Kuvendi perfshihet nga debate te ashpra

Gjate-seances-plenare-ne-Kuvend-Foto-Albert-Myftaraj1-525x350201TIRANË, 5 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Seanca plenare e Kuvendit po vijon me akuza dhe debate të ashpra mes deputetëve të të dyja palëve, ndërsa në rend dite është diskutimi i pr/ligjit "Për krijimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile".

Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministër Sali Berisha, në fjalën e tij e konsideroi hipokrizi pr/ligjin në fjalë, pasi sipas tij, shoqëria civile në Shqipëri është pothuajse inekzistente. Më tej, Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë se majte për abuzime dhe vjedhje me tenderat publikë, duke u ndalur tek blerjet e makinave për zyrtarët. Po vidhet masivisht dhe nuk po bëhet asnjë punë publike, nënvizoi ish-kryeministri.
Akuzave të Berishës iu përgjigj kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili i tha se ishit ju që abuzuat për tetë vite në qeverisjen tuaj.

Ministri Beqaj i kërkon ndjesë publike për fyerjet deputetes Deda

Pas ndërprerjes prej gati një ore seanca plenare e Kuvendit rinisi punimet me ndjesën publike të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, kundrejt deputetes së Partisë Demokratike, Albina Deda, pas përplasjeve dhe toneve fyese mes tyre të shkaktuara nga çështja e trajtimit shëndetësor të një fëmije 10-vjeçar, të sëmurë rëndë.
"I kërkoj ndjesë znj. Deda për fjalët e pahijshme dhe fyerjet gjatë seancës, pak më parë. Sigurisht, janë fjalë që nuk duhet të përdoren nga askush aq më shumë nga ne që kemi marrë përsipër të mbajmë funksione të larta publike, por me sa duket dhe unë njeri i gjallë jam. Unë do të shpresoj që kjo ndjesë publike të mund të vlejë që ndoshta në ditët në vijim të mund të përdorim reciprokisht sa më pak fyerje dhe ofendime, që diskutimet të shkojnë në rrjedhë normale kur shfaqen raste të tilla. Zonja Deda ju kërkoj ndjesë", deklaroi ministri Beqja.

Beqaj replikon me opozitën, ndërpritet seanca

Rasti i sëmundjes së një fëmije 10 vjeçar, i cili ka nevojë për një transplant mëlçie, ka shkaktuar përplasje të forta në sallën e Kuvendit mes ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe deputetes së Partisë Demokratike, Albina Deda. Debatet dhe replikat me tone fyese mes tyre detyruan drejtuesin e seancës, nënkryetarin e Kuvendit, Edmond Spaho, që të ndërpresë punimet për dhjetë minuta.
Gjatë diskutimit të saj, deputetja demokrate ngriti shqetësimin për fëmijën e sëmurë, për të cilin fajësoi ministrinë e Shëndetësisë që nuk është angazhuar në trajtimin e rastit të tij jashtë vendit.
Në përgjigjen e tij, ministri Beqja shpjegoi rastin, duke deklaruar se që nga nëntori 2014 strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë marrë me këtë rast që është një sëmundje shumë e rrallë, por ende nuk po munden të sigurojnë një organ të plotë pasi transplanti i mëlçisë nuk mund kryhet i pjesshem.

"I jemi drejtuar institucioneve të huaja shëndetësore që kanë eksperiencë në të tilla raste dhe është fjala për të realizuar një transplant të plotë të mëlçisë, që do të thotë se duhet te kemi organin për të bërë transplantin. Mëlçia është organi i vetëm i trupit dhe ky rast nuk zgjidhet me transplant të pjesshëm, pra duhet të jetë organi, që ende nuk e kemi siguruar", sqaroi Beqja.

Ai theksoi se qe nga nëntori 2014 familjarët janë njoftuar në vijimësi për përpjekjet e MSH-se, dhe ende nuk kemi hequr dorë. Po vazhdojmë të kontaktojmë me Kroacinë por ende nuk ka një mundësi për gjetjen e organit të mëlçisë. Pra, në këtë rast nuk është çështje parash, përsëriti ministri.
Shpjegimet e tij janë pasuar nga reagimi mjaft i ashpër i deputetes Deda, e cila, me tone të rënda fyese e ka akuzuar ministrin për mungesë vullneti në trajtimin e sëmundjes së 10-vjeçarit. Më pas, Beqaj po ashtu, ka përdorur një fjalor ofendues karshi deputetes, duke çuar në ndërperjen e seancës nga nënkryetari i Kuvendit, Spaho. Seanca ende nuk ka rinisur, ndërsa është mbledhur Byroja Parlamentare për të marrë masa ndaj shkaktarëve të incidentit të sotëm në parlament.

Byroja është organi kolegjial që ndjek dhe vendos për çështjet administrative dhe funksionimin e brendshëm të Kuvendit. Ajo drejtohet nga kryetari i Kuvendit dhe përbëhet nga zëvendëskryetarët e Kuvendit, 2 sekretarët për buxhetin e Kuvendit dhe 4 sekretarët e tjerë.

-Diskutohet krijimi i Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile

Kuvendi nisi të enjten punimet e seancës plenare me diskutimin e projektligjit "Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile", një strukturë këshillimore e autonome pranë qeverisë, e cila do të garantojë bashkëpunimin institucional me organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, në dobi të zgjerimit të demokracisë dhe konsolidimit të qeverisjes së mirë.Në hapje të diskutimeve për këtë pikë të parë të rendit të ditës, deputetja e Partisë Demokratike (PD), Majlinda Bregu u shpreh në mbështetje të nismës ligjore, duke e konsideruar 'një instrument të ri bashkëpunimi mes qeverisë dhe shoqërisë civile', që i kontribuon përmirësimit të marrëdhënies mes tyre.

Por, shqetësimi i deputetes Bregu lidhej me aksionin e shoqërisë civile, të cilin e konsideroi 'të atrofizuar'. "Struktura të ngjashme ekzistojnë edhe në rajon dhe këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por shoqëria civile është tjetër gjë dhe aksioni i saj janë tjetër gjë. Sot shoqëria civile në Shqipëri ka një problem të madh pasi kam bindjen se reagimi civil është një atrofi dhe po ashtu edhe pjesëmarrja civile", tha deputetja Bregu. Aksioni civil, shtoi ajo, është i pamjaftueshëm dhe i mangët në përmbushje të misionit të saj për t'i dalë në krah parimeve të lirisë. Ndaj duhet forcuar dhe i duhet dhënë hapësirë reale, të cilën nuk ia jep vetëm ligji, por ia jep pavarësia, theksoi ajo.
Në reagim të deklaratave të deputetes Bregu, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, fillimisht vlerësoi nismën e qeverisë për krijimin e Këshillit Kombëtar, duke e konsideruar një model të munguar dhe një mundësi më shumë për përfshirje të shoqërisë civile. "Ne nuk kërkojmë ta fusim në sqetull shoqërinë civile, por duam ta kemi një partner social dhe real, e cila duhet të japë mendimin e saj të pavarur", tha ministri Klosi.
Sa i takon shpërndarjes së fondeve, ai solli në vëmendje projektet nga tetori 2010-2013(periudha e qeverisjes se PD), te Agjencise për Mbrojtjen e Shoqërisë civile (AMSHC), ku fondet e adresuara ishin të përqëndruara në pak duar. "Fondet e AMSHC-së ishin të përqëndruara vetëm në pesë organizata, anëtarët e të cilave ishin të lidhur me pushtetin që ju përfaqësonit në atë kohë", iu drejtua ministri Klosi, deputetes Bregu. /a.s/ /a.ke/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama