Kryeministër i Shqipërisë
Vjeç: 67
Sali Berisha, njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri. Aktualisht qëndron në krye të qeverisë. Është në krye të Partisë Demokratike që prej 20 vjetësh. Në dorën e tij ndodhen projektet më të mëdha të Shqipërisë dhe prej vullnetit dhe punës varen fatet e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është politikani më karizmatik në vend dhe po aq kontroversal në të njëjtën kohë. Arriti të anëtarësojë vendin në Aleancën Atlantike, por në të njëjtën kohë është i rrethuar gjithmonë nga polemika. Është i akuzuar për trazirat e vitit 1997 dhe së fundmi opozita e akuzon edhe për afera korruptive dhe përgjegjës në tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, apo vjedhjen e zgjedhjeve. Ndërkohë ai ka arritur të vendosë me mjeshtri, nën të njëjtën çadër qeverisëse, por edhe duke humbur pikë mes demokratëve edhe ish-kundërshtarin e tij të betuar Ilir Meta.
Kryetar i Partisë Socialiste
Vjeç: 47 vjeç
Është lideri i opozitës dhe drejton partinë më të madhe në vend. Gëzon mbështetjen e 700 mijë simpatizantëve të majtë që e votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare. Është njeriu që ka në dorë pothuajse gjysmën tjetër të fateve të vendit. Ai qëndroi mbi 10 vjet në krye të bashkisë më të madhe në vend, të cilin e humbi këtë vit mes 100 polemikash, ku PS thotë prerë se mandati i Ramës u vodh. Në mandatin e tij të parë i ndryshoi fytyrën një kryeqyteti të katandisur me kioska, falë një vizioni rinovues urbanistik. Dy mandatet e tjera ishin më zhgënjyese. Aktualisht ndodhet në opozitë dhe lideri i vetëm i saj, pasi në horizont nuk duket ndonjë politikan që mund ta zëvëndësojë në krye të PS-së. Partinë së fund e ka “pikturuar” si ka dashur vetë duke vënë në pozicionet kyçe të saj mbështetësit e tij. Duke mos harruar që në Parlament ka plot 64 deputetë.
President i Republikës së Shqipërisë
Vjeç:54
President prej më shumë se katër vjetësh, vjen nga rradhët e Partisë Demokratike. Ishte numri dy pas Berishës, dhe tani drejton institucionin më të lartë të shtetit shqiptar, por i shpallur armik nga partia “mëmë”. Edhe pse me kompetenca të kufizuara prapëseprapë është kthyer më shumë në një zë kundër kryeministrit dhe kryetares së parlamentit e cila është një kundërshtare e flaktë e tij. Raportet me këta dy të fundit tashmë janë më të akullta se kurrë, por Topi ka një influencë të madhe mbi politikën shqiptare. Në mjaft raste opozita e majtë i ka kthyer sytë nga Bamir Topi duke i kërkuar të tregohet i kujdesshëm përpara se të japë një verdikt përfundimtar mbi ligje të veçanta që i interesojnë vendit. Është i njohur si një ekuilibrist i madh dhe në ato situata të cilat kanë kërkuar një vendim. Gjithashtu drejton edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe është aktiv në vendimet mbi drejtësinë. Pritet që pas mbarimit të mandatit presidencial të krijojë një parti të re.
Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë
Vjeç: 53
Mos u habisni fare pse një amerikan ndodhet në këtë listë. Pasi Arvizu ka ndikim dhe pushtet në Shqipëri më shumë se Berisha dhe Rama së bashku. Dhe ky pushtet vjen jo sepse Arvizu ka ndonjë post të lart ekzekutiv, por më shumë nga inferioteti i politikanëve tanë ndaj ambasadës amerikane, rolit të madh që ka kjo ambasadë mbi zhvillimet politike duke u bërë shpesh herë arbitër për shumë debate dhe duke dhënë zgjidhje në çështje të tjera të vështira. Aq më tepër që SHBA për popullin shqiptar është aleati më i madh i saj. Duke mos harruar që për çdo gjë që nga goja e një amerikani në Shqipëri është ligj.
Kryetar i LSI-së
Vjeç: 44
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim njihet ndryshe edhe si pragmatisti më i madh në politikë. Aktualisht në vendimmarrje është gjerësisht më i pushtetshëm se rivali i tij politik Edi Rama, pasi ai vërtet drejton një parti me vetëm katër deputetë, por gjithashtu kjo parti drejton edhe katër ministri mjaft të rëndësishme. Meta ish-kryeministër dhe ish-socialist në të njëjtën kohë, ka drejtuar vendin dhe ka ushtruar pa frikë pushtetin e tij për tre vjet me rradhë, deri në momentin kur vendosi të largohej nga partia mëmë. Tani drejton një parti e cila deri dje ishte kundërshtare e përhershme e Sali Berishës, ndërsa tani ndodhet përkrah tij. Ka qënë zëri më i fuqishëm që kundërshtoi miratimin e Kodit Elektoral dhe ishte aq i vendosur sa të shkonte deri në grevë urie dhe ngriu përfundimisht marrëdhëniet me liderin e PS, Edi Rama.
Prokurore e Përgjithshme
Vjeç: 39
Është kryeprokurja më e re së cilës i ka rënë mbi supe procese të rëndësishme për ti menaxhuar. Drejton institucionin më delikat të vendit që ka për detyrë vetëm të akuzojë. Ndodhet në mënyrë konstante nën presionin e politikës dhe deri tani ka përballuar proceset më të vështira të këtij dhjetëvjeçarit të fundit. Humbi dy betejat me gjykatën ndaj dy ministrave të qeverisë Berisha. Lulzim Bashës, për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës dhe Fatmir Mediut për përgjegjësinë mbi tragjedinë e Gërdecit, në proces është gjyqi ndaj Ilir Metës dhe “21 Janarit”. Ina Rama ka krijuar marrëdhënie të mira me homologët europianë dhe është e besuara e ambasadës amerikane në Shqipëri.
Kryetare e Kuvendit
Vjeç: 48
Kryetarja e Kuvendit drejton një parlament të mbushur me burra, por Topalli e drejton këtë parlament me dorë të hekurt. Për këtë pyesni deputetët e opozitës kur u ulëret apo kur i përjashton. Është një nga besniket e kryeministrit Berisha dhe udhëton në të njëjtën gjatësi valësh me këtë të fundit. Ka influencë në parlamentin shqiptar si gjatë mandatit të kaluar dhe këtë aktual. Në mjaft raste ka debatuar me opozitën dhe në rastin e deputetit socialist Taulant Balla nxiti truprojat ta nxirrnin përjashta me frazën e famshme në dialekt “Nxirreni prej zhelesh këtë”. Ajo ka një konflikt edhe Lulzim Bashën, ku së fundi debatuan ashpër për fjalimin e lamtumirës së Leka Zogut.
Kryetar i Bashkisë së Tiranës
Vjeç: 37
Padyshim është numri dy në Partinë Demokratike dhe pasardhësi i Sali Berishës. Ka qenë në të gjitha ministritë më të rëndësishme në vend, duke filluar tek Transportet, më pas tek ministria e Jashtme dhe po ashtu edhe ministër i Brendshëm, veç posti i kryeministrit i ka ngelur pa provuar. Tani është kryetari i bashkisë më të madhe te vendit, duke mundur liderin e opozitës Edi Ramën. Basha bën pjesë tek prurjet e reja në Partinë Demokratike e cila e katapultoi në ministrinë e Transporteve. Por shumë shpejt ai do të bëhej shënjestër kryesore i opozitës si mbartës i korrupsionit në shifra që arrijnë miliona euro. Atë që nuk arriti dot si ministër i Transporteve do ta realizonte si ministër i Jashtëm, në momentin kur do të bëhej dëshmitar i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjatë kësaj periudhe do të ndërmerrte një aktivitet të ngjeshur diplomatik. Shumë thonë se ai do të zëvendësojë Berishën në krye të PD-së.
Drejtues i “Fiks Fare”
Vjeç: 56
Filip Çakuli hyn në këtë listë sepse është jo vetëm një ndër gazetarët më të njohur në vend, por si drejtues i një emisioni satiriko-investigativ, ai deri tani ka rrëzuar dy ministra. Njëri u shkarkua për 4 minuta (Ylli Pango), tjetri dha dorëheqjen vetë (Ilir Meta). Cili emision tjetër në Shqipëri, por edhe në Evropë ka rrëzuar dy ministra në një kohë të shkurtër? “Fiks Fare” është kthyer në ankth për shumë nga figurat që qeverisin vendin, pasi në të del ndonjë video tek “Fiks Fare” mund ti thuash lamtumirë karrierës politike.
Gazetar
Vjeç: 42
Është gazetari më i famshëm dhe më i paguar në Shqipëri. Blendi Fevziu dikur ishte një nga gazetarët e parë të gazetës opozitare postkomuniste RD, sot jo vetëm moderatori më i famshëm, por edhe njeri me mjaft ndikim në politikën e vendit. I diplomuar për gjuhë-letërsi është njëkohësisht edhe autor i disa librave, ku së fundi botoi një biografi për Enver Hoxhën, biografi e cila ka hapur shumë debate.