TIRANË, 15 tetor/ATSH/.- Seanca plenare e Kuvendit nisi të enjten me reagimin e deputetëve të opozitës ndaj vendimit të Konferencës së Kryetarëve për mospërfshirjen në kalendarin trejavor të punimeve të nismës ligjore të Partisë Demokratike për lejimin e hetimit ndërkombëtar të çështjes CEZ.
Në deklaratën e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se qëndrimi i mazhorancës dëshmon mungesë vullneti nga ana e saj për të bërë transparencë rreth çështjes, ndërsa rregullorja nuk ka asnjë pengesë në shqyrtimin e saj.
Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se është seanca e tretë që diskutohet hetimi i CEZ-t, ndërkohë që opozita ka marrë përgjigje për të brenda rregullores dhe institucioneve.
"Nëse jeni për një hetim të plotë e të gjithanshëm ndryshoni objektin e hetimit të kërkesës. Por, hetimi ka nisur që dje, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar pikërisht objektin e hetimit të kërkesës suaj. Ju prisni hetimin, kur ai ka nisur nga Prokurori i Përgjithshëm", tha Ruçi.
Drejtuesja e seancës së sotme, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës për mospërfshirjen e nismës së saj në kalendarin në vijim të punimeve, tha se Konferenca e Kryetarëve
diskutoi sot vetëm për kalendarin trejavor dhe jo për programin e punës. "Ndërkohë që çështja CEZ duhet të futet më parë në program dhe pastaj në kalendar", tha Leskaj./a.s/ /a.ke/