TIRANE, 6 Nëntor /ATSH/- Kuvendi vazhdon punimet në seancë plenare ku deputetët po debatojnë lidhur me projektligjin për buxhetin faktik të vitit 2014.
Seanca ka nisur në orën 11.00 të së enjtes e vijon ende ndërsa ora shënon 00.20 pas mesnate.
Seanca u shoqërua me akuza dhe debate të ashpra mes deputetëve të të dyja palëve.
Fillimisht deputetët e mazhorancës dhe opozitës debatuan lidhur me pr/ligjin "Për krijimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile". Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministër Sali Berisha, e konsideroi hipokrizi pr/ligjin në fjalë, pasi sipas tij, shoqëria civile në Shqipëri është pothuajse inekzistente. Më tej, Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë se majte për abuzime dhe vjedhje me tenderat publikë, duke u ndalur tek blerjet e makinave për zyrtarët.
Akuzave të Berishës iu përgjigj kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili i tha se ishit ju që abuzuat për tetë vite në qeverisjen tuaj.
Gjithashtu, edhe zhdukja e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha në vitin 1995 u bë pjesë e debatit në Kuvend. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, i kërkoi ish-kryeministrit Sali Berisha që të tregojë se ku fshihen eshtrat e biznesmenit të vrarë 20 vjet më parë.
Braçe gjithashtu i kërkoi ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri që të mundësojë esktradimin nga Anglia të Ilir Kumbaros, i shpallur fajtor për zhdukjen e biznesmenit dhe që të kthehet e të vuajë dënimin në Shqipëri.
Në reagimin e tij, ministri Tahiri tha se Ministria e Brendshme nuk ka më hapësirë për të gjetur përgjegjësi ligjore të shtuar për atë ngjarje.
Diskutimet lidhur me buxhetin faktit te 2014, nisen rreth orës 16 të pasdites se enjte ku kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën për shpifje lidhur me mënyrën e shpenzimeve të buxhetit të shtetit për këtë vit. Me gjuhën e shifrave, Rama bëri krahasime të shpenzimeve të bëra prej tij, me ato të bëra nga paraardhësi i tij në detyrë, duke konkluduar në diferenca të theksuara në "favor" të ish kryeministrit.
Rama akuzoi për shpenzime të paimagjinueshme ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli duke shtuar se "se në tetë vite Topalli ka shpenzuar mbi 200 mijë dollarë për udhëtime jashtë vendit dhe 160 mijë dollarë për shpenzime për udhëtimet brenda vendit".
Ndërsa kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka u shpreh se "të krahasohet me Berishën ndërkohë që të shkoje me Berishën në delegacion brenda ditës mbaroje vizitën zyrtare. Kur të vijmë ne nuk do të keni mundësi të qeshni më, do të jepni llogari për çdo qindrakë dhe një më një për çdo shkelje"./a.g/