Kush punon ne shtet vendos te festoje jashte

Kush punon ne shtet, vendos te festoje jashte
Agjencitë turistike: Prenotime në grup për festën e Pavarësisë për Dubrovnik, Budapest, Pragë

Ndërsa dy qytetet, Vlora dhe Tirana po “hahen” mes tyre për festimet më të bukura e po rivalizojnë për të qenë kryeqendra e festimeve, në vend prej disa ditësh ka nisur mbërritja e shqipfolësve nga çdo anë.

Madje në kryeqytet është vështirë të lëvizësh me makinë, pasi mbipopullimi i tyre ka sjellë edhe bllokim të rrugëve, vendeve të parkimit e madje edhe “trafik” njerëzor në qendër e kryesisht në rrugën “Murat Toptani”. Por ndryshe nga një pjesë e shqiptarëve që do të kalojnë festat në vend, në qytetin e lindjes, Tiranë apo Vlorë, një pjesë e mirë e qytetarëve, kryesisht ata që punojnë në shtet e kanë dy ditë pushim, por edhe më shumë, kanë prenotuar të kalojnë festën e Pavarësisë jashtë vendit.

Për shkak të pushimeve të paguara si pasojë e festës, grupe kolegësh, por edhe familjarë kanë zgjedhur të prenotojnë dhe të përfitojnë nga ofertat e agjencive turistike për të kaluar jashtë vendit vitin jubilar të Pavarësisë. Agjencitë turistike raportojnë se ofertat, duke nisur nga më të lirat deri te më të shtrenjtat që bën biznesi, përthithen më shpejt në raste festash, madje është bërë traditë që për festat e nëntorit, për fundvit, Krishtlindje e Vit të Ri, madje edhe për Shën Valentin, një pjesë e shqiptarëve zgjedhin qytetet jashtë për të pushuar apo për të vizituar, edhe për shkak të çmimeve të volitshme.

Ofertat

Në Selanik për katër ditë pushime edhe me një ditë guidë në Janinë, çmimet e ofruara janë rreth 150 euro për person. Brenda çmimit përfshihet udhëtimi, fjetja dhe mëngjesi.

Po ashtu me gati të njëjtin çmim te 150 euro, agjencitë turistike ofrojnë paketa pushimi në Kroaci, në Dubrovnik apo Split për katër ditë dhe tre net, me mëngjes dhe darkë të përfshirë, duke hequr edhe shpenzimet e udhëtimit.

Katër ditë pushimi në Itali duke përfshirë vizitat në tri qytete kushtojnë rreth 500 euro. Një pjesë e shqiptarëve që do të festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë kanë zgjedhur vendin fqinj për të pushuar me rastin e festës së Pavarësisë. Rreth 600 euro ka qenë çmimi i ofertës që kanë paguar një pjesë e shqiptarëve që do t’i kalojnë festat jashtë vendit, për të vizituar Barcelonën.

“Ata që prenotojnë janë kryesisht grupe të afërmish, kolegësh, të cilët përfitojnë nga ditët e pushimit. Festat në përgjithësi në dimër, si të nëntorit, si të fundvitit, Shën Valentinin apo 8 Marsit shërbejnë për të përfituar nga ofertat tona. Zakonisht në kohë festash edhe bashkëpunëtorët tanë jashtë janë më të gatshëm për të ofruar çmime të volitshme dhe oferta të pranueshme edhe pse jemi në kohë krize”, thotë Ada, punonjëse në një nga agjencitë turistike në kryeqytet.

Pushimet

Agjencitë turistike, tri javë më parë kanë nisur të njoftojnë qytetarët për ofertat e tyre, si dhe të grumbullojnë prenotimet e para nga ata shqiptarë që janë më pak të ekzaltuar ndaj 100-vjetorit të Pavarësisë. Ndërsa një pjesë e mirë e kryeqytetasve kanë prenotuar hotele dhe restorante në Vlorë, të tjerë preferojnë që këtë ditëlindje të Shqipërisë ta kalojnë larg vendit të lindjes.

Studentët, sipas udhëzimit, do të kenë një javë pushim, ndërkohë që shkollat dhe administrata do të kenë vetëm dy ditë pushim, 28 dhe 29 Nëntorin. Por për shkak të vrullit të festës, përqendrimit të punëve enkas për këtë 100-vjetor, një pjesë e punonjësve të administratës kanë menduar të paraqesin pranë shefit të administratës edhe ndonjë raport për mungesat që do të kenë të paktën deri të hënën e ardhshme.

Të dhëna

Ofertat - Agjencitë turistike kanë mbyllur gati 80 për qind të prenotimeve për të gjithë shqiptarët që do të festojnë 100-vjetorin jashtë vendit

Pushimi - Për administratën pushimet do të jenë dy ditë, më 28 dhe 29 Nëntor, por në të tilla raste punonjësit ose paraqesin raport ose marrin leje paraprake, për shkak të ekskursionit të organizuar

Çmimet - Edhe pse 100-vjetori është vit jubilar për ditëlindjen e Shqipërisë, një pjesë e qytetarëve, edhe pse patriotë, e shohin ftohtë çështjen për të festuar në vendlindje

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama