KuvendTahiri-BerishesTe behemi bashke ne luften kunder krimit

- Gjatë diskutimit të marrëveshjes me SHBA-në për kontrollin e narkotikëve -


TIRANË, 23 Korrik/ATSH/.- Kuvendi është përfshirë të enjten nga debatet dhe akuzat e ashpra mes palëve, ndërsa diskutohej marrëveshja me qeverinë amerikane për kontrollin e narkotikëve dhe zbatimin e ligjit.
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe ish-kryeministri Sali Berisha shkëmbyen akuza mes tyre për luftën kundër krimit dhe situatën e rendit në vend, duke fajësuar njërit-tjetrin në periudhat kur kanë qeverisur vendin.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë e majte për favorizim të trafikut të drogës, ndërsa vuri në dukje se megjithë ndërhyrjen në Lazarat kultivimi i narkotikëve është shtuar.
Për këtë situatë Berisha ia ngarkoi përgjegjësinë qeverisë, ndërsa referoi disa shifra të regjistruara gjatë qeverisjes së djathtë, që dëshmojnë, sipas tij, sukseset e mëparshme në luftën kundër drogës.
Në përgjigje të këtyre akuzave, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se qytetarët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes qeverisë së kaluar dhe asaj aktuale. Ai vuri në dukje se në këto dy vjet të qeverisjes së majtë në vend është regjistruar një rënie historike e numrit të vrasjeve. "Shqipëria doli nga harta e vendeve të tranzitit të narkotikëve falë luftës së qeverisë kundër drogës", tha ndër të tjera ministri Tahiri.
Duke replikuar me ish-kryeministrin, ai i kërkoi z Berisha që të heqë dorë nga akuzat dhe shpifjet ndaj deputetëve të maxhorancës, ndërsa e ftoi që të bëhen bashkë në luftën kundër krimit dhe drogës.
"Ju ftoj të lini mënjanë axhendën politike dhe të bëhemi bashkë e të kuptojmë se lufta kundër kriminalitetit, narkotikeve, informalitetit, terrorizmit etj, duhet të jetë një axhendë e përbashkët dhe marrëveshja me qeverinë amerikane është një dëshmi e kësaj", deklaroi ministri i Brendshëm.

Majko:Lufta kundër krimit lidhet me të ardhmen e vendit

Deputeti-i-PS-se-Pandeli-Majko-Foto-ATSH-ARKIV1-526x3501Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, deklaroi të enjten në Kuvend se lufta kundër krimit të organizuar është një çështje që ka të bëjë me të ardhmen e vendit.
Duke marrë fjalën ndërsa diskutohet marrëveshja me qeverinë amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, Majko nënvizoi se partneri ynë SHBA, por dhe BE janë në krah të Shqipërisë e të qeverisë shqiptare në një mision mjaft të rëndësishëm siç është lufta kundër krimit dhe kontrollit të narkotikëve.
Ai i kërkoi kolegëve të opozitës që të jenë seriozë kur parlamenti diskuton një marrëveshje kaq të rëndësishme. "Duhet të jemi seriozë kur diskutojmë marrëveshje të tilla, e cila në thelb është një marrëveshje standarde mes dy vendeve dhe që dëshmon se partneri ynë më i rëndësishëm strategjik, SHBA, do të na jetë në krah në luftën kundër krimit", tha Majko ish-kryeministër.
Nisur nga përmbajtja e projektit, që i shërben forcimit të sektorit të drejtësisë penale shqiptare dhe kapacitetit të saj për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar krimin, deputeti socialist tha se ne sot kemi gjyqtarë apo prokurorë të cilët për të njëjtat krime japin vendime të ndryshme apo për trafikantë kanë dhënë vendime duke i nxjerrë nga burgjet dhe duke i dhënë dënime mininale.
"Ne këtu në parlament mund të miratojmë ligje të mira, por kur ato bien në duar të këqija ligjit humbet. Nuk mund të them sot se Shqipëria ka një sistem të dobë ligjor, por sistemi i drejtësisë pa diskutim duhet të presë dhe të jetë i gatshëm për një reformë thelbësore dhe cilësore", nënvizoi deputeti Majko në fjalën e mbajtur sot në Kuvend.

Pr/ligji "Për turizmin" do diskutohet të hënën në seancë të posaçme

Kuvendi do të mblidhet të hënën, ora 17:00, në një seancë të posaçme për të diskutuar dhe votuar projektligjin "Për turizmin".
Në fillim të seancës së sotme, e parashikuar e fundit për këtë sesion parlamentar, deputetët e opozitës u shprehën kundër diskutimit të pr/ligjit në fjalë, pasi sipas tyre nuk ishte i parashikuar në rend dite.
Pas debateve mes palëve, kryeparlamentari Ilir Meta ndërpreu seancën për të thirrur Konferencën e Kryetarëve, nga ku u vendos me konsensus që projekti për turizmin të shqyrtohet të hënën. "Pas diskutimeve dhe konsultës në Konferencën e Kryetarëve u vendos me konsensus që pr/ligji "Për turizmin" të diskutohet në një seancë të veçantë ditën e hënë, për t'i dhënë kohë deputetëve të opozitës", tha Meta.
Kjo është herë e dytë që parlamenti mblidhet në një seancë të posaçme për të diskutuar një ligj të vetëm.
Dy ditë më parë një tjetër seancë e posaçme iu kushtua pr/ligjit shumë të debatuar "Për arsimin e lartë".

Rendi i ditës i punimeve të sotme të Kuvendit parashikon diskutimin e një numër marrëveshjesh në fushën ekonomike, kryesisht në sektorin energjitik.

Në axhende janë dhe dy pr/ligje që lidhen me ndryshimet në ligjin "Për tatimin mbi vlerën e shtuar' dhe në ligjin "Për procedurat tatimore".
/a.s/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama