Kush e ndihmoi dhe kush e braktisi Olten

Kush e ndihmoi dhe kush e braktisi Oltën

Këngëtari Alban Skënderaj ndihet shumë mirë që Olta Boka ka prekur finalen e “Eurovision 2008”, dhe ashtu siç ka menduar më parë thotë se qëndrimi i tij ishte i drejtë.

Një burim, ka thënë se Alban Skënderaj tashmë ndihet plotësisht i shfajësuar dhe beson se edhe kosovarët e kanë kuptuar se vendimi i tij ishte i drejtë.

Skënderaj kishte votuar kundër dy kosovarëve Flaka Krelani dhe Dorentina Disha gjatë festivalit të këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Votat e tij nuk i dërguan në finale dy kosovaret, për të cilat u bë shumë zhurmë në Shqipëri. Nga ana tjetër kënga e Olta Bokës, “Zemrën e lamë peng”, është pritur shumë mirë nga ekspertët e muzikës jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.

Olta Boka vërtet nuk arriti që për shkak të konjukturave politike të sigurojë ndonjë vend më të mirë në renditje sesa ai i 17, por sidoqoftë tashmë është e pakundërshtueshme se kënga e saj ishte ndoshta përfaqësimi më i mirë për Shqipërinë që nga koha e Anjeza Shahinit. Problemi i përhershëm me këtë këngë ishte përsëri grupi shoqërues. Këngëtarja shqiptare përsëri u la pa një kompleks zërash shoqërues dhe pa koreografi në një paraqitje të mjerueshme skenike të cilën u mundua ta kompensojë vetëm talenti i saj, zëri i saj i ngrohtë dhe kënga me një vijë melodike që vetëm tani po vlerësohet me drejtësi nga shqiptarët. Nuk dihet përse autoritetet e RTSH-së e lanë këngëtaren e njomë të paraqitet në skenë vetëm me dy kitaristë fallco dhe me një baterist të cilit në natën gjysmëfinale madje i shpëtoi nga dora njëri nga shkopinjtë me të cilët po interpretonte duke shkaktuar ilaritet në sallë dhe mes teleshikuesve. Dihej që vija melodike e këngës do të ishte me superpozim, prandaj paraqitja e instrumentistëve ishte e tepert dhe e kote. Limiti i pjesëmarrësve prej 6 personash mund të ishte shfrytëzuar nga organizatorët për t’i dhënë këngëtares një grup vokal ose disa balerinë duke e bërë këngën ndoshta më spektalolare. Askush nuk flet për këto, ashtu si edhe për detaje të tjera që sigurisht e kanë bërë grupin shqiptar të bëjë një figurë qesharake në Arenën e Beogradit. Kartolina përshëndetëse për Shqipërinë, e cila u ofrua si një realizim i Radio Televizionit të Serbisë ishte vërtet poshtëruese sipas disa kritikëve. Ajo paraqiste një grup njerëzish të veshur me të kuqe të cilët qëndronin shtrirë dhe lëvrinin si në një imitacion primitiv larvash, ndërkohë që kolona zanore në sfond përngjante me një vijë melodike arabe. Pikërisht këtu mund të ishin treguar të dobishëm drejtuesit e RTSH-së të cilët u kujdesën posaçërisht për të nxjerrë vetveten në ekran edhe në Beograd duke mos e lënë grupin e interpretuesve të shfaqej në momentet kur kamera kalonte në prapakuinta.

Marre nga : Gazeta Korrieri


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama