Kushtet dhe afatet per te fituar nje pune ne Itali

Kushtet dhe afatet per te fituar nje pune ne Itali
Sheshi dhe zona përreth, tashmë e rindërtuar totalisht nuk kuptohet më pa "emrin" e tij të paemër. Trafiku i makinave rreth tij, i ngjan një gërsheti të punuar me kujdes. Aty shesin radhë ambulantët ku mund të marrësh në çast një byrek, ëmbëlsirë, akullore a çfarë të të dojë qejfi. Aty rrinë dhjetëra punëtorë në kërkim të një pune ditore të rastësishme. Ndërsa shkëmbejmë dy-tre batuta me ta, pranë sheshit kalon një karrocë me kuaj. Menjëherë pas saj vjen një makinë e tipit të fundit. Jemi në sheshin e "Partizanit të Panjohur" ose "Ushtarit të Panjohur". Prej vitesh qëndrojnë aty djem e burra që në të gdhirë e deri kur mbërrin mbrëmja. Rrinë për orë të tëra, me shpresën se dikush do t'i marrë për një ose dy ditë punë.

Me trastat e bukës, ashtu si qëmoti, ulen në shkallët e monumentit të Partizanit, duke parë nga të katër anët se mos dikush po u drejtohet për t"i pyetur se sa kërkojnë për ndonjë punë të vogël shtëpie. Në vesh na vijnë copa bisede: "Është shtrëngu shumë.. Nuk ka lekë... Edhe kur del ndonjë të na marrë, dita e punës nuk na vete më shumë se 10 apo 15 mijë lekë të vjetra... Askush nuk të ofron punë më shumë se dy ditë...". Ata përsërisin shpesh të njëjtat fraza me cigaren ndër dhëmbë. Përbri "Partizani i Panjohur", ndoshta është i vetmi që ka të gjithë kohën e Zotit për t'ua dëgjuar përditë hallet dhe lutjet e heshtura.

Me punëtorët

Nga ana tjetër,  ky është një vend i njohur për të gjithë ata që kanë diçka për të rregulluar në shtëpinë e tyre. I vendosur në qendër të kryeqytetit aty gjejnë hidraulikun, saldatorin, bojaxhiun... Pas njoftimit të Ministrisë së Punës, për një marrëveshje me Ambasadën Italiane për punësimin e 190 zanatçinjve shqiptarë në vendin fqinjë, ne shkuam atje ku gjenden ata vetë. Personi i parë që takuam është Mehmeti, dhe ishte ndër të rrallët persona që gjendeshin në atë vend që kishte aplikuar për punësim në Itali. Ai tha që, para 5 ditëve kam shkuar dhe kam plotësuar formularin, do të doja të punësohesha si bojaxhi, por edhe ndonjë zanat tjetër do e bëja pa problem, mjafton të kem një punë- shprehet ai.

Ndërsa 35 burrat që na rrethojnë në atë momente, habiten kur i tregojmë për këtë variant pune. Disave u shkëlqejnë sytë, ndërsa të tjerët rrudhin buzët, duke u shprehur se janë gënjeshtra, askush nuk na merr ne. Frroku,  tregon se: “Unë kam 5 vjet që e kam emrin te zyra e punës si i papunë dhe askush nuk kujtohet për mua. Kalojë ditët e mia duke pritur që dikush të ketë nevojë për ndonjë punë me matrapik”. Araniti, 37 vjeç, baba i dy fëmijëve, pohon me ballin e rrudhur se: “Italia nuk ka më punë për vetë, e jo më për ne”... dhe largohet i zëmëruar nga turma.  Kurse, Bexheti dhe Petriti nisen direkt për tek zyra e punës mbrapa Ministrisë së Jashtme, sapo i dhamë këtë informacion, ata thanë: Pse mos ta provojmë! 

Intervista/ Fatjon Dhuli, Koordinator në Drejtorinë Rajonale të Punësimit shpjegon procedurat e regjistrimit të interesuarve për të punësuar në Itali

Kushtet dhe afatet për të fituar një punë Itali

Për tu interesuar më shumë për këtë marrëveshje të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Ambasadës Italiane në vendin tonë, në shkuam në zyrën e punës në kryeqytet. Ndërsa ngjitemi në katin e tretë të këtij institucioni shkëmbehemi me disa persona që interesohen për punësimin në Itali. Në zyrë na pret  Fatjon Dhuli, Koordinator  në Drejtorinë Rajonale të Punësimit. Ai është i gatshëm të shpjegoi për ne çdo detaje për këtë projekt i cili do të çoj 190 shqiptarë drejtë Italisë.

Fatjon, jemi në ditët e regjistrimit të personave që duan të shkojnë në Itali për punë, mund të na shpjegoni pak më shumë për këtë nismë?

Po, është njoftimi ka të bëjë me përzgjedhjen e 190 shtetasve shqiptarë, në zanate të ndryshme. Si fillim të interesuarit duhet të kryejnë një kurs në fushën që duan të punojnë e më pas entet angazhohen të lehtësojnë punësimin e të paktën 50 % të pjesëmarrësve, pas përfundimit të kursit të formimit. Të gjithë ata që do të përfundojnë kurset do të fitojnë të drejtën për të hyrë në Itali për arsye pune. Kjo e drejtë do t’u mundësojë marrjen e një vize për motive punësimi nëse një punëdhënës në Itali është i gatshëm t’i punësojë.

A ka kritere për të ndjekur këtë kurs apo për tu regjistruar?

Janë disa kritere të tipit që, të aplikuesit duhet të kenë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Të jenë të interesuar të zhvillojnë një aktivitet punësimi në Itali në sektorët e kërkuar. Duhet të mos kenë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale dhe të mos zotërojnë leje qëndrimi në Itali.

Cilat janë mënyrat që një i interesuar mund të bëj aplikimin?

Regjistrimi ka filluar më datën 5 tetor dhe ka afat, deri më datën 24 të këtij muaji. Të interesuarit mund të vijnë në zyrat e punës, por edhe mund të plotësojnë formularin nga faqja e interrntetit i cili mund të gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (www.mpcs.gov.al) dhe të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (www.kerkojpune.gov.al), si edhe pranë të gjitha Sporteleve të Migracionit. Formulari i plotësuar i regjistrimit duhet dorëzuar personalisht, së bashku me një dokument identifikimi, në Sportelet e Migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ku do të merret një kod personal për kryerjen e regjistrimit.

Ky aplikim bëhet vetëm në Tiranë apo edhe në rrethe?

Jo vetëm në Tiranë.  Ky aplikim bëhet edhe në rrethe me të njëjtën procedurë. Edhe diçka, kandidatëve u këshillohet të specifikojnë në formularin e regjistrimit, çdo vërtetim apo certifikatë të marrë, veçanërisht për sa i përket njohjes së gjuhës italiane. Për shembull, këshillohet të tregohet kryerja e kurseve të gjuhës italiane pranë Institutit Italian të Kulturës apo qendrave të tjera të formimit, shkollat dygjuhëshe, shkollat që janë pjesë e programit Iliria, përvoja studimi në Itali, etj.
 
Cila është përmbajta e kurseve që të interesuarit do t’i nënshtrohen?

Personat e përzgjedhur për të ndjekur kurset e formimit, do të duhet të marrin pjesë detyrimisht

në kurset për gjuhën italiane. Kursi do të jetë i ndërtuar në module që bëjnë të mundur marrjen e aftësive gjuhësore komunikuese për t’u orientuar në ambientin e punës, atë privat dhe me strukturat publike. Në përfundim të kursit pjesëmarrësit do të kryejnë një provim për të verifikuar nivelin A2 të njohjes së gjuhës italiane. Një tjetër kurs është edhe ai i përgatitjes përpara nisjes që  parashikon module në lidhje me edukimin mbi qytetarinë dhe të kulturën italiane, sigurinë në punë, të drejtat dhe detyrat e punëtorëve.

Dhe kursi e fundit është që në bazë të aftësive të kandidatëve dot ë përzgjidhen edhe sektorët ku ata do të bëjnë kurset.

Kur do të zhvillohen këto kurse?

Kurset e formimit, do të zhvillohen në periudhën ndërmjet fillimit të dhjetorit 2012 dhe fundit të shkurtit 2013. Bëhet fjalë për kurse intensive prej 6 - 8 orësh në ditë, për 4 - 5 ditë në javë, që do të zhvillohen kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, me kusht që të arrihet krijimi i klasës prej 25 personash. Është e detyrueshme pjesëmarrja në të paktën 70 të kurseve dhe në veprimtaritë e ndërmjetme të kontrollit, në të kundërt do të shkaktohet përjashtimi i kandidatit nga përzgjedhja përfundimtare. Pjesëmarrja në kurset e formimit është falas. Çdo kosto tjetër që ka të bëjë me transportin për në vendbanimin e kandidatit, ushqimi dhe strehimi gjatë kurseve të formimit, nuk rimbursohen.

Deri më tani sa të interesuar janë regjistruar?

Deri tani kemi vetëm 80 aplikime, shpresojmë që të shtohen pasi kanë afat deri në datën 24 tetor.

Sektorët e punësimit

-Punues metalesh (Programues/Përgatitës makinerish me Kontroll Numerik të

Kompjuterizuar, Saldatorë, Montatorë mekanikë, Operatorë makinerish me Kontroll

Numerik të Kompjuterizuar, Elektricistë).

- Shërbime për ndërmarrjet (Pastrues/e në industri).

- Sekretari e përgjithshme/tregtare.

- Marangozë – Montatorë stendash.

Kriteret

- Niveli i arsimit.

- Përvoja pune të mëparshme në sektor.

- Niveli i njohjes së gjuhës italiane.

- Përvoja pune të mundshme në Itali dhe/ose jashtë shtetit.

- Një vërtetim i mundshëm i pjesëmarrjes në kurse formimi profesional në sektor.

Tri fazat e përzgjedhjes

1. Para-përzgjedhja e bazuar mbi kandidaturat (për t’u futur në intervistë).

2. Intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese (për t’u futur në kurset e formimit).

3. Përzgjedhja përfundimtare për punësim në Itali, e bazuar në ndjekjen e kurseve të formimitdhe në rezultatet e provimeve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama