Kuvend Berisha Keni thyer embargon e naftes me Iranin. Rama Po ka ndodhur ne kohen tende

Kuvend, Berisha: Keni thyer embargon e naftes me Iranin. Rama: Po, ka ndodhur ne kohen tende

Kuvendi ka nisur paraditen e sotme seancën e radhës plenare. Në fillim të seancës,  kryetari i Kuvendit Ilir Meta bëri të ditur rendin e ditës, ku parashikohet diskutimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, miratimi i një shtese në vendimin e Kuvendit “Për krijimin e komisionit hetimor për hetimin e akuzave për implikim të Forcave të Armatosura në transportin e lëndëve narkotike”, si dhe shpallja e  katër vendeve vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se ka thyer embargon e naftës me Iranin, çka sipas tij përbën një akt tepër të rëndë ndaj dy partnerëve shumë të rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA dhe Izraelit.

Berisha ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar kete shkelje nderkohe qe akuzon qeverine se me heshtjen e saj ndaj kësaj çeshtjeje tregon implikimin e saj.

Rama: Po, fatkeqësisht është thyer embargoja me Iranin, po kjo ka ndodhur ne qeverinë tuaj

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Rama i cili ka pranuar se ka ndodhur thyerja e embargos së naftës me Iranin, por kjo gjë sipas tij, në kohën kur qeveriste Partia Demokratike. Rama ka paraqitur dokumentet doganore që tregojnë për shkeljen 5 herë të embargos me Iranin, të gjitha herët në muajin mars të vitit 2013.

“Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por dhe duke u përpjekur të respektoj paraardhësit. Nuk dua se ajo çka do them, të shfrytëzohet në dëm të Shqipërisë. Më vjen keq për ata që u besojnë dhe shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare. Ndërkohë, publikimet e sotme i përkasin vitin të shkuar. Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë-Thana”, – tha Rama.

Tahiri-Ristani replika për përfshirjen e Didit në vrasjen e pengut grek në ‘99

Videoja e publikuar një ditë më parë në komisionin për lëvizjet në polici nga ana e opozitës, e cila akuzon drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Artan Didi për vrasjen e një njeriu të pafajshëm gjatë pengmarrjes së Flamur Pislit në ’99, është bërë objekt replikash ditën e sotme në Kuvend.

Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka akuzuar drejtorin e përgjithshëm të policisë si vrasës të një njeriu të pafajshëm, çka sipas tij tregon për mungesë  të theksuar profesionalizmi. Sipas Ristanit, Didi duhet të vihet në bankën e të akuzuarve dhe jo të quhet hero siç po bën qeveria.

Pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili ka kërkuar nga opozita që të mos inkurajojë krimin duke hedhur baltë mbi policinë e shtetit ndërsa garantoi se policia do të jetë në krye të detyrës për të vënë drejtësinë në vend, qoftë edhe duke vrarë keqbërësit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama