“E pamundur!!”. Në fakt këtë thamë të gjithë, kur, në një nga ato bisedat kot për kurizozitet të të thënit, retorikisht u pyet: “A ka tek ne njerëz që nuk përdorin telefon celular...?”. E nuk e kishim aspak fjalën për fëmijët, gjyshet e urta, apo tetot që e kalojnë ditën duke shpikur receta të reja glikosh... Teza-hipotezë ngrihej për njerëz të integruar me punë e jetë të përditshme tepër aktive. Ishte pikërisht kështu që lindi dhe ideja për shkrimin. U ndjemë një fraksion momenti të gjithë si ujq të vetmuar me një listë të gjatë miqsh në telefon. Askush s’mund të jetojë tani pa celularin, sidomos tani, kur pothuajse të gjithë mbajnë nga dy e nga tre të tillë. Të ketë të mbijetuar vallë, në një vend si Shqipëria, që vanitetin e ka “10” e protagonizmin “100”...?!
Pasi e morëm seriozisht këtë “gjëegjëzë”, natyrisht që morëm parasysh edhe sorollatjet. Gjithmonë duke besuar se “rastësia është mbreti i fatit”, në ditët në vazhdim pyetëm kë na doli përpara mes turmës së të njohurve, plot 64 vetë, që u përgjigjën “ncuq” për veten dhe gjithë ç’mund të njihnin ata vetë. Natyrisht që të gjithë kishin përgjigje për fëmijë, gjyshe të urta apo teto shtëpiake që shpiknin receta të reja glikosh, por askush nuk njihte një të rritur, të vaksinuar e të integruar që nuk e përdorte celularin.
Pastaj...
Pastaj qëlluam në një drekë pune. Nga ato që nisin seriozisht, me letra përpara, e përfundojnë me “thashetheme” të vogla (të padëmshme). Dhe ishte pikërisht këtu, kur zbuluam personazhet tanë, personazhe publikë, shumë publikë, madje. Përafërsisht, ata, kanë lindur të tre në fund të gjysmës së parë të shekullit të fundit të mijëvjeçarit të parë. Sigurisht që nuk është vetëm kjo që i bashkon e as eliksir i lumturisë së tyre teksa kanë zgjedhur të tre t’i lejojnë vetes luksin e të mos pasurit një aparat celular. Po, po, LUKSIN. Për të punuar më qetë, për ruajtur të pacenuar mendimin e bukur, për të shijuar ditën e tyre pa ndërprerje, pse jo, edhe për një shëndet më të mirë. Mund t’i kini edhe zili po të doni.
Ata janë regjisori Ylli Pepo, neurokirurgu i njohur Mentor Petrela dhe, deri para katër vitesh, publicisti dhe përkthyesi Edmond Tupe. I kanë thën “Jo” kësaj “robërie”, dhe nuk janë të vetmit, ju garantojmë, janë vetëm ata me të cilët ne mundëm të kontaktonim. Sepse kjo ishte pjesa më e vështirë e gjithë “gjëegjëzës”. Ti gjeje. Po si? Duke mos pasur një telefon celular, ku t’i kërkoje e me mirësjellje të lije një takim...?! Po ja që zakoni i të përditshmes së tyre tepër profesionale e do të jenë besnikë të vendeve të tyre të punës, apo qoftë edhe ambienteve që i rrethojnë. Prandaj nuk qe dhe aq e vështirë sa c’na u duk në fillim. Veç kësaj, ata kanë edhe numrat e telefonit fiks në shtëpitë apo studiot (numra të vërtetë, jo si numrat e kryetarëve të partive të vogla), me të cilët raporti iu vete vaj.
Ylli Pepo: Të rropatesh me një vegël në vesh
“Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë më mbushet mendja që kam bërë punën më të mirë dhe ndihem akoma më i lumtur sa herë shikoj njerëzit që rropaten me këtë “vegël” në vesh. Ndihem kaq në paqe me veten time...”. Dhe duket vërtetë në paqe me veten regjisori, teksa gjerb i qetë dekafeinaton e tij. Ai nuk është teknofob, përkundrazi, i do aparaturat e kohës, i pëlqejnë zhvillimet në elektronikë, por për fat të mirë, apo të keq, celularin nuk e quan aspak të tillë. “Celulari është robëri. Është polic i vetvetvetes. Je gjithë kohës në një kontroll të vazhdueshëm dhe është e kotë të kesh ndijesinë se dikush po të përgjon së jashtmi, sepse përgjuesi më i mirë dhe më i tmerrshëm është pikërisht celulari yt. Sepse fjala e parë që dëgjon kur të marrin në celular është “Ku je?”. Kjo “ku je?” është shumë e shëmtuar.”. Për Pepon, mungesa e celularit është edhe higjienë psikologjike. Ai ka mbajtur celular vetëm dy ditë në jetën tij. “Na i dhanë, me “zor”, këtu në TVSH. I mbaj mend si sot. Ca të stërmëdhenjë si radio dore, ndër të parët që u shpërndanë nëpër administrata. Pas dy ditësh e refuzova. Dukej sikur do të të zgjidhte ndonjë nevojë, por menjëherë mbas 48 orësh e kuptova që më shumë se sa nevojta e tua, zgjidhte nevojat e të tjerëve. Sepse askush nuk të merr për punët e tua, të gjithë të marrin për të tyret”.
Si për të balancuar gjithë sa më sipër, në një kapitull të dytë të bisedës tonë, ai e zbut këndvështrimin dhe pranon se me gjithë “të metat”, celulari është një mjet i mrekullueshëm për dashurinë. “Nëqoftëse do isha i ri do të kisha katër telefona, nga një në çdo xhep. Dëgjon zërin që të është më i dashuri në botë dhe merr apo dërgon një mesazh të shkruar bukur, spontan”.
Mentor Petrela: As Stendali s’kishte celular!
U lidhëm me telefon edhe me neurokirurgiun e njohur Mentor Petrela. Ne nga celulari e ai nga zyra. Në fakt, prisnim një shpjegim më radikal të këtij “divorci” të pakthyeshëm të tijin me celularin, por jo. Megjithë “sepsetë” e tjera, edhe për doktorin, arsyeja kryesore mbetet subjektive. Ky aparat nuk cenon vetëm privatësinë, ai prish mendimin, sidomos mendimin e bukur. “Është një zgjedhje fare e natyrshme.
Më ndihmon të punoj më rehat para së gjithash. Jam më i qetë kështu e çdo njoftim apo kërkesë e mundshme kalon përmes sekretarisë që më komunikon gjithçka që lidhet me punën dhe aktivitetin tim. Celulari është i nevojshëm, apo më saktë i domosdoshëm, në punën e një biznesmeni, të një politikani, të një punonjësi burse, por jo për mua. Natyrisht që unë nuk jam teknofob, por nuk mund të bëhesha as dipendent ndaj këtij mjeti”. Doktor Petrela ka mbajtur celular vetëm pak ditë në jetën e tij, vetëm atëherë kur bënte punime në shtëpi, e si merakli nuk mund t’i rrihej pa komunikuar vetë në çdo moment me ustallarët.
Por nuk është vetëm kaq. Edhe pse nuk thirret me zë të lartë nga specialistët, si “tolerancë” për një anti-marketing ndaj kompanive celulare, ai nuk e mohon që valët e aparatit janë të dëmshme për sistemin nervor. Por le t’ia lemë këtë hipotezës, mbase të gjithë do parapëlqenim që kjo të mos qe e vërtetë. Sepse për neurokirurgun, arsyeja kryesore mbetet deri në fund prishja e mendimit të brendshëm.
Zëri matanë qesh e luan me batutën e rastit. Duket që e ruan mendimin e tij të brendshëm, sepse nuk ndërton aspak një dialog të ngurtë. “ Dreqi ta hajë, Ajnshtajni nuk kishte celular, as Stendali nuk kishte... Dhe unë rri e pyes se si do të ishte “Krim dhe ndëshkim”, apo “Madam Bovari”, nëse dhe në atë kohë do të kishte celular...?!.
Shpresoj të mos ndjell përbuzje për përdoruesit e celularit, por gjithësesi do ti përmbahem Chateaubriant “Duhet ekonomizuar përbuzja se janë të shumtë ata që kanë nevojë për atë”.
Edmond Tupe: Të saboton kur je duke bërë seks
Për përkthyesin dhe publicistin e njohur Edmond Tupe, ditët e lirisë kanë përfunduar qysh katër vjet më parë. Tani ai jo pa keqardhje pranon se është mbërthyer nën këtë qerthull “robërie” që e konsideron një të keqe të domosdoshme. Ishte një zgjedhje e detyruar në fakt ajo që kapitulloi atë, zgjedhjen e parë, të dëshiruarën, për të mos pasur asnjëherë një aparat celular. Burim ankthi, sabotues i paskrupullt i mometeve të dashurisë, hajdut... Kaq, e më zi akoma është për Edmond Tupen celulari. Por një e keqe e domosdoshme ama, sepse i duhet të jetë gjithmonë alert për shëndetin e të birit, i cili vuan nga një sëmundje e përherëshme.
“Më kujtohet si tani, kur nëna ime, ndjesë pastë, ishte shumë sëmurë, kur binte celulari unë dridhesha i gjithi. Kur fillon e bëhet zakon, je gjithë kohës në pritje dhe ky “mik” fillon e bën vend poshtë jastëkut. Unë kam një djalë të sëmurë me autizëm, e nuk mund të zgjidhja të mos e mbaja më. Duhet të jem gjithë kohës në kontakt me familjen time e të shuaj merakun për të në çdo moment. Prandaj për mua mbetet mbi të gjitha një burim ankthi. Por edhe për të tjerë, që nuk kanë hallin tim, mendoj se është një sabotues i pa skrupullt.
Ti je për qejfin tënd, je duke bërë dashuri dhe ke investuar pafund emocion në ato momente, ke arritur aty me shumë art, kur, fare papritur, ndërhyn ky, faktor i jashtëm i urryer, që të ndërpret gjithçka dhe s’bëhet fjalë të të kthejë atje ku të gjeti.”. Qeshim me të madhe, por ai nuk është fare duke bërë një batutë, si zakonisht e kemi dëgjuar. Ky aparat i vogël që i është bërë pjesë e jetës, i ka prishur shenjtërinë e gjumit të drekës, i shëmton bukurinë e festave të fundvitit, e grabit... “Për Vit të Ri, t’i mblidhesh me njerëzit e tu më të dashur, do të festosh, të gëzosh, të hash, të pish, po ndërkaq që në orën 8 të mbrëmjes dhe deri në 8 të mëngjesit tjetër e të tjetrit më pas, vazhdojnë të vijnë pafund mesazhe urimi. Si njeri korrket e dashamirës ti duhet t’u kthesh përgjigje falënderimi e urimi të gjithëve. E kështu të shkon gjithë festa duke shkruar sms.”.
-Ju po incizoni tani?
-Po.
-Ja një tjetër pabesi e celularit. Sepse po të isha beqar, unë mund t’iu bëja juve një deklaratë dashurie dhe kjo e gjitha regjistrohet dhe nga private kthehet në publike. I kanë krijuar mundësitë kompanitë celulare edhe të regjistrimit të bisedave. E kanë bërë për kriminelët thonë. Po unë që s’jam kriminel?! Pse unë, që jam një shqiptar i ndershëm, i butë, komunikativ, i dashur, duhet të regjistrohem?! Mua më dhunohet intimiteti im!