Kuvend Debate per biznesmenin e zhdukur Remzi Hoxha

TIRANË, 5 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Zhdukja e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha në vitin 1995 u bë pjesë e debatit të sotëm në Kuvend.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, në fjalën e tij mes të tjerash, i kërkoi ish-kryeministrit Sali Berisha që të tregojë se ku fshihen eshtrat e biznesmenit të vrarë 20 vjet më parë.

Braçe gjithashtu i kërkoi ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri që të mundësojë esktradimin nga Anglia të Ilir Kumbaros, i shpallur fajtor për zhdukjen e biznesmenit dhe që të kthehet e të vuajë dënimin në Shqipëri.
"Kjo është një çështje që nuk duhet të marrë fund. Bëra një thirrje humane, ashtu siç dua t'i bëj thirrje ministrit të Brendshëm të sjellë këtu kasapin e atij regjimi, Ilir Kumbaron, bazuar në atë vendim gjykate, dhe që u sabotua disa herë me radhë, vetëm që ai t'i shpëtonte drejtësisë", tha Braçe.

Në reagimin e tij, ministri Tahiri tha se Ministria e Brendshme nuk ka më hapësirë për të gjetur përgjegjësi ligjore të shtuar për atë ngjarje.

"Ndaj këtu mendimin tim si deputet, se zhdukja e Remzi Hoxhës ishte një krim shtetëror që kulmonte pa asnjë dyshim tek zyra e Presidentit të Republikës. Megjithatë, Ministria e Brendshme do të bëjë ç'është e mundur t'i kërkojë autoriteteve angleze të kapin dhe të sjellin para drejtësisë shqiptare, Ilir Kumbaron", tha Tahiri.

Në reagimin e tij, ish-kryeministri Berisha, tha se për çështjen e Remzi Hoxhës nuk kishte pasur kurrë informacion. "Të gjitha janë sajesa e trillime për një njeri që ndoshta e zhdukët vetë për qëllime politike", tha ai.

"Për këtë problem qeveria ime ka pasur zero informacion. Nuk ekziston në mënyrë absolute një informacion. Nëse doni të trilloni vazhdoni ta bëni se kam kënaqësi kur ju shikoj të jetoni në kohën time dhe ju garantoj se nuk do të dilni dot prej saj", iu drejtua Berisha deputetëve të maxhorancës sot në parlament. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama