Dibrani, Ramadan Troci është prokurori i Task Forcës së Prokurorisë së Tiranës, i cili ditën e djeshme ka vendosur të presë urdhër-arrestin për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Ai është zyrtari i Prokurorisë që ka kryesuar grupin hetimor në lidhje me vjedhje 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, së bashku me Oficerin e Policisë Gjyqësore, Elidon Hysenaj. Nuk kishte ndodhur në Shqipëri që një prokuror të kishte vendosur për të arrestuar një drejtues në nivele kaq të larta të administratës ekonomike në Shqipëri.
I ardhur para disa kohësh nga Dibra, ku ishte prokuror i këtij qarku, duket se prokurori i ri, por me eksperiencë në çështjet ekonomike, ka pasur në dorë disa dosje të personazheve të njohura. Para pak javësh, Ramdan Troci ishte edhe prokurori i cili kishte firmosur urdhër-arrestim për ish-kreun e INUK, Zyhdi Dajtin. Edhe Oficeri i Policisë Gjyqësore, Elidon Hysenaj ka eksperiencë në çështje të rëndësishme. Ai është oficeri i cili ka bërë hetimin për kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.