TIRANE, 23 Korrik/ATSH/- Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi këtë të enjtë një sërë ligjesh të rëndësishme ndër të cilat ishte marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit.
Marrëveshja u votua me 92 vota pro, pas diskutimeve të gjata dhe akuzave mes palëve për luftën ndaj krimit në vend.
Gjatë diskutimit për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me SHBA-në për luftën kundër narkotikëve, Rama tha se, lufta ndaj krimit është e pakthyeshme. "Që nga janari e deri më sot të këtij viti Shqipëria ka më pak se 50 për qind të numrit të vrasjeve krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme", tha Rama.
Kreu i qeverisë u shprehur se, "kjo është një shprehje kuptimplotë e procesit ku është futur Policia e Shtetit, që nuk ka përfunduar, por që po jep rezultate".
"Rezultate të cilat kanë sjellë dhe një rritje të mbështetjes së SHBA, BE dhe KE ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Dhe s'ka asnjë dyshim që sot jo vetëm jemi në drejtimin e duhur, por kemi arritur në një kohë të shkurtër rezultate që 20 muaj më parë ishin të paimagjinueshme", tha Rama.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë e majte për favorizim të trafikut të drogës, ndërsa vuri në dukje se megjithë ndërhyrjen në Lazarat kultivimi i narkotikëve është shtuar. Për këtë situatë, Berisha ia ngarkoi përgjegjësinë qeverisë, ndërsa referoi disa shifra të regjistruara gjatë qeverisjes së djathtë, që dëshmojnë, sipas tij, sukseset e mëparshme në luftën kundër drogës.
Me shumicë votash, Kuvendi miratoi edhe një sërë marrëveshjesh ekonomike, ndër të cilat marrëveshja me qeverinë gjermane për projektin "Program për sektorin e ujit/program për furnizimin e zonave rurale me ujë III", marrëveshja e huasë pre 40 milionë eurosh me KfW në mbështetje të projektit "Efiçenca Energjetike - Programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike", si dhe marrëveshja prej 20 milionë eurosh me KfW për programin "Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit".
Me 93 vota pro Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin "Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë' të ndryshuar, ndërsa ndryshimet në ligjin "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" të ndryshuar" u miratuan me 91 vota pro.
Projektvendimi "Për propozimin e masës së shpërblimit mujor fiks të anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar" u miratua e 91 vota pro.Ndërsa shtesat në ligjin "Për dhënie amnistie" u miratuan me 96 vota pro.
Ndërsa ndryshimet në Kodin rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe pr/ligji për turizmin pritet të miratohen në seancën e radhës plenare, ditën e hënë ora 17.00./a.gjonaj/ /a.g/