TIRANË, 15 Tetor/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama është thirrur të enjten në një interpelancë në Kuvend, me kërkesë të deputetit dhe kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, lidhur me prishjen e kishës së Dhërmiut nga forcat e Inpektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Kërkesa për interpelancë e kreut të PBDNJ-së, e depozituar në Kuvend që më 18 shtator dhe e shtyrë në kohë për shkak të angazhimeve të kryeministrit, kërkon shpjegime nga kreu i qeverisë në lidhje me bazën kushtetuese dhe ligjore të aktit të shembjes së kishës Orthodhokse të Shën Thanasit në Dhërmi, nga Bashkia Himarë, me 26 gusht 2015.
Seanca e sotme plenare ka një rend dite të ngjeshur, pasi përfshin axhendën e mbartur të seancës parardhëse, e shtyrë për shkak të ndeshjes Shqipëri-Serbi, por dhe të seancës së radhës.
Krahas pr/ligjit "Për pensionet suplementare të punonjësve të universiteteve dhe institucioneve kërkimore", pr/ligjit "Për barnat" dhe atij 'Për menaxhimin financiar dhe kontrollin", seanca e sotme ka në axhendë pr/ligjin "Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese", atë "Për inspektimin financiar publik", "Për Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar", etj./a.s/ /a.ke/