Një jetë e kënaqshme seksuale mund të jetë çelësi për të fituar një pagë më të lartë. Ky është përfundimi i një studimi të ri të Universitetit Anglia Ruskin.
Sipas Dr. Nick Drydakis, autor i studimit në fjalë, njerëzit që kryejnë marrëdhënie seksuale të paktën 4 herë në javë kanë një rrogë më të lartë se ata që nuk bëjnë shumë seks. Gjithashtu, mungesa e seksit çon në vetmi, ankth social dhe depresion, pohon studimi.
“Njerëzit kanë nevojë të dashurojnë dhe të dashurohen (seksualisht dhe jo seksualisht) nga të tjerët. Mungesa e këtyre elementëve të rëndësishëm çon në depresion dhe ankth, dy elemente këto që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën profesionale të secilit prej nesh”, tha Drydakis për ‘CBS News’.
Dr Drydakis shprehet se vendosi të bëjë objekt të studimit të tij një temë të tillë pasi beson se njerëzit kanë nevojë të plotësojnë nevojat e tyre bazike, siç është ushqimi, pija, gjumi, seksi, përpara se të jenë në gjendje të kenë sukses në fusha të tjera të jetës .
Dr. Nick Drydakis ka studiuar të dhëna prej 7 500 njerëzve të moshës 26-50 vjeç.
Pjesëmarrësit në studim u pyetën rreth aktivitetit të tyre seksual, statusit që kanë në punë dhe pagës që marrin. Studimi zbuloi se njerëzit që kryejnë marrëdhënie seksuale të paktën 4 herë në javë fitonin rreth 5 për qind më tepër se ata që kishin një aktivitet më të ulët seksual. Gjithashtu, studimi doli në përfundimin se njerëzit që nuk bëjnë fare seks fitojnë 3 për qind më pak se ata që kanë një aktivitet të rregullt seksual.