TIRANË, 12 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi është përfshirë nga debatet për progres raportin e KE-së lidhur me ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, përgjatë 12 muajve të fundit.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ftoi opozitën të bashkëpunojë për reformën në drejtësi, si prioriteti kryesor për hapjen e negociatave. Balla tha se kjo reformë ishte sektori i vetëm për të cilin raporti kishte kritika, ndërsa dokumenti ishte vlerësues për sektorë të tjerë si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, administrates publike, të drejtat e njeriut, etj.
"Ajo që kërkon KE është që palët, domosdoshmërisht dhe bashkarisht, të realizojnë përmes një procesi gjithëpërfshirës, reformën në drejtësi, e cila ka marrë deri tani vlerësimin e të gjitha autoriteteve për mënyrën e draftimit. Bëhuni pjesë e këtij procesi dhe mos e sulmoni pa qënë pjesë e tij. Është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë disa detyra shtëpie për një vendim pozitiv në pranverën e vitit të ardhshëm. Duhen bërë hapa konkretë me miratimin në parlament të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të tjera për reformën në drejtësi", theksoi Balla.
Dokumentin e rëndësishëm të progres-raportit, Balla e konsideroi më të mirin në gjithë këto vite të marrë nga Shqipëria, ku kritika ka pasur vetëm në sektorin e reformës në drejtësi. "Dhe kjo nuk lidhet aq me procesin, se sa me kohën e humbur në kryerjen e kësaj reforme. Ndërsa në gjithë sektorët e tjerë Shqipëria ka bërë progres përgjatë 12 muajve të fundit", nënvizoi ai.
Paloka: Në Evropë nuk shkohet me burg
Në reagim të fjalës së z. Balla, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se sot në Evropë nuk shkohet me burg.
"Rezultati është një "JO" hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe këtë nuk e ndryshon dot askush. Korrupsioni dhe krimi janë futur deri në kupolën shtetërore. Fajtori për këtë është një dhe vetëm një, Edvin Rama, i cili sot iu dha sihariqin e fundit shqiptarëve, u riktheu ligjin e agjitacionit dhe propagandës. Burg, burg, burg, por në Europë nuk shkohet me burg. Burg për fjalën e lirë, burg për ata që nuk kanë bukë të hanë", u shpreh Paloka.
Bregu:Vendi ka mbetur pas me implentimin e prioriteteve kyçe
Kryetarja e komisionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu kundërshtoi në seancën e sotme plenare qëndrimet e përfaqësuesve të maxhorancës për vlerësime pozitive për Shqipërinë në progres raportin e KE-së.Në fjalën e saj, Bregu tha se refuzimi i hapjes së negociatave të anëtarësimit është thelbi i këtij raporti, një tregues ky që vendi ka mbetur mbrapa me implementimin e prioriteteve kyçe.
"Shqipëria nuk ka përmbushur mjaftueshëm asnjë nga ato kritere e detyrime për të filluar këtë proces", u shpreh Bregu. Ajo theksoi gjithashtu se klasa politike shqiptare nuk kishte pse priste publikimin e vonuar të progres-raportit për të mësuar se reforma në drejtësi është e hershme.
"Nuk na duhej progres-raporti as për të na treguar se ndikimi politik mbi organet e ligjit dhe gjyqësorit është shqetësues apo se korrupsioni është ende korrupsion. Gjithashtu, nuk na duhej progres-raporti për të na thënë se, emigracioni dhe numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur në dy vitet e fundit", tha deputetja e PD-së.
Duke u ndalur tek drafti i propozuar së fundi nga qeveria 'për kriminalizimin e shpifjes për zyrtarët', kryetarja e komisionit të Integrimit tha se projektligji 'është hartuar sipas qejfeve të mazhorancës aktuale', dhe synon 't'i mbyllë gojën opozitës'.
Blushi: Drejtësia e politizuar ndëshkon integrimin
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, duke marrë fjalën në seancën parlamentare vuri në dukje se shtyrja e procesit të integrimit për Shqipërinë ka ardhur si pasojë e kriminalizimit të politikës.
"Evropa ka vendosur të na integrojë kështu siç jemi, pa e humbur durimin e vet dhe unë në fakt besoj se kjo është qasja më e drejtë dhe më e përshtatshme për një popull si ne, sepse është më e lehtë që të integrohet një vend kaq problematik sa i joni se sa të lihet një popull të rrjedhi nga pak çdo ditë dhe të pakësohet çdo ditë demokrafikisht deri në pikën që mund të bëhet i paqeverisur. Evropa po bën çdo përpjekje që ka mundësi për të na integruar dhe ne po bëjmë çdo përpjekje për t'u larguar nga Evropa. Dhe në fakt, edhe në Bruskel para dy ditësh kjo ndodhi. Dhe duket sikur në Parlamentin tonë ka dy palë, është një palë që do të bashkohet me Evropën dhe pala tjetër që do të pengojë integrimin dhe megjithëse dy palët ndryshojnë vendet, kjo kahje nuk ndryshon. Dhe në fakt ka vetëm një palë të tretë që humb, dhe kjo palë është pala shqiptare, sepse për faj të trukeve që kemi sajuar prej shumë vitesh në këtë Parlament, për shkak të sajesave proceduriale, integrimi i shqiptarëve veçse është shtyrë dhe nuk mbaron", deklaroi deputeti Blushi.
Blushi tha se vetëm një drejtësi e pavarur mund ta pastrojë politikën dhe e ka cilësuar një truk kushtin e dekriminalizimit të vendosur nga opozita për reformën në drejtësi./a.gjonaj/
/f.n/