Kuvendi i Shqiperise ne procesin e integrimit

Seanca-plenare-ne-kuvend-300x200TIRANË, 26 Tetor/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend, luan një rol kyç në procesin e integrimit europian të vendit, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor dhe politik të këtij procesi.

Monitorimi i procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian në nivel parlamentar dhe mbikëqyrja e zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit janë kompetencë e Komisionit për Integrimin Europian.

Ai u krijua në vitin 2002 si një komision parlamentar ad hoc, ndërsa në vitin 2004, me miratimin e rregullores së re të Kuvendit, mori statusin e komisionit të përhershëm parlamentar.
Nga viti 1992 marrëdhëniet ndërparlamentare mes Bashkimit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë u zhvilluan në vijimësi përmes takimeve dhe shkëmbimeve parlamentare. Këto marrëdhënie u institucionalizuan me ngritjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, pas hyrjes në fuqi të MSA-së.

Ky Komitet, i ngritur në vitin 2010, është forumi i anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, ku zhvillohet dialogu politik në nivel parlamentar dhe ku diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, me fokus të veçantë zbatimin e MSA-së.

Më 8 maj 2015 pranë Kuvendit u ngrit Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, si institucioni më i lartë koordinues kombëtar për integrimin europian. Ky Këshill është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin, që nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron transparencën në vendimmarrje për çështjet e integrimit.

Këshilli Kombëtar monitoron zbatimin e detyrimeve për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian si dhe ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim, pas hapjes së tyre. /a.s/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama