Kuvend-TahiriOpozita po pengon reformen ne drejtesi

0602-Ministri-i-Brendshem-Saimir-Tahiri-gjate-seances-plenare-ne-Kuvend-Foto-Albert-Myftaraj-565x350TIRANË, 19 Nëntor/ATSH/.-Kuvendi po vijon mes debatesh seancën e sotme, ndërsa në rend dite është diskutimi i Kodit të Etikës së Policisë.Deputetët e opozitës në fjalën e tyre akuzuan përfaqësuesit e maxhorancës për lidhje me krimin. Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha tha se në Shqipëri po sundojnë banditët dhe 'shullazët', të cilët, tha ai, 'nga rruga vendosen në fron', dhe 'i diktojnë çdo gjë atij që sundon e drejton'.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ne reagimin e tij i kërkoi ish-kryeministrit që akuzat e ngritura ndaj përfaqësuesve të maxhorancës të shkojë e t'i denoncojë në Prokurori. Ministri Tahiri tha se me këto akuza Berisha synon të bëjë politikë duke cënuar integritetin moral të deputetëve dhe ministrave të maxhorancës. Por, shtoi Tahiri, nuk është ky modeli.
"Nëse ke merakun që unë jam bandit, që ne jemi banditë, nëse ke merakun që kjo(qeveria) është një organizatë kriminale, pse nuk ke shkuar një herë të vetme në Prokurori. Unë do e bëja në emër të detyrës", iu drejtua ministri Berishes.
Në vijim të fjalës së tij, Tahiri tha se është pikërisht e djathta që kërkon ta pengojë reformën në drejtësi, duke nxjerrë pretekste, ndërsa vizioni i saj për këtë reformë tha ai janë gjyqtarë të korruptuar si Gjin Gjoni.
"Gjin Gjoni është gjyqtari simbol i paligjshmërisë dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë, që gënjen për pasurinë dhe që për këtë ka qënë në ndjekje penale, por që ka shpëtuar nga gjyqtarë që i ke emëruar ti. Një njeri që i ka marrë shpirtin njerëzve në dyert e gjykatave dhe sot mban peng besimin e qytetarëve. Nëse ti i mbron këta ne nuk i duam Gjin Gjonët. Ndryshoni mendim dhe kuptoni se reforma në drejtësi është një detyrim historik që ua kemi shqiptarëve", iu drejtua ministri Tahiri Berishës.

Akuzat e Berishës, Majko:T'i hetojë Prokuroria

Kuvendi po vijon mes debatesh seancën e sotme, ndërsa në rend dite është diskutimi i Kodit të Etikës së Policisë.
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, Pandeli Majko, reagoi ashpër në fjalën e tij ndaj akuzave të Berishes duke kërkuar që për to të hetojë Prokuroria e Përgjithshme.
Fillimisht, në fjalën e tij deputeti Majko tërhoqi vëmendjen për zhvillimin e seancave plenare, për të cilat, tha ai, nuk po respektohet rregullorja parlamentare.
"Kodi i Etikës së Policisë është pika e rendit të ditës për të cilën mund të diskutonim, por ajo që vë re është se rregulloren e ka marrë lumi, po e ka marrë mirë. Këtu (parlament) nuk dihet kush është rendi i ditës dhe koha e të folurit dhe mbi të gjitha nuk po merret vesh si fillon dhe si po mbaron kjo është seancë. Vjen kushdo dhe shan e merr nëpër gojë, ndërsa publikun me të drejtë e ka marrë lemeria nga parlamenti", tha Majko.

Më tej në fjalën e tij, ish-kryeministri me keqardhje tha se ndërsa 'bota sot diskuton për rrezikun e terrorizmit, qeveria shpallet kriminale dhe kryeministri shpallet kriminel'.
"Po mirë o doktor, meqë keni zbuluar gjithë këto fakte me kriminelë dhe me krime jam kurioz pse ky prokuror i përgjithshëm që nuk përmendet në asnjë rast si një njeri që mban përgjegjësi për një opozitë që çdo ditë paraqet fakte, pse nuk vepron Prokuroria e Përgjithshme dhe as Prokurori i Përgjithshëm", iu drejtua Majko Berishës.

Më tej në fjalën e tij deputeti socialist u ndal tek reforma në drejtësi, të cilën tha ai opozita e trajton përmes ligjit të 'dekriminalizimit'.
"Po çfarë është ky ligj? Të ridënojmë ata që janë dënuar një herë. Po këtu bëhen a nuk bëhen pesë vetë që janë dënuar një herë. Por, nuk është kështu, pasi e vërteta është se ne në Shqipëri kemi një sistem të kalbur drejtësie, që është ndërtuar nga ne, nga kjo sallë. Nëse doni të heqim kriminelët ju kemi ftuar edhe ju (opozitën), dhe ne jemi tërhequr duke lënë të flasin vetëm ekspertët ndërkombëtarë. Partia Demokratike të vijë të ulet me ne e të votojë reformën në drejtësi. Mos u hidhni degë më degë", u shpreh Majko në reagim të fjalës së ish-kryeministrit Berisha.

Sulmet në Paris, Kuvendi mban një minutë heshtje

Gjate-seances-plenare-ne-Kuvend-Foto-Albert-Myftaraj1-525x350201Kuvendi i Shqipërisë mbajti të enjten një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave të sulmeve terroriste që goditën Parisin gati një javë më parë.
Në nisje të seancës së sotme kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka propozoi të nderohet kujtimi i 132 viktimave me një minutë heshtje.
"Do të kërkoja që pas aktit të rëndë terrorist që ndodhi në Francë, ku qindra qytetarë francezë ranë viktima të një dhune absurde dhe të palogjikshme, i lutem parlamentit të mbajë një minutë heshtje", u shpreh Paloka.

Paloka:Rama t'i përgjigjet akuzave të ambasadorit amerikan

Kreu i grupit të deputetëve demokratë Edi Paloka, në fjalën e sotme në parlament, kërkoi që kryeministri Edi Rama të vijë në seancë dhe t'i përgjigjet akuzave të ambasadorit amerikan 'për kriminelë që lëvizin të lirë dhe që nuk janë vënë para drejtësisë'.
"Para se flasim për "Kodin e Etikës' së policisë do doja që këtu të vinte kryeministri dhe të përgjigjej për deklarata e ambasadorit amerikan për deputetë të inkriminuar, për ministra dhe gjyqtarë të korruptuar, deklarata që së fundi përmendin me emra kriminelë që janë lënë të lirë dhe nuk janë vënë para drejtësisë dhe me këtë rast akuzat kanë qënë mëse të drejpërdrejta për ministrin Tahiri dhe këtë qeveri. Të gjithë e dinë se Shullazi nuk doli fare para drejtësisë, ndërsa Arben Frroku u la të ikte prej forcave të rendit", deklaroi Paloka.

Në vijim të fjalës së tij kreu i deputetëve demokratë tha se do 'donte të bënte një korrigjim tek deklarata e ambasadorit amerikan, 'se askush nuk është dënuar', pasi në fakt, tha ai, janë dënuar sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe nënkryetari i PD-së, pikërisht se kanë denocuar faktin që kriminelë të tillë po lihen të lirë nga policia, pasi janë miq të ministrit të Brendshëm, që mbrohet nga kryeministri. "Nuk di se çfarë do të bëjë Rama tani, do e hedhë edhe ambasadorin në gjyq për të njëjtat akuza?", shtroi pyetjen Paloka.

Leskaj:Kryeministri është me shërbim jashtë vendit,

Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, që po drejton seancën e sotme, në përgjigje të kërkesës së z. Paloka tha se kryeministri sot është me shërbim jashtë shtetit, por përfaqësuesit e qeverisë janë prezent këtu dhe do t'i përgjigjen për gjithë ditën kërkesave të opozitës.

Pr/buxheti 2016-Kuvendi miraton sot kalendarin e shqyrtimit në komisione

Kuvendi pritet te miratoje në seancen e sotme kalendarin e shqyrtimit ne komisione të projektligjit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2016 dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje me të.

Ligji më i rëndësishëm financiar i vitit mbërriti të martën në parlament. ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani e prezantoi draftin në Konferencën e Kryetarëve.

Punimet e seancës së sotme plenare po i ndjek dhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetë të komisionit për Arsimin dhe Kulturën, i kryesuar nga z. Nait Hasani. /a.s/f.n/(vijon)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama