Kuvend- Seanca vijon me debate

Gjate-seances-plenare-ne-Kuvend-Foto-Albert-Myftaraj1-525x35020

TIRANË, 22 Tetor/ATSH/.- Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë shpejt nga debatet, ndërsa në rend dite është diskutimi i projektligjit "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik'.

Çështja CEZ, që vijon të mbetet pika më e nxehtë e politikës së ditës, po debatohet sërish edhe në seancën e sotme, ku opozita akuzon qeverinë se po tenton të mbyllë hetimin ndërkombëtar për këtë aferë.

Në nisje të diskutimit të pr/ligjit 'Për auditimin e brendshëm në sektorin publik', deputeti socialist Anastas Angjeli, duke mbrojtur draftin e qeverise, tha se ai i shërben një menaxhimi më të mirë të fondeve dhe shpenzimeve të institucioneve publike si dhe në shërbime më të mira për qytetarin.

Ndryshimet në ligjin "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik", së bashku me ligjin "Për procedurat tatimore" e ndryshimet në Kodin Penal që po diskutohen në komisionet e përhershme parlamentare, vijoi Angjeli, janë shprehje e vizionit të qartë të qeverisë në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal dhe përdorimin më efektiv të fondeve publike.

Patozi:Qeveria ka rënë, ajo nuk ngjall më shpresë tek shqiptarët

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në fjalën e tij, tha se për çdo shtet, çdo përmirësim ligjor është i i rëndësishëm e i mirëpritur, por ligji nuk i shërben këtij qëllimi, pasi sipas tij, ne nuk vuajmë nga korrupsioni për shkak të vakuumit ligjor.

Gjatë diskutimit të tij, deputeti demokrat, përmes një gjuhe të ashpër, denoncoi qeverisjen e majtë, duke deklaruar se 'ajo nuk ngjall më shpresë tek shqiptarët".
"Kjo qeveri ka rënë dhe po zvarritet në agoni. Ajo nuk ka rënë prej nesh (opozita), por se nuk mund të jesh edhe shteti, edhe mafia, edhe qeveria edhe korrupsioni. Kjo qeveri ka rënë se ajo nuk ngjall më asnjë ditë shpresë për shqiptarët", tha Patozi.
Kjo situatë, vijoi deputeti demokrat, nuk e zbeh rolin e opozitës në këtë Shqipëri depresive që tkurret nga mungesa e perspektivës. I takon Partisë Demokratike që të marrë flamurin dhe t'i bindë që sot shqiptarët, se ne nuk do të qeverisim asnjë ditë si këta (maxhoranca)", tha Patozi në fjalën e mbajtur sot në parlament.

Rendi i ditës

Krahas pr/ligjit 'Per auditimin e brendshem' rendi i ditës i seances se sotme plenare parashikon gjithashtu ratifikimin e dy marrëveshjeve, asaj mes qeverisë shqiptare dhe japoneze për furnizimin me automjete të gjeneratës së ardhme, miqësore ndaj mjedisit, si dhe marrëveshja e financimit të projektit të fizibilitetit për ndërtimin/rindërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë në zonat rurale, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe KFW-në.
/a.s/ /a.ke/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama