Kuteli dekorohet per perkthimin e letersise ruse

Kuteli dekorohet per perkthimin e letersise ruse

Shkrimtari dhe intelektuali i shquar shqiptar, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), është nderuar pas vdekjes me një dekoratë nga Ambasada e Rusisë në Tiranë,  për përkthimet e autorëve më të mirë të letërsisë ruse. Kuteli ka përkthyer me një cilësi të veçantë romanin “Shpirtra të vdekur” të Gogolit e më pas vepra të Maksim Gorkit e autorëve të tjerë klasikë rusë.

Ambasada e Rusisë në Tiranë e ka lëshuar këtë dekoratë mirënjohjeje, një javë pas nderimit të një përkthyesi tjetër të mirënjohur të letërsisë ruse, Jorgji Dhoksanit, i cili solli në shqip veprën e plotë të Dostojevskit. Dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u shpërndanë edhe diploma mirënjohjeje për përkthyesit më të talentuar të letërsisë ruse në gjuhën shqipe.

Ndër këta përkthyes ishin: Dritëro Agolli, të cilit iu dha diplomë nga Ambasada e Rusisë për përkthimin e poetëve më në zë të shekullit të 19-të të Rusisë dhe për vëllimin voluminoz “Shekulli i argjendtë”, e të tjerë.

Diploma tjetër iu dha shkrimtarit Nasho Jorgaqi për përkthimin e novelave të Çehovit, të cilit iu përmendën disa përkthime si “Dueli” i A.P. Çehovit, “Jeta dhe kujtimet” e Çehovit, etj. Me diplomë u nderua edhe Afrim Koçi, një përkthyes i njohur, jo vetëm nga gjuha ruse, por edhe nga gjuhë të tjera,Drita Lazrin, Petraq Kolevicën e Myzejen Shapllon.

Aktiviteti u zhvillua në praninë e ambasadorit rus, Aleksandër Karpushin; kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë, Vladimir Malasov, si dhe të personaliteve shqiptare të Akademisë së Shkencave dhe të letrave shqipe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama