TIRANË, 5 Nëntor /ATSH/ - Kuvendi i Shqipërisë po vijon punimet në seancë plenare ku po diskutohet projektligji "Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2014".
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli pasqyroi në diskutimin e saj çdo zë që ka konsumuar buxhetin në dispozicion të dikasterit që ajo drejton, për vitin 2014. Sipas saj, një konsum i konsiderueshëm i është bërë këtij buxheti nga borxhi shumë i lartë i akumuluar ndër vite dhe iI trashëguar nga qeveria paraardhëse".
"Kemi trashëguar një borxh prej 14.3 milionë lekë i akumuluar që nga viti 2008, por i papublikuar, i cili është është shlyer në masën 90% të tij", evidentoi Kodheli.
Ajo tha në Kuvend se ministria e Mbrojtjes ka menaxhuar me efikasitet të plotë buxhetin e 2014-ës, duke përmbushur detyrimet, si në kuadër të FA-së në NATO, ashtu edhe në aspektin e përmirësimit të shërbimit, pregatitjes ushtarake, infrastrukturës, motivimit të personelit, arsimimit dhe trajnimit të tij.
"Një zë i shpenzimeve në këtë buxhet ishte motivimi i personelit dhe arsimimi, ku janë rishikuar pagat në disa sektorë prioritarë dhe janë bërë ndryshime në trajtimin e disa prej profesioneve të vështira. Aktualisht 150 studentë dhe ushtarakë studiojnë në akademitë dhe shkollat më të njohura në botë", tha ajo./m.m/