimet nuk kanë mbaruar. Më 23 shtator 2010, atij i kanë shkuar në banesë Arkimed Lusha dhe Elis Basha dhe i kanë thënë se automjeti do t'i kthehej pasi ai t'u paguante atyre 5 mijë euro.

Por Bombajt i është kthyer automjeti dy ditë më pas pasi ka folur me Sali Lushën, babanë e reperit Arkimed Lusha. Bombaj pretendon gjithashtu një tjetër "gjobë" në shumën 3 mijë euro që ia ka kërkuar, sipas tij, i akuzuari tjetër Elis Basha në këmbim të mbylljes së problemeve me drejtësinë, në lidhje me ngjarjet ku Leonard Bombaj ishte përfshirë.

Cilët janë 4 të rinjtë, për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste

Gjykata e Apelit për Krimet të Rënda ka "miratuar" fletë-arrestet për katër të rinj, mes të cilëve edhe Arkimed Lusha, reperi i njohur me emrin "Stresi". Ata akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për "gjobëvënie" ndaj Leonard Bombajt, personazh publik, i njohur si regjisor dhe drejtues i një qendre artistike për fëmijë. Që të premten, Apeli i Krimeve ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj shtetasve Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj. Ata akuzohen për veprën penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", në bashkëpunim.

Dy paditë që startuan hetimet në shtator të vitit 2010

Hetimet ku bazohet akuza për katër të rinjtë nisën në shtator të vitit 2010 kur Prokuroria mori dy padi të ardhura nga Komisariati Nr. 1, njëra e bërë nga Leonard Bombaj, për kanosje ndaj tij dhe tjetra kundër Bombajt për "marrëdhënie seksuale me dhunë" me një vajzë të mitur. Më 6 maj, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që të dyshuarit të hetoheshin nën masën e sigurisë "arrest me burg".

Kërkesa nuk u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi masën e sigurisë detyrim për paraqitjeje për Stresin dhe shokët e tij. Me këtë argumentim nuk ka qenë dakord prokuroria, e cila e ka apeluar vendimin dhe ka kërkuar masën e arrestit në burg, që është marrë në konsiderate nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Për Bombajn nuk ka urdhër-arresti.

Sipas prokurorisë, për sa i përket kallëzimit për përdhunim të vajzës nga Bombaj, kallëzimi është drejt rënies si vepër penale, për shkak se, siç thotë prokuroria, nuk ka prova që e mbështetin kallëzimin. Prokuroria tha dje e pyetur mbi këtë skandal se "në bazë të akt-ekspertimit mjeko-ligjor nr. 946, datë 06.09.2010, mbi ekzaminimin e shtetases ... ka rezultuar se kjo shtetase është e defloruar e vjetër (zhvirgjëruar)".

Leonard Bombaj: "Nuk e kam prekur vajzën"

"Më kanë vendosur pistoletën në kokë, madje më kanë lënë tre ditë kohë që të zhdukem nga Shqipëria! Unë vajzën nuk e kam prekur dhe e gjithë kjo është sajesë". Kështu pohoi dje regjisori dhe kantautori Leonard Bombaj gjatë një bisede telefonike me "Shekulli"-n.

"Ata kanë ngritur një kurth, në të cilin tashmë kanë rënë vetë brenda. Madje, edhe vajza është gjithashtu viktimë e tyre", - shtoi Bombaj, për të cilin publiku kërkon të dijë, nëse ka qenë ai, apo jo, autor i përdhunimit të një vajze 15-vjeçare, të cilën e ka pasur edhe nxënëse në akademinë e fëmijëve që ai ka themeluar e që quhet "Sirea Film".

Sapo kishte dalë nga zyrat e Prokurorisë ku kishte shkuar për t'u interesuar mbi mbarëvajtjen e hetimeve, sidomos tani që e gjithë historia u bë publike. Gjatë gjithë bisedës përsëriste fjalinë: "Jam i qetë, jam shumë i qetë...".

E gjithë historia në rrugë ligjore ka filluar në shtator të vitit të kaluar e ndërsa në rrugë "private" disa muaj më parë se kjo gjë të merrte rrugën për t'u hetuar nga drejtësia. Nardi gjithmonë është cilësuar si regjisor dhe autor origjinal, punimet dhe materialet e tij i kanë rezistuar vazhdimisht kohës. Por, në këtë përudhë jeta e tij është shndërruar në një film dramatik ku ai nuk është tërësisht regjisor, por protagonist kryesor.

Është "përdhunuesi" i një minoreneje dhe një grup djemsh, "të fortit e qytetit", i vijnë në ndihmë asaj duke e kërcënuar mesoburrin për abuzime seksuale me mikeshën e tyre.

"Megjithëse më kanë kërkuar të largohem nga Shqipëria, unë qëndrova këtu. Ata menduan se kaq kollaj mund të marrin lekë, të më 'sekuestrojnë' makinën, të më marrin gjithçka!" Pa e ditur, në fakt, se s'kanë bërë gjë tjetër vetëm sa kanë futur veten në "bela", sipas Bombajt, të cilin publiku shqiptar e mban mend kryesisht për humoret dhe skeçet e realizuara bukur në vitet '90-të.

Ai pohon se do të dalë në media për të rrëfyer gjithçka vetëm kur prokuroria të këtë mbyllur tërësisht hetimet. "Hetuesit e çështjes më thanë që nuk duhet të flas pa përfunduar zbardhja e plotë e çështjes", - thotë Bombaj.

"Djemtë Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj që kanë ardhur te shtëpia ime, duke me çuar edhe të bankomati i Bankës janë të afërm me njeri-tjetrin, njërës të një fisi", - tregon Bombaj, madje, sipas tij, dy prej tyre kanë qenë punonjës policie. "Kanë qenë gjëra të tmerrshme që një ditë do të bëhen publike", - shton ai.

Zoti Bombaj, një dosje hetimore e prokurorisë, pjesë nga e cila janë publikuar dje edhe në "Shekulli" thotë se jeni kallëzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një 15-vjeçareje dhe njëkohësisht jeni kërcënuar nga 5 djem që tashmë janë shpallur në kërkim. Si është e vërteta, sipas jush?

E gjithë kjo është një histori e gjatë. Është një kurth ku ata që më kanë kërcënuar dhe akuzuar mua kanë rënë vetë brenda. Kjo tregohet edhe me faktin që prokuroria ata po i arreston. Ajo është një bandë që këtë herë më gjeti mua.

Z. Bombaj, e keni prekur atë vajzë?

Unë nuk e kam prekur atë vajzë...

Po vajza, ka qenë nxënësja juaj? Ajo ju ka akuzuar...

Vajzën e kanë futur në grackë. Edhe ajo ka rënë pre e këtij kurthi të shëmtuar. Historia është se ajo ka bërë këtë pohim, pasi është pjesë e kurthit dhe nuk ka çfarë bën, pasi ata e kanë në dorë. Kjo që po ndodh tani është pasojë e një historie të gjatë me seri, ku të gjithë ata, po e përsëris, kanë rënë vetë brenda.

Po makinën, lekët është e vërtetë që jua kanë marrë?

Po, sigurisht. Më kanë çuar edhe te bankomati. Më kanë thënë që brenda tre ditësh të zhdukem nga Shqipëria. Unë kam zgjedhur të qëndroj në Shqipëri. Dhe persona që më njohin më kanë thënë: Nard Bombaj, bravo të qoftë që qëndrove. Pasi unë nuk e kam pasur të vështirë edhe të iki se jam me pasaportë kanadeze.

Sa persona ju kanë ardhur në shtëpi?

Kanë ardhur 5 persona. Madje, dy prej tyre kanë qenë punonjës policie. Shokët e Stresit, madje njerëz të afërt të tij.

* * * *

Stresi: "Bombaj shpif! Me vajzën ai ka abuzuar që kur ajo ishte 12 vjeç..."

Arkimed Lusha, reperi i njohur masivisht nga adoleshentët me nofkën Stresi, e ka futur jo rrallë "në stres" veten dhe miqtë, por edhe policinë, e sidomos familjen. Ka qenë protagonist në disa zënka mes të rinjsh, edhe në të kaluarën. Këtë herë para drejtësisë nuk e ka çuar rivali i tij i përhershëm, Noizy, por Leonard Bombaj. Nuk mban mend sa herë është shoqëruar në polici Arkimed Lusha, pasi kanë qenë të shumta, por kjo e fundit duket se do të jetë e gjatë. Tashmë ka lënë mikrofonin mënjanë dhe i është futur me kokë një "stresi" nga ato që askush nuk do ta dëshironte: kërkohet nga Policia dhe akuzohet nga Prokuroria për "shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", në bashkëpunim.

Për të ka një urdhër-arresti dhe nuk bëhet fjalë më për sherre mes rivalësh, por në mes është një e mitur 15-vjeçare që thotë se ka pasur një "histori" me regjisorin Leonard Bombaj. Kjo nuk ka tingëlluar mirë për Stresin që kishte shoqëri me vajzën dhe dyshohet se ka kërcënuar Bombajn me një gjobë të majme (rreth 20 mijë euro).

Por, Stresi mohoi dje gjithçka. Ai tha gjatë një bisede për "Shekulli"-n se "Bombaj ka bërë padinë për kërcënim për të mbuluar pisllëkun që ka bërë". Ai pohon gjithashtu se për herë të parë vajza këtë histori ia ka treguar Stresit duke pasur droje nga familja. Sipas Stresit, Bombaj ka abuzuar më vajzën që kur ajo ishte 12 vjeç.

Stresi, është akuzuar regjisori Lonard Bombaj për përdhunimin e një të miture, e cila është shoqja juaj. Prokuroria i kërkon policisë t'ju arrestojë, pasi vetë Bombaj ju akuzon për shantazh. Si është e vërteta, sipas versionit tuaj?

E kam akuzuar unë, e ka akuzuar vajza, e ka akuzuar familja e vajzës. Ajo është vetëm 15 vjeç dhe është përdhunuar nga Leonard Bombaj, i cili vetë këtë fakt e ka pranuar në praninë time dhe të vajzës. Vajza ka një histori shumë të trishtë që ma ka thënë vetëm mua, sepse kishte frikë të shprehej tek prindërit e vet.

Dhe kur ka nisur kjo histori?

Kur ajo ishte vetëm 12 vjeç! Nën presionin e Leonardit është mbajtur disa vite me radhë me mashtrime. Ai e kërcënonte se po të fliste me njeri, do t'ia prishte karrierën. Të gjitha këto bazohen në fakte.

Ai thotë që e keni kërcënuar. Madje, edhe Prokuroria ju akuzon për këtë gjë. Tani që po flasim ka një urdhër arresti ndaj jush e miqve tuaj. Është e vërtetë që e keni kërcënuar e shantazhuar Leonard Bombajn?

Nuk është aspak e vërtetë që unë kam kërcënuar! Keni vajzën dëshmitare... Ai është zënë mat në shumë prova, kështu që nuk është e vërtetë.

Është e vërtetë që i keni marrë njëherë peng makinën dhe ia keni kthyer prapë?

Nuk i kam marrë peng asgjë dhe nuk e kam idenë se çfarë po bëhet. Ç'janë këto akuza të rreme kundra meje? Nuk është aspak e vërtetë! Madje, padinë ndaj tij e ka bërë vajza vetë dhe Leonardi ka bërë padi për të mbrojtur pisllëkun që ka bërë ai.

Po lekë a i keni marrë?

(qesh) Lekë? Di të them që doja ta merrja me vete ta çoja në polici që atë ditë. Por jo lekë, në asnjë mënyrë, janë vetëm shpifje.

Ku gënjen dhe ku thotë të vërtetën, sipas jush, Leonard Bombaj?

Ai gënjen që ne i kemi vënë gjobë. Ai gënjen dhe shpif në mënyrë absurde, pra dua të them, janë akuza që nuk kanë të bëjnë me mua personalisht.

Ju e njihnit më parë Bombajn?

E kam parë në televizione, asgjë më shumë.

* * * *

Nëna e vajzës: Ndaloni Bombajn, është rrezik për fëmijët e tjerë...

Zonja që kemi përballë, dridhet e tëra sapo i përmendim emrin e Leonard Bombajt. Gjithë jetën ka ëndërruar që vajza e saj të ishte një yll i ekranit. Vajza gëzonte talent, e prindërit nuk kanë kursyer as qindarkën e fundit për ta parë në majat e botës së spektaklit. Deri vitin e kaluar gjithçka shkoi shumë mirë. Tatëpjeta artistike e vajzës zuri fill shtatorin e kaluar... Për arsye etike nuk po botojmë emrin e vajzës dhe as emrin e nënës së saj, të cilët janë banorë të vjetër të kryeqytetit.

Zonjë... jeni në dijeni çfarë ka ndodhur me vajzën tuaj?

Po. Dhe është e tmerrshme ajo që ka ndodhur... Është fëmijë dhe ende nuk ka marrë veten me gjithçka ka ndodhur. Në fakt, unë kam qenë e fundit që e kam mësuar se çfarë ka ndodhur me vajzën time, por besoj se drejtësia do të vendosë drejtësi. Ai është një njeri i tmerrshëm. I rrezikshëm për shoqërinë, për fëmijët... Edhe për fëmijën e tij... Nuk imagjinoj dot se si një engjëll të kthehet në djall. Unë e kam çuar vajzën në shkollën që ai drejtonte që fëmijë... Vajza është e talentuar, është vajzë e urtë... Nuk ka guxuar as të na e thotë në shtëpi.

Sipas dëshmive, ajo i është rrëfyer shokut të saj, Arkimed Lushës...?

Po. Ai është engjëlli mbrojtës i vajzës sime. Unë nuk di se cili do të ishte fati i vajzës sime pa ndihmën e tyre.

Ju keni qenë të pranishëm në seancat hetimore të prokurorisë?

Unë personalisht jo, por vajza ka dëshmuar çdo gjë në prokurori. Ka qenë në të gjitha seancat i pranishëm xhaxhai i saj dhe psikologu. Unë nuk kam qenë në gjendje ta përballoj, ju më kuptoni. Tani çfarë nuk thuhet, por unë shpresoj që drejtësia të ndalë tmerrin që bën ky njeri. Ne patëm kurajën ta denoncojmë, ndërkohë që ka qindra fëmijë që shkojnë në atë shkollë që drejtohet nga ky Bombaj.

Ju e njihni personalisht atë?

Po. Unë e kam çuar vajzën që të vogël në shkollë dhe ndiqja nga afër. Kishim marrëdhënie të mira se vajza ime vërtet që ishte e talentuar. Nuk mund ta besoj se si një njeri të duket aq i mirë, ndërkohë që është një mostër.

Si është gjendja e vajzës suaj tashmë?

Si mund të pyesni... (qan..) Besoj se duhet ta merrni me mend se si është gjendja në shtëpinë tonë. Ajo është tejet e tronditur nga kjo. Ajo është fëmijë. Lus Zotin dhe besoj që ajo do të arrijë të përfundojë provimet... E më pas nuk di çdo bëhet. Por jemi në pritje të drejtësisë.

* * * * *

Rasti "Polanski"

Ndoshta hetime të mëvonshme do të sqarojnë krejt të vërtetën e rastit në Tiranë, por nëse në një fjali të vetme gjendet edhe afera erotike me minorenët, edhe fjala regjisor, mendja të shkon te Roman Polanski. Regjisori i njohur, fitues i "Oscar"-it dhe autor i disa prej filmave më mbresëlënës në historinë e kinematografisë, edhe pse ka pasur një jetë plot variacion, pranë shumë grave të bukura, ndër të cilat aktore si Nastasja Kinsky, ka pasur probleme të mëdha.

Problemet e tij filluan kur, në mars të 1977 u akuzua për kryerje të akteve seksuale me dhunë, e përdorimin e drogës ndaj një vogëlusheje 13 vjeçare, në Los Angeles. Për rreth një vit Polansky u përpoq t'i mbushte mendjen jurisë së gjyqtarëve për pafajësinë e vet, mirëpo nuk ia doli dot mbanë. Në 1978-n, ai u "arratis" për në Francë, ku jetoi e punoi për një kohë të gjatë, duke u kujdesur që të mos udhëtonte në vendet që mund ta ekstradonin për në SHBA. Por ligji vonon, por nuk harron. 20 vjet më pas në 2008-n, forcat policore zvicerane e arrestuan Polanskin me kërkesë të autoriteteve amerikane, ndërkohë që regjisori ishte në Zvicër.

Në atë rast, një sërë personalitetesh botërore, nga fusha të ndryshme, ndër të cilët edhe fituesi i "Nobelit për Paqe", Leh Vallesa, kërkuan që Polanski të falej. Pas një viti, autoritetet zvicerane e lëshuan Polanskin duke e konsideruar njeri të lirë.

Sipas biografëve të tij, Polanski ka ushtruar seks vaginal, anal e oral me adoleshenten 13-vjeçare Samantha Geimer, të cilën e kish marrë në shtëpi me lejen e të ëmës, për t'i bërë disa fotografi për revistën e famshme "Vogue". Sipas Geimer, Polanski e dehu fillimisht me shampanjë, pastaj e drogoi, e në fund kreu me të aktet perverse.

Ky "mëkat" i Polanskit ndodhi 6 vjet pasi regjisorit i vranë gruan e tij, aktoren bukuroshe Sharon Tate, që në atë kohë ishte shtatzënë me Polanskin. Sipas interpretimeve të ndryshme me natyrë psikologjike që i janë bërë këtij rasti, masakrimi i së shoqes prej bandës vrasëse së Charles Manson ka lënë këto gjurmë në personalitetin e Polanskit, duke e bërë "të dalë nga kontrolli".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama