Kush do ta fitoje sfiden e inteligjences

Kush do ta fitoje sfiden e inteligjences
Në vitet e fundit, teknologjia e kompjuterëve ka bërë hapa gjigandë, aq sa vërtet shtrohet pyetja nëse inteligjenca artificiale do ta barazojë ose do ta tejkalojë atë njerëzore. Ideja se mund të replikohen proceset e mendimet jashtë trurit njerëzor, është fryt i një evolucioni kulturor, i cili nis nga shumë larg.

Ishte viti 1842. Lejdi Lovelace, ose Ada Augusta, vajza e poetit anglez Lord Bajron, komentonte mundësinë që në atë kohë dukej fantastiko-shkencore, se disa "makina" ishin në gjendje të "mendonin" të bënin veprime të ndryshme dhe të "gjeneronin muzikë". Mjete të sofistikuara, që ndiqnin me rreptësi të gjitha urdhrat që i jepeshin. Lejdi Lovelace, dyshonte. Dhe me një kapacitet intuitiv të jashtëzakonshëm tregonte se nuk është e thënë që në çdo moment, njeriu mund të parashikojë sjelljen e një "makine" të ndërtuar prej tij. Sepse, është e vërtetë që mund t’u bindet urdhrave të tij, por ndonjëherë mund të nxjerrë edhe rezultate që njeriu nuk i ka menduar. Duke dalë kështu jashtë kontrollit, siç ndodhi, për shembull, në vitin 1992. “Golem”, një kompjuter që po merrej me kërkimin e strukturës së proteinave, papritur zbuloi një ligj të natyrës, që biologët nuk e kishin konsideruar të tillë. Atëherë kjo do të thotë vërtet se kompjuterët nuk e ndjekin me përpikëri programin që u është instaluar, por janë në gjendje të përballem me probleme të papritura, duke i zgjidhur ato?

Megjithatë, ndeshja e shahut në vitin 1997 mes kampionit të botës Gary Kasparov dhe kompjuterit IBM "Deep Blue", në version të përmirësuar, mund të bënte të mendohej se qeniet njerëzore në fund do t’ia dorëzojnë superioritetin e tyre një "krijese" të tillë. Kasparov u zu në befasi në një sfidë intelektuale absolutisht të re. "Në ndeshjen e dytë pashë diçka që po shkonte përtej parashikimeve të mia. Kompjuteri refuzoi të lëvizte një gur, një lëvizje që i jepte një avantazh të dukshëm, duke dhënë prova të një perceptimi të hollë njerëzor", tregonte Kasparov. Kështu, nëse në vitin 1960 kompjuteri më i mirë në atë kohë "mundej" nga një djalosh, atëherë 10 vjeç, në vitin ‘97 ishte kompjuteri që mundi njeriun me rezultatin 4-2.

Një rezultat vërtet tronditës, sepse tregon që kompjuteri ka dhënë prova inteligjence. Megjithatë, në vitet e fundit teknologjia e kompjuterëve ka bërë hapa gjigandë, aq sa vërtet shtrohet pyetja nëse inteligjenca artificiale do ta barazojë ose do ta tejkalojë atë njerëzore. Ideja se mund të replikohen proceset e mendimet jashtë trurit njerëzor, është fryt i një evolucioni kulturor, i cili nis nga shumë larg. Filozofi dhe shkencëtari gjerman Gottfried W. Leibniz, në mesin e viteve 1600, kishte përdorur despozitivin e tij automatik për të ndjekur disa veprime llogaritjeje. Po ashtu, për makinat në gjendje të mendojnë, flitej që në vitet ‘800 nëpër librat imagjinarë të shkrimtarit anglez Samuel Butler. Për Marvin Minsky, pedagog i inxhinierisë informatike në MIT (Machasutes Insitute of Technology, Boston), objektivi nuk është aq i largët, përkundrazi, kompjuterët do ta tejkalojnë shpejt njeriun. "Do të vijë dita kur kompjuterët do të kenë më shumë fleksibilitet e gjithanshmëri dhe do të mësojnë më shpejt, thotë Minsky. Brenda kokës së njeriut janë ngjeshur me qindra sisteme të mrekullueshme zhvilluese dhe akumuluese në miliona vjet". Po diferenca mes inteligjencës artificiale dhe natyrale?

 "Është vetëm sasiore. Mendja është një kompjuter i bërë prej mishi. Vetëm kaq", përgjigjet Minsky. Por pavarësisht progreseve të mikroelektonikës, që kanë qenë të jashtëzakonshme këto vitet e fundit, aq sa evolucioni teknologjik është krahasuar me atë biologjik, që ka sjellë jetën mbi tokë, mendimi ngelet privilegj njerëzor. Nuk është i bindur matematicieni anglez Roger Penrose. "Diferenca mes trurit dhe kompjuterit në fakt është cilësore. Inteligjenca e vërtetë kërkon vetëdije dhe kjo nuk ka të bëjë me proceset llogaritëse", tregon Penrose. "Ndërgjegjja është një fenomen kaq i rëndësishëm sa nuk mund të mendosh se është vetëm një produkt i rastësishëm i një llogaritjeje të komplikuar".

Mendja, me pak fjalë, nuk është një program. Këtë tregon edhe filozofi John Searle: "Kompjuterët mund të arrijnë deri aty sa të manipulojnë simbolet formale sipas rregullave të një programi e nuk kuptojnë domethënien e atyre që bëjnë. Shprehjet verbale të një kompjuteri, edhe pse mund të jenë të ngjashme me ato njerëzore, nuk bazohen në gjendjet mendore korrespondente". Kështu, analogjia mes kompjuterit dhe trurit është e nxituar? "Po, sepse edhe pse mund të ndërtohen kompjuterë shumë të fuqishëm, nuk do të arrijmë gjithsesi të ndërtojmë një ‘makinë’ me ndërgjegje ose mendime krijuese", thotë Alberto Rovetta, i Universitetit Politeknik të Milanos.

"Në kompjuter kodifikohen njohje njerëzore dhe ndonjëherë ata japin rezultate që na duken të jashtëzakonshme. Pas fitores në shah me kompjuterin "Deep Blue" për shembull, ka pasur një ekip superekspertësh që e furnizojnë kompjuterin me miliarda informacione të dobishme për zgjedhjen e lëvizjes që do t’i jepte suksesin. Përveçse kompjuterëve inteligjentë, inteligjentë janë edhe programuesit", saktëson Rovetta. Në fakt, për të kuptuar nëse inteligjenca mund të riprodhohet artificialisht, duhet të dimë se si truri mendon. Në vitet e fundit, shkenca ka zbuluar shumë gjëra mbi strukturën biologjike dhe fizike të trurit.

Shumë ide të gabuara për funksionimin e tij janë hedhur poshtë. Njihen proceset që i lejojnë neuronet të komunikojnë. Njihet struktura e tyre dhe dihet se si ndërveprojnë mes tyre. Edhe pse korja e trurit ka zona të caktuara me një shkallë të caktuar specializimi me funksione të ndryshme, secila vepron në mënyrë paralele, domethënë të ndara. Megjithatë, në tru, në njëfarë mënyre, gjithçka shërben për gjithçka. Plasticiteti i madh lejon të gjejë rrugë të reja dhe të riorganizohet vetë. Ndërsa te kompjuterët veprimet janë planifikuar dhe vendosur gjatë programimit dhe ndërtimit, veprimi i neuroneve është një proces dinamik. "Por mrekullia, ajo që nuk njihet ende nga truri njerëzor, është se si gjithë këto procese (shikimi, dëgjimi, shija, njohja e formave dhe ngjyrave) në njëfarë mënyre duket se takohen në një pikë virtuale të trurit.

Në fakt, kjo pikë nuk ekziston", tregon Edoardo Boncinelli, biolog molekular në spitalin e Milanos. Ky është një kompleksitet jo vetëm i planifikuar gjenetikisht, por dhe i prodhuar nga ambienti, përvoja, kultura, stimujt, emocionet, aq sa nuk ekzistojnë dy tru të njëjtë. Por, çfarë rezultatesh ka dhënë puna e shumë studiuesve dhe shkencëtarëve?

"Në mënyrë paradoksale programimi mund të jetë mjeti më i fortë që disponon shkenca për të simuluar dhe kuptuar funksionin e trurit, si dhe për të shpjeguar ndryshueshmërinë e universit të mendjes", thotë Gerald Edelman, fituesi i çmimit "Nobel" për mjekësinë në vitin 1972. Megjithatë, në nivelin e të mësuarit evidentohen edhe diferencat kryesore mes trurit dhe kompjuterit.

"Inteligjenca artificiale përfaqëson një prodhim metodologjik, që nuk do ta eliminojë kurrë mendimin njerëzor, por do të stimulojë të bëjë zbulime shkencore dhe do të rrisë mundësinë e mendimit intuitiv dhe kreativ. Inteligjenca artificiale përfaqëson gjithashtu një mjet me dobi të madhe. Zhvillimi i kompjuterëve nuk do ta tejkalojë kurrë inteligjencën njerëzore, por do ta shtyjë atë drejt zbulimeve të reja. Në fund të fundit, kompjuterët programohen nga njerëzit", thotë Donald Gillies, filozof i shkencës në Universitetin e Londrës. Është njeriu ai që vendos dhe heq spinën e kompjuterit nga priza. Sfida do të fitohet nga kompjuteri, vetëm kur të jenë ata që do t’i heqin spinën njeriut.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama