Kush ka qene kryetari i pare i Lidhjes se Prizrenit

Kush ka qene kryetari i pare i Lidhjes se Prizrenit
Iljaz Pashë Dibra (Qoku) është kryetari parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Deri më tani ai karakterizohet, kemi parasysh botimin e ri të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, si veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe një nga drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tashmë lihen më një anë etiketimet jo të pakta ndaj tij si një nga krerët e moderuar apo konservator e në ndonjë rast dhe kapitullant të saj. Autori përpiqet të zbardhë pikërisht këtë rebus...

Kush ka qenë kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetari i parë i saj? Pyetja shtrohet jo vetëm për shkak të aktualizimit jo pa vend të saj në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Përgjigjja e saj mbetet e mbështjellë  nga legjendat urbane dhe rurale që e kanë shoqëruar që prej dhjetëra vjetësh. Ngatërrohen apo dublohen kryetari i Kuvendit themelues të Lidhjes me Kryetarin e Lidhjes, kryetari i Lidhjes me kryetarin e qeverisë së Lidhjes, duke vënë në qarkullim dhe figura, me mbiemra kinse të njëjtë. Veprimtaria e kryetarëve të Lidhjes  apo ai i kryetarit të qeverisë së saj nuk mund të eklipsohet nga  kontributi i veprimtarëve qofshin dhe nga më aktivët të Lidhjes në Jug dhe në Veri të vendit. Prandaj kjo pyetje kërkon një përgjigje të dokumentuar jo për sensacion apo sa për të shuar kuriozitetin por për të vënë në vend plotësisht të vërtetën historike.

  Kryetari i parë i Lidhjes ka qenë, pikërisht, Iljaz pashë Dibra (Qoku). Deri më tani ai karakterizohet, kemi parasysh botimin e ri të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, si veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe një nga drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tashmë lihen më një anë etiketimet jo të pakta ndaj tij si një nga krerët e moderuar apo konservator e në ndonjë rast dhe kapitullant të saj. Pra, nuk theksohen që në krye kontributi i tij në themelimin e Lidhjes dhe ndihmesa e tij vendimtare në udhëheqje të krahut më përparimtar dhe më të vendosur për sendërtimin dhe zbatimin e programit të saj kombëtar, çka e dallon nga mijëra veprimtarë të Rilindjes si dhe nga dhjetra drejtues të Lidhjes.

Karakterizimi i mësipërm është krejtësisht i pamjaftueshëm për të dhënë të sintetizuar saktësisht figurën e njërit prej organizatorëve kryesorë të Kuvendit themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetarit të këtij Kuvendi historik dhe kryetarit të parë të Lidhjes të zgjedhur nga delegatët e tij. Në krye të Këshillit të Përgjithshëm të saj Iljaz pashë Dibra, i dalluar, që në vitin 1860 në përballimin e sulmeve të forcave shoviniste malaziase në vilajetin e Shkodrës, siç shkruan Haki Stermilli, dëshmoi  vendosmërinë e tij në luftërat për të hedhur poshtë klauzolat e Traktatit të Shën Stefanit dhe vendimet e Traktatit të Berlinit në kurriz të tërësisë së trojeve shqiptare.

Jo vetëm kaq. Ai qëndroi në ballë të Kuvendit dhe të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes  për formulimin dhe parashtrimin e programit autonomist të shqiptarëve. I. Dibra vinte në krye të Lidhjes me përvojën e luftrave që kishte zhvilluar që në moshë të re, më 1844, kundër forcave osmane të Hajredin pashës dhe përpjekjeve të Portës së Lartë për zbatimin e reformave centralizuese. I pajisur me një vetëdije të re politike Iljaz Qoku, në pranverë të vitit 1878, u vu në ballë të luftës për sendërtimin e programit të autonomisë administrative kombëtare të vilajeteve të bashkuara shqiptare. 

Me autoritetin dhe prestigjin që gëzonte punoi energjikisht pa marrë parasysh moshën për bashkimin e viseve të tjera shqiptare rreth programit kombëtar të Lidhjes në Kuvendet e Dibrës të 14 tetorit  1878 dhe të 10 nëntorit 1880, të kryesuara po prej tij. Ai nuk qëndroi, siç pretendohet, i tërhequr në çifligjet dhe sipërmarrjet e tij, por u vu në ballë të luftës trevjeçare të popullit të vet në këto momente jetike për fatet e tij

Për të provuar sa u tha më sipër mjafton t’u drejtohemi dokumenteve programatike të Lidhjes së Prizrenit, në të cilat Iljaz pasha është kryefirmëtari i tyre dhe kryetar i tre kuvendeve më të rëndësishme të Lidhjes në të cilat ato janë miratuar dhe rikonfirmuar në qershor dhe tetor 1878  dhe nëntor 1880.

 Më 15 qershor 1878, 43 delegatë (38 myslimanë dhe 5 kristianë) të Kuvendit të Prizrenit të mbledhur në Bajrakxhaminë e këtij qyteti, “për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë” vendosën njëzëri, nën kryesinë e atdhetarit të mirënjohur Iljaz pashë Dibra në emër të të gjithë krahinave formimin e organizatës kombëtare mbarëshqiptare,  Lidhjen e Prizrenit. Kryetar të saj zgjodhën, jo thjesht për meritë moshe, Iljaz Qokun, figura e të cilit, pak të thuhet, është lënë në hije, edhe sot e kësaj dite. Omer Prizreni edhe në se nuk del që të ketë qenë i pranishëm në Kuvend ndikimi

Dokumenti i parë që miratuan delegatët e Kuvendit të Prizrenit të kryesuar nga Iljaz Pasha, ishte Protesta kundër Traktatit të Shën Stefanit dhe çdo projekti të ri të mundshëm për copëtimin e trojeve etnike shqiptare nga Kongresi i Berlinit. Ata deklaruan “në një shpallje të nënshkruar bashkarisht dhe nga krerët e krishterë, se të gjithë shqiptarët ishin të vendosur të përballonin çdo vendim negativ që do të delte nga ai forum i diplomacisë europiane dhe çdo sulm a agresion që do të vinte nga fqinjët”.  Iljaz pasha me bashkëmendimtarët e vet së bashku me vendosmërinë për të mos lejuar copëtimin e trojeve amtare, bënë të qartë shqiptarësinë dhe shqiptarinë e tyre:

 “Qoftë i mallkuar kush ndjek interesat egoiste në këtë kohë kur atdheu na thërret në shërbim të tij.  Ne në Lidhjen tonë vendosëm që para së gjithash të provojmë që, pa diskutuar për fenë, jemi shqiptarë”. Këtë realitet kishte parasysh ato ditë këshilltari i valiut të Kosovës, Pashko Vasë Shkodrani, të cilin ai e ngriti në art në vargjet hymn: “Feja e Shqiptarit asht shqiptaria!”

Këto dokumente u konsideruan qysh më 1944, “natyrshëm një vepër zgjimi e madhe”. Dhe me të vërëtetë, vendimet e 15 qershorit 1878 shënuan një hop cilësor, madhor në rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare drejt Pavarësisë.

 Përfaqësuesit e shqiptarëve nga viset Veriore, Verilindore dhe Lindore, të udhëhequr nga Iljaz pashë Dibra dhe të frymëzuar dhe drejtuar nga Pashko Vasë Shkodrani shkuan në Kuvendin e Prizrenit me idenë e padiskutueshme të njësisë kombëtare midis shqiptarëve pa dallime fetare dhe krahinore. Ata e paten të qartë që atë ditë se tërësia e trojeve amtare në të ardhmen nuk mund të sigurohej pa sendërtimin gjithashtu edhe të drejtave kombëtare në kuadër të një vilajeti të bashkuar shqiptar dhe të reformuar në përputhje me traditat historike dhe kërkesat e kohës. Konkretisht dhe shprehimisht ata në Programin Autonomist të 15 qershorit 1878 kërkuan:

Krijimin e një administrate autonome nën emrin “vilajetet e bashkuara” (Tevhid-i vilayat) me qendër Manastirin dhe caktimin, përkohësisht, të Gazi Ahmet Muhtar pashës (te heroi i Luftës ruso turke themeluesit e Lidhjes patën shumë shpresa të cilat pa kaluarshumë kohë ai i përgënjeshtroi me qëndrimete tij ndaj kërkesave të tyre),  kryetar të Vilajeteve të Bashkuara ; Angazhimin për krijimin e Këshillave të Lidhjes me detyrë përhapjen e qëllimeve për autonomi në qendrat e mëdha si Manastiri, Shkupi, Prishtina; Mbledhjen e taksës së asharit dhe të vergjisë, për bagëtinë dhe për pronat, në emër të Vilajeteve të Bashkuara, duke organizuar për këtë qëllim dhe xhandarmërinë. Së fundi shtrohej si detyrë krijimi i milicisë ushtarake për mbrojtjen e territorit që do të përfshihej në « Vilajetet e Bashkuara ».

Miratimi i këtyre kërkesave nga Iljaz Dibra dëshmon katërcipërisht se pashaj, dhe jo vetëm ai, kishte përvetësuar në ato ditë vendimtare për fatet e atdheut pikëpamjet më të përparuara të përfaqësuesve më largpamës të Rilindjes. Pavarësisht se nuk kemi të dhëna rreth formimit të tij arsimor jemi të bindur se Iljaz Qoku nuk qe një përvetësues pasiv i mendimit politik më të përparuar të Rilindjes. Me përvojën dhe vendosmërinë e tij ai kontribuoi jo vetëm për miratimin e “Kushtetutës së Lidhjes” por dhe për shndërrimin e saj në program pune të Lidhjes të udhëhequr për afro dy vjetësh prej tij. Edhe kur nuk qe më zyrtarisht në krye të Lidhjes ai vijoi me vendosmëri luftën për realizimin e këtij programi.

Protesta e parë e Lidhjes së Prizrenit si dhe Programi autonomist i saj përçonin në mënyrë konçize idetë e shprehura në Përkujtesën e Shkodrës drejtuar dy ditë më parë lordit Bikonsfild, dokument i nënshkruar nga Pjetër Gurakuqi dhe Daut Boriçi dhe dhjetra e dhjetra qytetarë. Me parashtrimin e kërkesës programore për pavarësi, dhe të kërkesës alternative për autonomi të shkodranëve më 13 qershor 1878 nuk delte detyra për avancimin, por vënien e saj në themelet e lëvizjes së fuqishme popullore që po ngrihej në pranverë të vitit 1878, detyrë të cilën e kryen pa asnjë mëdyshje Iljaz pasha dhe delegatët e tjerë të Kuvendit themelues të Lidhjes. Në këto momente ata paten përkrah Pashko Vasë Shkodranin.  

Aktet programatike të Kuvendit të Prizrenit u ngritën mbi ndarjet fetare dhe krahinore të trashëguara. Në të nuk u shtruan as për diskutim kërkesa separatiste si ajo që pashaj osman Preng Bib Doda dhe bajraktarët katolikë të Mirditës i parashtruan Kongresit të Berlinit për ruajtjen e privilegjeve fetare dhe ngushtësisht lokaliste të krahinës së Mirditës.
Programin autonomist të Lidhjes, edhe botuesi i parë i tij, Sylejman Kylçe, e konsideron, jo pa të drejtë « Kushtetuta  e Lidhjes »  Dhe ajo, në të vërtetë, qe kushtetuta e Vilajeteve të Bashkuara dhe projekt-skica e kushtetutës së Vilajetit Shqiptar autonom.

Programi i Lidhjes së Prizrenit u mbështet fuqimisht i argumentuar dhe më i plotë në Kuvendin e Dibrës, të kryesuar po nga Iljaz pasha, më 14 tetor 1878. Në të u parashtrua që të gjitha viset e Shqipërisë të përmblidhen në një vilajet  dhe të caktohet si qendër  një qytet që të kishte lidhje me çdo anë të tij; nëpunësit që do të shërbenin në Shqipëri duhej të dinin edhe gjuhën shqipe; të përhapet arsimi dhe në shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe; të zbatoheshin vendimet  që do të merreshin për reformat  e dobishme për shtetin dhe kombin  nga ana e kuvendit të përgjithshëm, i cili do te mblidhej katër muaj çdo vit në qendrën e vilajetit; të ndahej një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e vilajetit për arsimin dhe ndërtimet publike.

Ato ditë në programin autonomist të porsamiratuar në Dibër për krijimin e vilajetit shqiptar aderuan dhe krahinat jugore përmes Lidhjes Shqiptare për Toskërinë të përfaqësuar nga  Abdyl Frashëri . Pjesëmarrja e tyre aktive në Kuvendin e Dibrës dëshmoi dhe përforcoi dhe një here karakterin e Lidhjes si një organizatë politike mbarëshqiptare. Sipas dokumentacionit që ndodhet në Arkivat e Stambollit, Iljaz pasha i nënshkroi dhe një herë po ato pesë kërkesa kësaj here së bashku me Abdylin, më 2 nëntor 1878. Përveç pesë pikave në fund të kësaj rezolute theksohet:

“Derisa të arrihet plotësimi dhe realizimi i këtyre kërkesave, të cilat janë në interes të kombit dhe të shtetit, të gjitha krahinat e Shqipërisë do të qëndrojnë në një fjalë dhe kompakt, të bashkuar me një zë dhe për këtë qëllim nuk do të lënë pa përdorur çdo mjet që kanë.

Përkrah Iljaz pashës dhe kuvendarëve të Prizrenit veproi aktivisht ato ditë Pashko Vasë Shkodrani, i mbështetur në përvojën politike e administrative dhe veprimtarinë e gjerë shkencore e publicistike. Ai u shpreh në mbrojtje të çështjes shqiptare në mënyrë lapidare në promemorjet e tij drejtuar vetëm apo dhe me shokë të tjerë diplomatëve të huaj në Stamboll. Pashkoja me Iljaz pashën në krah mbështetur në kulturën oksidentale përpunonte në kushtet e Shqipërisë idetë europiane, duke i materializuar në dokumentacionin programatik të Lidhjes. Me to ata sollën në Kuvendin e Prizrenit ide të reja dhe një ideal të ri. Ata së bashku me gjithë kuvendarët e Prizrenit mundësuan krijimin e qendrës së Lidhjes mbarë shqiptare nga e cila u varën, pavarësisht nga vështirësitë e pengesat organizative si dhe sabotimet e elementëve sulltanistë, të gjitha degët në mbarë qytetet shqiptare që nga Shkodra në Shtip të Maqedonisë së sotshme dhe deri në Prevezë dhe në Janinë, përfshijë dhe fshatra të thella si Frashëri.

Ato ditë të qershorit shqiptarët arritën një nga marrëveshjet më madhore, historike mes vetes, me njeri tjerin. Për të mbërritur deri aty ata kapërcyen politikisht pasojat e prapambetjes ekonomike të shkaktuar nga sundimi i gjatë osman; kapërcyen përçarjen krahinore dhe veçanërisht pasojat  e dasive fetare. Paria çifligare e bajraktare u ngritën mbi separatizmat e tyre karakteristike.

Pashko Vasa, në ato ditë të qershorit të vitit 1878, ua bënte të qartë diplomatëve të Europës në Stamboll dhe në Rumeli, se Lidhja e udhëhequr efektivisht nga Iljaz pasha po fliste me forcë me gjuhën e aspiratave europianiste!

Që në fillimet e vitit 1880 në Prizren dhe në Dibër pushteti fiskal dhe ai gjyqësor po kalonin në duart e degëve të Lidhjes Shqiptare. Aksioni po shërbente si shtysë për sendertimin në mbarë Shqipërinë të kërkesës së parashtruar në Dibër rreth dy vjet më pare për krijimin e Vilajetit autonom shqiptar. Sigurisht që marrja e një vendimi të tillë në kohën kur bëheshin keto përpjekje nuk ishte e lehtë. Mendimet për dhe kundër zienin në Prizren, Shkodër, Dibër, Janinë, Gjirokastër dhe në të gjitha degët e Lidhjes. Qendër e këtyre debateve jo rastësisht u bë qyteti i Dibrës, jo vetëm për pozicionin strategjik të rajonit, por dhe për rolin e degës së Lidhjes në këtë qytet dhe të autoritetit të njerit prej themeluesve të Lidhjes dhe deri vonë kryetari i saj, Iljaz pashë Dibrës. Aty u vendos të zhvillohej një Kuvend i ri i Lidhjes. Për këtë qëllim nga Prizreni erdhi një pjesë e udhëheqësve të Lidhjes me në krye Ali pashë Gucinë. Që atje ua përsëritën ftesat gjithë degëve për dërgimin e delegatëve për në kuvendin e ri për shpalljen e autonomisë.

Nën kryesinë e Iljaz pashës në Kuvendin e Dibrës shumica e  delegatëve të kuvendit u shpreh me vendosmëri për mbrojtjen e Ulqinit në kundërshtim me urdhërin e sulltanit për dorëzimin e tij. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës u njoftua rreth gatishmërisë së banorëve të Dibrës për dërgimin e forcave vullnetare nga sanxhaku i tyre.

Autoritetet osmane në se nuk mundën ta pengonin shqyrtimin e çështjes së vilajetit autonom arritën t’i përçanin delegatët e Kuvendit të Dibrës për sa i takonte formulimit të kërkesës që do t’i drejtohej Stambollit. Si rrjedhim, u miratuan dy rezoluta. Elementët e vendosur të udhëhequr nga tre pashallarë, Iljaz Dibra, Ali Gucia dhe Esat Tetova kërkoi nga Stambolli krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë. Krahu i moderuar, i cili mori më shumë vota, kërkoi krijimin e një ejaleti të Shqipërisë, në të cilin të zbatoheshin reformat për organizimin e vilajeteve sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Pas mbarimit të punimeve të Kuvendit, më 4 nëntor 1880, i biri i Iljaz pashës, Xhemal beu, u nis për në Stamboll, siç raportonte konsulli britanik prej Selanikut, Blant, “me një project me të cilin kërkohen sanksione, të cilat sigurisht nuk do të pranohen nga sulltani”. Megjithë shpresat e shqiptarëvet se Porta e Lartë nuk do ta refuzonte kërkesën për autonomi, të dy rezolutat mbeten pa përgjigje.

Edhe kaq sa parashtruam më sipër del plotësisht e qartë se në kundërshtim me pohimet dhe karakterizimet shpesh nihiluezese, në fund të fundit minimizuese, që janë bërë dhe bëhen rreth personit të Iljaz pashë Dibrës si një nga figurat konservatore apo të moderuara  e deri dhe kapitullante të udhëheqjes së Lidhjes së Prizrenit nuk qëndrojnë. Çifligari dhe sipërmarrësi i madh i taksave Iljaz pashë Qoku qëndroi në radhët e para të udhëheqësve më të përparuar dhe më të vendosur të luftës së popullit shqiptar në vitet 1878-1881. Në krye të Lidhjes ai së bashku me Pashko Vasën, Ali pashë Gucinë, pasuesin e tij në krye të Lidhjes, Omer Prizrenin, Abdyl bej Frashërin, Daut Boriçin, Hodo Sokolin e dhjetra dhjetra të tjerë në ballë të Lidhjes dhe të degëve e të forcave luftarake dhe më së fundi dhe të organeve të qeverisë së saj, të kryesuar nga Omer effendi Prizreni, vunë gurin qoshes në themelet e Pavarësisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama