Kushtetuta perballe ndryshimeve per reformimin e drejtesise

- Në 17 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë -

kushtetuteTIRANË, 21 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- 17 vjet pas miratimit, Kushtetuta e Shqipërisë përballet sot me nevojën për ndryshime thelbësore, kryesisht në nenet që lidhen me funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Grupi i ekspertëve të lartë që po punon për reformën në drejtësi ka konkluduar se gjendja në të cilën ndodhet sot drejtësia në Shqipëri dikton nevojën e ndryshimeve thelbësore kushtetuese, pasi Kushtetutës aktuale i mungojnë disa mekanizma dhe procedura thelbësore, të cilat do të bënin të mundur garantimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efiçencës së sistemit.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar më 21 tetor 1998. Që nga data e miratimit ajo është ndryshuar tre herë. Ndryshimi i parë u bë në vitin 2007 për të zgjatur afatin e qëndrimit në detyrë të autoriteteve të pushtetit vendor. Ndryshimi i dytë, dhe më i rëndësishëm, u bë në vitin 2008 për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, procedurën për votëbesimin e qeverisë dhe afatin e qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndryshimi i tretë u bë në vitin 2012 për të zbutur imunitetin e funksionarëve të lartë të shtetit nga ndjekja penale.

Ekspertët janë të mendimit se përgjithësisht gjatë 17 viteve të zbatimit të saj, Kushtetuta ka arritur të sigurojë funksionimin e një shteti demokratik në Shqipëri, ndonëse nuk kanë munguar edhe dështimet. Kështu, Kushtetuta e '98-s nuk ka arritur të izolojë sa dhe si duhet institucionet e pavarura nga ndikimi i shumicave politike.

Po kështu, Kushtetuta nuk ka arritur të sigurojë një mbikëqyrje të vërtetë dhe të efektshme të parlamentit mbi qeverinë. Megjithatë, është e qartë për të gjithë aktorët dhe vëzhguesit e jetës politike dhe institucionale në Shqipëri se dështimi më i spikatur i Kushtetutës së vitit 1998 ka qenë paaftësia e saj për të krijuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas.

Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë, i miratuar nga komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, ka evidentuar në mënyrë shteruese problemet e sistemit të drejtësisë në të gjitha këto aspekte (pavarësia, përgjegjshmëria dhe efiçienca).

Sa i takon shkaqeve që kanë përcaktuar këto probleme, ky Dokument ka evidentuar si të tilla mungesën e cilësisë dhe koherencës së rregullimeve kushtetuese dhe ligjore (sidomos pas amendimeve kushtetuese të vitit 2008), nivelin e lartë të korrupsionit në rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nivelin e ulët profesional të tyre, mungesën e mekanizmave efikasë të kontrollit mbi ta, mosndarjen e qartë të kompetencave midis organeve që qeverisin sistemin e drejtësisë, ndikimin shproporcional të politikës në drejtësi etj.

Përpjekjet e herëpashershme të qeverive të ndryshme, për t'i adresuar këto probleme kanë dështuar, sepse ndërhyrjet e propozuara ligjore kanë qenë të pjesshme dhe në asnjë rast nuk kanë prekur rregullimet përkatëse kushtetuese.

Paketa me amendime kushtetuese, e propozuar sot nga komisioni i posaçëm dhe që i është përcjellë për opinion Komisionit të Venecias, propozon ndryshime në disa pjesë të ligjit themeltar të shtetit, duke nisur me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe nenet që flasin për një ridimensionim të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, në raport me sistemin e drejtësisë.

* * *

E miratuar më 21 tetor 1998, gjatë punimeve të legjislaturës së XV-të të Kuvendit, Kushtetuta shqiptare u adoptua më 28 nëntor 1998, përmes një referendumi mbarëpopullor, duke u cilësuar nga ekspertët ndërkombëtarë në përputhje me rregullat e standardet europiane.

Dokumenti themeltar i shtetit e përkufizon Shqipërinë republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm dhe me një qeverisje të bazuar "në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike". Sipas tij, organi ligjvënës përbëhet nga një dhomë, që është Kuvendi i cili ka 140 anëtarë.

Pas votës referendare në nëntor '98, Kushtetuta për shumë vite nuk njohu ndryshime, ndërkohë që nga viti 2007 e deri më sot është amenduar tre herë, ndërsa tashmë është hapur rruga për një amendim të katërt të saj.

/m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama