Kush e ka te drejten e markes iPad?

Kush e ka te drejten e markes iPad?
Duket si tregimi i pazakontë për Davidin dhe Goliatin. Një prodhues i falimentuar i ekranëve kjompjuterikë kinezë, i quajtur Proview, po lufton dhëmbë për dhëmbë me gjigantin amerikan të kompjuterëve Apple.

I pazakontë është edhe kontesti- mbrojtja e markës tregtare në një vend që pothuaj më shumë njihet për piraterinë intelektuale sesa për prodhimin e biskotave. Në muajin dhjetor, Proview kërkoi nga një gjykatë kineze që të shfuqizojë pretendimet e kompanisë Apple se ka patentën për markën tregtare "iPad" në Kinë. Menjëherë pas kësaj, Proview u kërkoi autoriteteve në qytetet e mëdha që të pengojnë kompaninë Apple nga shitja e iPad-ëve, duke nxitur edhe një konfiskim në masë të vogël të iPad-ëve në të paktën dy qytetet kineze. Avokati i Proview Xie Xianghui shpjegon se kompania që e përfaqëson nuk do të bëjë kompromis.

“Nuk mund ta shfrytëzoni një markë tregtare para se ta merrni lejen për ta përdorur atë. Në këtë rast të gjitha veprimet legale dhe masat ndëshkuese të ndërmarra nga autoritetet administrative për industrinë dhe tregtinë, kanë bazë legale, sepse Apple po e përdor një markë tregtare që i përket ndërmarrjes kineze, para se të marrë leje ta përdorë atë”, tha avokati.

Por, hapi i ardhshëm i kompanisë Proview mund t’i prekë të gjithë. Kompania iu ka bërë thirrje autoriteteve doganore kineze që të përgatisin bllokimin e eksportit të iPad-ëve të prodhuar në Kinë, po që se Proview fiton seancën e fundit në gjykatë, që pritet të fillojë në Gjykatën e Lartë Guangdong më 29 shkurt.

Kontesti është i komplikuar. Proview ka patentuar markën tergatre IPAD në disa shtete në vitin 2000, shumë kohë para se të ekzistonte iPad i Apple-it.

Në vitin 2009, Apple bleu të drejtat nga një nëndegë e Proview në Tajvan përmes një ndërmjetësi britanik. Por, dega e Proview në Shenzhen thotë se gëzon të drejtat e emrit në Kinë. Deri tash më këtë janë pajtuar autoritetet kineze.

Në vitin 2010, pak para lansimit të iPad-it të parë, Apple kërkoi nga autoritetet kineze që ta transferojnë markën tregtare nga Proview-Shenzhen, por kërkesa qe refuzuar.

Edhe pse Kina akuzohet në masë të madhe dhe jo vetëm nga SHBA-të  se i injoron të drejtat e pronës intelektuale, ligjet e saj në këtë fushë e lejojnë qeverinë që të vendosë ndalesa globale mbi shitjen e produkteve të prodhuara në Kinë, për të cilat është gjetur se i shkelin të drejtat e kompanive kineze. Nga ana teorike, dhjetëra milionë iPadë në botë, të prodhuar në Kinë, mund të preken.

Avokati i Proview Xie po i kërkon qeverisë që ta mbrojë kompaninë e tij.

"Autoritetet kineze për industrinë dhe tregtinë dhe gjykata duhet të rrisin mbrojtjen e pronës intelektuale për ndërmarrjet kineze, veçanërisht në rastet e qarta si kjo e jona, në të cilat nuk ka dyshim se prona intelektuale i takon ndërmarrjes kineze. Nëse ata e përdorin një markë tregtare pa autorizim, ata duhet të ndëshkohen”, tha Xie i cituar nga radio RFE.

Por, ekspertët thonë se nuk ka të ngjarë që Kina të ndalojë ekportin që kap vlerën e miliona dollarëve të kompanive kineze dhe të rrezikojë rënie të paevitueshme ekonomike e politike nga një lëvizje e tillë. Në vend të kësaj, ata presin një zgjidhje, dhe avokatët e Proview kanë thënë se ata janë të hapur për ofertat. Ndërsa koha po kalon, thashethemet indutsriale bëjnë me dije se Apple mund ta paraqesë iPad 3 jo më larg sesa më 7 mars.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama