Kuvend- Diskutohet pr/ligji per auditimin ne sektorin publik

Gjate-seances-plenare-ne-Kuvend-Foto-Albert-Myftaraj1-525x35020

TIRANË, 22 Tetor/ATSH/.- Kuvendi nisi seancën e së enjtes me shqyrtimin e projektligjit "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik". Fillimisht, seanca nisi rreth orës 10:45, por shpejt u ndërpre nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, për shkak të problemeve të audios në sallën e parlamentit. Pas gati nje ore seanca ka rinisur normalisht me diskutimin e pr/ligjit në fjalë.

Deputeti Anastas Angjeli, i cili mbrojti p/ligjin tha se ai i shërben një menaxhimi më të mirë të fondeve dhe shpenzimeve të institucioneve publike si dhe në shërbime më të mira për qytetarin.

Ndryshimet në ligjin "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik", së bashku me ligjin "Për procedurat tatimore" e ndryshimet në Kodin Penal që po diskutohen në komisonet e përhershme parlamentare, vijoi Angjeli, janë shprehje e vizionit të qartë të qeverisë në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal dhe përdorimin më efektiv të fondeve publike.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi në fjalën e tij, tha se për çdo shtet, çdo përmirësim ligjor është i i rëndësishëm e i mirëpritur, por ligji nuk i shërben këtij qëllimi, pasi sipas tij, ne nuk vuajmë nga korrupsioni për shkak të vakuumit ligjor.

Rendi i ditës i i Kuvendit parashikon gjithashtu ratifikimin e dy marrëveshjeve, asaj mes qeverisë shqiptare dhe japoneze për furnizimin me automjete të gjeneratës së ardhme, miqësore ndaj mjedisit, si dhe marrëveshja e financimit të projektit të fizibilitetit për ndërtimin/rindërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë në zonat rurale, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe KFW-në.
Në seancën e sotme priten sërish debate rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.
/a.s/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama