-Ministri Cani: Audit kontratave koncesionare-
TIRANE, 29 Tetor/ATSH/- Kuvendi miratoi të enjten dy marrëveshjet e parashikuara në rendit e ditës.
Me 100 vota pro, Kuvendi miratoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së konsulencës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare" , ndërsa me 97 vota pro dhe 2 kundër, p/ligjin "Për një shtesë në ligjin nr.74/2015, "Për miratimin e marrëveshjeve, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive "S2 Albania", sh.p.k. dhe "Rapiscan Systems", inc, "Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve" dhe "Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.123/2013", si dhe të tarifës së shërbimit të skanimit".
Cani: Audit kontratave koncesionare
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani premtoi hetim të të gjitha kontratave koncesionare që po zbatohen aktualisht në vend.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit ku u diskutua për disa ndryshime në marrëveshjen me kompaninë e skanimit në dogana "Rapiscan", ministri Cani u shpreh se me disa prej kompanive, qeveria është në fazën e rinegociimit të marrëveshjeve.
Më pas , tha ai, zbatimi i të gjtha kontratave koncesionare do të auditohet. Reagimi i ministrit Cani erdhi pas dyshimeve të ngritura nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe mbi shitjen e 49 % të aksioneve për vetëm 490 lekë.
"Unë dyshoj se si 49% të aksioneve të një biznesi prej 360 milionë eurosh minimumi të jenë shitur për 490 lekë të reja. Unë dua të hetohet ky transaksion, pasi dyshoj për mashtyrim të rëndë fiskal", tha Braçe.
Një tjetër koncesion që sipas Braçes nuk ka asnjë të mirë për buxhetin e shtetit, por vetëm që dëmton qytetarin, është koncesioni i skanimit të automjeteve.
Por ministri i Financave rikujtoi se marrëveshjet janë të miratuara me ligj dhe se hapi i parë për rregullimin e tyre është rinegociimi.
Ndryshimet e fundit të kontratës me kompaninë "Rapiscan" lehtësojnë më tej sipërmarrjen nga koncesioni i shumëpërfolur i skanimit. Sipas marrëveshjes së arritur me kompaninë "Rapiscan", biznesi fason do të përjashtohet nga pagesa 22 euro për skanimin si në importin e lëndëve të para, ashtu edhe kur eksporton produktin të gatshëm. Veç fasonëve përjashtohen nga pagesa edhe një sërë kategorish të tjera.
Së pari janë mallrat e vendosura në regjim tranzit. Së dyti janë mallra që dalin nga regjim i magazinimit doganor drejt një destinacioni tjetër doganor, por me përjashtim të rieksportit. Së treti janë mallrat që hyjnë në magazinat e lira dhe gjithashtu dhe mallrat që dalin nga magazinat e lira me procedurë rieksporti.
Sipas ministrit të Financave, në total janë mbi 150 mijë deklarata doganore që do të përjashtohen me një lehtësim total për biznesin prej 4 milionë euro, të cilat do të përballohen nga buxheti.
Në përfundim të seancës, kryesuesja e seancës, Valentina Leskaj njoftoi se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar deputetin Andrea Marto si anëtar në Komitetin për Stablizim Asociimit. /a.gjonaj/ /a.g/