Kush do te jete Njeriu i vitit?

Kush do të jetë Njeriu i vitit?
Do të jetë Barak Obama, apo Sarah Palin? Robert Mugabe apo Mahmud Ahmedinexhad? Ashtu si gjithnjë, njeriu i vitit pritet të zgjidhet më 19 dhjetor. Tradita e zgjedhjes së "Personit të vitit" nisi në vitin 1927, kur redaktorët e revistës "Time" rishikonin lajmet më interesante të vitit. Ideja ishte gjithashtu një përpjekje për të ndrequr gabimin editorial që kishte bërë në fillim të vitit, duke mos nxjerrë në kopertinë aviatorin Çarls Lindberg, pas fluturimit të tij historik mbi Atlantik. Në fund të vitit, u vendos që faqja e parë t‘i kushtohej Lindbergut, si njeriu i vitit dhe kjo do të shërbente për të dyja qëllimet. Që atëherë, një person apo grup njerëzish zgjidhen në fund të vitit në një botim special.

Më 1999-ën, titulli u ndryshua në "Personi i vitit", në përpjekje për ta bërë më përfshirëse dhe për të shmangur frazeologjinë që mund të shkaktonte probleme gjinore. Sidoqoftë, të vetmet femra që kanë fituar titullin janë grupi i femrave në vitin 2002, si dhe Melinda Gejts bashkë me bashkëshortin e saj në 2005-ën. Katër femra kanë marrë titullin kur ai quhej ende "Burri i vitit": Uallis Simpson në vitin 1936, Sung May-Ling në 1937-ën, mbretëresha Elizabetë në vitin 1952 dhe Korason Akuino më 1986-ën. Që kur lista është krijuar, çdo president i SHBA-së ka qenë "Personi i vitit" të paktën një herë, me përjashtim të Kelvin Kolixh, Herbert Huver dhe Xherald Ford.

Barak Obama

Pro: Ndryshe nga sa mendonin në fillim, ai mundi në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate Hilari Klintonin dhe në zgjedhjet për President Xhon MekKeinin, duke u bërë Presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit.

Kundër: Ai nuk ka arritur të kurojë kancerin dhe as të fitojë kampionatin e bejsbollit. Gjithashtu, mund të kishte dhe pak më shumë sens humori.

Mahmud Ahmedinexhad

Pro: Polemikat e tij të vazhdueshme në kombinim me arsenalin bërthamor të Iranit ende trembin, ose të paktën bezdisin Perëndimin.

Kundër: Çfarë ka bërë ai realisht, përveçse flet? Gjithashtu, ai nuk është as personi më i fuqishëm në Iran. Ky nder i shkon liderit suprem, Ali Khamenei, i cili "bën ligjin" në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ben Bernake

Pro: Ka zgjeruar pushtetin e federalëve dhe ka hapur dritaret e huadhënies për institucionet financiare në krizë, çka stabilizoi tregun e trazuar.

Kundër: Duhet t‘i kishte parashikuar krizat e kredive. Duke shpëtuar "Bear Stearns", ndërkohë që la "Lehman Brothers" të dështonin, shkaktoi rrëmujë në treg.

Usain Bolt

Pro: Vrapi i tij ishte i jashtëzakonshëm, ai theu rekordin 100 metra pa u sforcuar aspak, ashtu siç filloi të fitonte pa arritur ende vijën e finishit.

Kundër: Ligjërisht, kur flasim për pistën e vrapimit, duhet pyetur "Jemi të sigurt se është i pastër?" Plus kësaj, ai vrapon për të siguruar jetesën.

Xhorxh Bush

Pro: Iraku vazhdoi të përmirësohet dhe të paktën ai bëri pjesën e tij kur ekonomia ra, duke i dhënë Paulsonit rrugë të hapur për të përmirësuar krizën.

Kundër: La "Wall Street" të dilte jashtë kontrollit teksa ishte President. Me renditjen e tij në sondazhet e mungesës së popullaritetit, a ka pasur ndonjëherë një tjetër më të dështuar?

Hilari Klinton

Pro: Gjatë zgjedhjeve paraprake demokrate, ajo gjeti zërin e saj si kandidate e klasës punëtore. Edhe pse humbi, përpjekja e saj ishte historike. Kundër: Kush ishte kandidatja e pashmangshme për parazgjedhjet në Ajua? Dhe si ka mundësi që një kandidate me përvojë të gabojë në llogaritje të tilla.

Tina Fei

Pro: Në programin e saj televiziv, ajo sulmoi fushatën e Hilari Klintonit dhe e përcaktoi Palin si një mendjelehtë, përpara se Palin të kishte rastin të përcaktonte vetë një gjë të tillë.

Kundër: Asnjë figurë kulturore nuk ka pasur aq ndikim sa Fei në 2008-ën, por ajo ka zgjedhur vitin e gabuar, sepse zgjedhjet historike presidenciale dhe kriza ekonomike i lënë pak hapësirë. Djemtë e "Google"

Pro: Kompania vazhdon të mundë të gjithë konkurrentët e mundshëm dhe "Google Phone" është pajisja teknologjike e vitit. Mbështet aplikimet si enciklopeditë dhe tutorialët e mësimit të kitarës.

Kundër: Ata janë njerëzorë: bursa është nën 58 për qind këtë vit. Marrëveshja e propozuar me "Yahoo" nuk u arrit dot për shkak të kundërshtimeve në kontratë.

Hu Jintao

Pro: Presidenti i Kinës doli në skenë gjatë Lojërave Olimpike, me protestat për shkeljet e të drejtave të njeriut. Plani i tij 586 milionë dollarësh ishte një fitore politike.

Kundër: Lojërat Olimpike nxorën në pah paranojën e Kinës: për shembull, qeveria ndaloi qasjen e shtypit në disa faqe interneti të opozitës.

Stiv Xhobs

Pro: Telefoni i ri "iPhone" është më i lirë, më i mirë, më i shpejtë. Dhe pasi "Bloomberg News" botoi gabimisht një nekrologji të vdekjes së tij, ai foli para një tabele të madhe që shkruante: "Raportimi i vdekjes sime është i ekzagjeruar".

Kundër: A po i përsërit Xhobs gabimet e së shkuarës, duke ngushtuar kontrollin mbi aplikacionet e "iPhone"?

Nuri al-Maliki

Pro: Nuk ka dyshim që Iraku është më i sigurt se ç‘ishte para dy vitesh. Lëvizja e milicisë së klerikut tradikal, Muqtada al-Sadr, është dobësuar dhe ai ka emëruar sunitë në pozicione në kabinet.

Kundër: Një valë e re dhune vdekjeprurëse, tri ditë bombardimesh në Bagdad dhe dy motra nga një familje e krishterë të masakruara në qytetin verior, Mosul, dëshmon se sa delikate është situata. Xhon MekKein

Pro: Edhe pse fushata e tij ishte në pikën e vdekjes verën e kaluar dhe ai nuk është shumë i pëlqyer nga baza republikane, arriti të siguronte emërimin e tij për kandidat presidencial.

Kundër: Pse duhej të bëhej aq negativ. Dhe falë perëndisë ai e anuloi fushatën e tij për të shpëtuar ekonominë botërore, apo jo?

Dagllas Melton

Pro: Melton, një biolog i Harvardit, ka transformuar një lloj qelize pankreasi te minjtë, në një qelizë që prodhon insulinë, e cila mund të luftojë diabetin. Kundër: Shumë shpejt ai ka paralajmëruar se kjo shpikje mund të mos jetë gati për njerëzit. Dhe nëse kjo bëhet e mundur, do të jetë një gjysmë kurë për diabetin.

Robert Mugabe

Pro: Vodhi zgjedhjet dhe përmbysi me dhunë opozitën, nuk mbajti premtimin për marrëveshjen e ndarjes së pushtetit: mbase asnjë diktator nuk ka drejtuar një vend si Mugabe. Ndaj ai është me influencë.

Kundër: Pas muajsh me trazira, më në fund ai ka rënë dakord të ndajë pushtetin me liderin e opozitës, Morgan Tsangirai, ndaj influenca e tij diktatoriale mund të zbehet.

Henri Paulson

Pro: Ka marrë masa vendimtare në kohën e krizës financiare, kur tregjet financiare u zhytën, duke parandaluar një kataklizëm të vërtetë ekonomik. Kundër: Aksionet në "Dow" mund të kenë rënë me 3 për qind, teksa lexoni këtë. A do të ndihmojë programi prej 700 miliardë dollarësh që të përmirësohen gjërat?

Liu Chi

Pro: Liu, presidenti i Komitetit të Organizimit të Pekinit, ka drejtuar Lojërat Olimpike. Ai udhëzoi njerëzit që të mos pështynin në tokë dhe të ishin të sjellshëm. Për dy javë, ai bëri që vullnetarët e lojërave të ishin njerëzit më të këndshëm në planet. Kundër: Kishte ditë kur smogu ishte mbytës dhe thuajse e pamundur të merrje frymë.

J.Kreig Venter

Pro: Duke ndërtuar gjenomin e parë sintetik, Venter ka shkuar shumë pranë krijimit të jetës. Gjenomë të krijuar nga njeriu mund të çojnë në magji nga më të larmishmet molekulare.

Kundër: Venter duhet të vendosë produktin e tij në një qelizë për të provuar se ka sukses, edhe pse ai parashikon se kjo do të ndodhë brenda një viti.

Zhang Yimou

Pro: Yimou është regjisori që projektoi ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike në Pekin, duke ofruar një prej shfaqjeve më mahnitëse në historinë e tyre.

Kundër: Fishekzjarrët falsë dhe vajzat e bukura që këndonin me superpozim nuk ishin dhe aq mbresëlënëse.

Asif Ali Zardari

Pro: Vejani i ish-kryeministres së vrarë të Pakistanit, Benazir Bhuto, u zgjodh President i vendit këtë vit dhe është betuar të luftojë terroristët e "Al Kaedës" që fshihen në male.

Kundër: Që kur ka marrë detyrën, terrorizmi ka dalë jashtë kontrollit. Në shtator, në Islamabad, ndodhi shpërthimi më i madh në historinë e vendit, duke vrarë më shumë se 50 veta.

Majkëll Fellps

Pro: Përpjekjet e tij të suksesshme i dhanë atij tetë medalje të arta dhe e bënë të famshëm në të gjithë botën këtë verë. Pa dyshim, ai është një prej atletëve më të mëdhenj në botë.

Kundër: Fellps noton për të siguruar jetën, por si ndikon në jetën e të tjerëve? Edhe pse ai ka bërë pak bamirësi, evenimentet e tij në klubet e natës pas fitoreve i dëmtojnë përpjekjet e tij humanitare.

Gordon Braun

Pro: Ka udhëhequr përpjekjen botërore për të rifuqizuar bankat, Evropa dhe SHBA-ja ndoqën gjurmët e tij. Ekonomisti nobelist, Paul Krugman, tha se Braun "mund të na ketë treguar rrugën gjatë krizës".

Kundër: Përpara krizës ai shihej si një lider i dobët, puna e të cilit ishte në rrezik. Madje. një grup deputetësh i bënin thirrje të jepte dorëheqjen.

T. Bone Pikens

Pro: Miliarderi i papritur po kërkon një plan të energjisë alternative të erës. Ai kërkon ndërtimin e një turbine masive që shtrihet nga Teksasi në kufirin kanadez.

Kundër: Pikens kërkon subvencione federale që do të përmirësonin aksionet e tij financiare. A mund ta shpëtojë tokën një "sulmues" i vjetër korporatash?

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama