Ka nisur me momente tensioni seanca e sotme parlamentare, ku pritet të votohet disa ndryshime në ligjin “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”.
Në fillim të seancës, në shenjë proteste ndaj asaj që ata e kanë cilësuar si blerje të votave në Korçë, deputetet demokratë kanë hedhur në sallën e Kuvendit kartëmonedha 20-mijë lekëshe me fytyrën e kryeministrit Edi Rama, në të cilat shkruhej fraza “Unë besoj në blerjen e votës”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, i cili e ka cilësuar sjelljen e deputetëve si jo etike dhe krejtësisht të padenjë. “Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me etikën që duhet të tregojmë. Kjo sjellje për mendimin tim është krejtësisht e pavend dhe e padenjë”,- u shpreh Meta.
Paloka: Blerjen e votave, e kemi denoncuar si fenomen në 23 qershor
Kreu i grupit demokrat Edi Paloka, në fillim të fjalës së tij është përqendruar në atë që e ka cilësuar presion ndaj qytetarëve të Korçës, për tu marrë atyre votat për kryetarin e Bashkisë. Sipas Palokës, ajo që ndodhi në Korçë vërteton akuzat e PD-së për blerjen e votave të 23 qershorit.
“E kemi denoncuar fenomenin në 23 qershor dhe kjo u vërtetua nga pamjet e transmetuara në televizion. Një skemë që dilte po aq e qartë se kishte funksionuar në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit”,- tha Paloka.
Duke iu referuar pr/ligjit “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, Paloka tha: “Sot paraqisni një pr/ligj me të cilin do tu hiqni deputetëve dhe zyrtareve nga 1 litër naftë dhe do të kurseni 1 mln dollarë. Sa vota janë 1 mln dollarë? Kaq para sa do të kursejë kjo qeveri me këtë pr/ligj i harxhuan pak ditë në Korçë, për të vënë nën presion qytetarët e Korçës. Ose 2 mijë lekë dhe votën për PS ose mos guxo të dalësh nga shtëpia sepse nesër mund të futesh në rreth të kuq, mund të të shkatërrohet dhe shtëpia”.
Sipas Palokës, opozita nuk do të lejojë shkeljen e Kushtetutës dhe lirisë themelore të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tij.
“Keni shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe Kushtetutën e këtij vendi, keni shkelur lirinë themelore të qytetarëve shqiptarë. Këto nuk mund të ndodhin jo në një vend që pretendon dhe pret të bëhet pjesë e BE. Këtë ne nuk do ta lejojmë”,- deklaroi Paloka.
Protestë të rinjve para Kuvendit
Një grup të rinjsh kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë duke hedhur kartëmonedha false ku është stampuar fytyra e kryeministrit Edi Rama.
Në shenjë proteste për imazhet e shfaqur në një emision investigativ Fiks Fare të Top Channel, ku shfaqeshin studentë që merrnin 20 mijë lekë të vjetra ditën e zgjedhjeve lokale në qytetin e Korçës, të rinj janë mbledhur sot para oborrit të Kuvendit dhe u kanë ofruar para deputetëve socialistë që po hynin në sallën e parlamentit.