Kush i futi duart ne shkrimin e Vehbiut?

Kush i futi duart ne shkrimin e Vehbiut?

Një debat interesant është ndezur këto ditë në media në lidhje me një shkrim të publikuar nga Ardian Vehbiu në revistën letrare italiane “Lettera Internazionale”.

Në shkrimin e publikuar së fundmi, flitet për një shprehje që thuhet se është thënë nga Kadare në vitin 1990, sikur ata janë “jashtëqitja e kombit”.

“Në këtë kontekst mund të shpjegohet deklarata tronditëse dhe e pabesueshme e shkrimtarit Ismail Kadare që i ka përcaktuar refugjatët shqiptarë të vitit 1991 ‘jashtëqitja e kombit’. Fati e deshte që vetë Ismail Kadare të linte Shqipërinë dhe mecenatët e regjimit të vjetër për të kërkuar ‘strehim politik’ në Francë. Pastaj çuditërisht shkrimtari shqiptar nga akuzator u bë pjesë e këtyre ‘jashtëqitjeve’. Ja një mënyrë që kundërbalancon dhe pastron këtë metaforë koprologjike”, thuhet në shkrimin e publikuar në revistën italiane, që mban autorësinë e Vehbiut.

Por çfarë thotë vetë Vehbiu?

Ai pretendon se në esenë “Valori di scarto”, dikush ka futur duart pikërisht në këtë paragraf.

“Natyrisht, personi që futi duart në përkthimin italisht të esesë sime ka emër dhe mbiemër, por i takon revistës të vendosë se ç’të bëjë me të; nuk ua nxjerr dot atyre emrin e fajtorit me forcë, madje edhe sikur ta merrja vesh atë emër, me siguri do të më rezultonte ndonjë nulitet, person i panjohur për mua, këmbësor qyqar i një lufte nevojtoresh.

Sa kohë që revista e pranoi haptazi gabimin, praktikisht unë e konsideroj tani të mbyllur këtë çështje; nuk kam kohë as nge që ta ndjek më tutje. Ndërkohë, kushdo që ka dëshirë, mund t’i drejtohet revistës vetë – në bazë të informacionit të kontaktit që ata kanë në faqe – dhe të kërkojë të dhëna të tjera,” thotë Vehbiu, duke theksuar se revista e ka pranuar gabimin.

Por vetë Kadare çfarë thotë?

I pyetur nga Panorama, ai thotë se është në dijeni të këtij trillimi të rëndë.

“Kurrsesi dhe në asnjë rast nuk kam dhënë të kuptohet se mund të kem qoftë edhe më të voglin mirëkuptim ndaj shpifjes dhe fabrikuesve apo përhapësve të saj, kushdo qofshin ata,” thotë Kadare.

Ndërkohë gazeta ka publikuar shkrimin e vitit 1990, ku flitet për refugjatët, dhe ku nuk ka ndonjë shprehje të tillë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama