Kush eshte Maria? Mijera telefonata per vogelushen e gjetur mes romeve

Kush eshte Maria? Mijera telefonata per vogelushen e gjetur mes romeve

Janë me mijëra telefonatat dhe e-mailet e ardhura nga gjithë bota në mbështetje të shoqatës “Buzëqeshja e fëmijës”, në Greqi pas ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë kur një vajzë e vogël bionde me tipare të çelura, me shumë mundësi me origjinë nga vendet e Europës Lindore ose Veriore u gjet në një kamp romësh në Farsala, Greqi. Maria, kështu është ripagëzuar vogëlushja, nuk ka asnjë lidhje gjaku me ata që vetëquheshin prindërit e saj, një çift romësh 39 dhe 40 vjeç, çka doli pas analizave të ADN. Vogëlushja nuk flet greqisht, por vetëm disa fjalë në dialektin rom.

Ndërkohë, sot policia greke ka arrestuar çiftin e romëve që akuzohen se kanë rrëmbyer vajzën e vogël. Hristos Sali dhe Eleftheria Dhimopoulou kanë deklaruar se Maria, siç e thërrisnin ata, është fëmijë e një familjeje rome nga Bullgaria dhe nëna biologjike e saj ua ka dorëzuar atyre pasi nuk kishte mundësi ta rriste vetë.

Ata kanë kërkuar që të hapen tabulatët e tyre telefonikë, në mënyrë që të vërtetojnë që prindërit ua kanë dorëzuar vajzën me dëshirën e tyre. 39-vjeçari ka fajësuar gruan e tij se ajo ka këmbëngulur për ta mbajtur vogëlushen.

“Në qoftë se ata do te dëshironin të bënin diçka, domethënë që ta shisnin atë do e kishin bërë tashmë. Fëmija është rreth pesë vjeç dhe është ende në këtë familje. Ata e duan atë dhe kujdesen për të si fëmijën e tyre”, tha avokati i çiftit rom. Ndërkohë bazuar në analizat dentare, mjeku ligjor ka konkluduar se vajza që mbahej prej disa vitesh nga familja rome është 5 deri në 6 vjeç dhe jo 4 vjeç siç u aludua në fillim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama