Ky eshte belgu qe i dha te dashures shqiptare 1 mln euro

Ky eshte belgu qe i dha 'te dashures' shqiptare 1 mln euro

Ky është Eric Nyssens, shtetasi belg që i dhuruar “të dashurës” së tij shqiptare rreth 1 milion euro. Me profesion infermier në Bruksel ai ka transferuar 850 mijë euro tek llogaria e  Rovena Kalemit.

Këto para ajo ka deklaruar se i vinin nga i dashuri i saj belg, me të cilin ajo pohonte se do të martohej së shpejti, por nga hetimi rezulton se këta shtetas nuk e justifikojnë burimin e kësaj shume parash. Duke dyshuar për origjinën e këtyre parave, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi konfiskimin e mbi 850 mijë eurove në llogaritë bankare të Rovena Kalemit dhe mikut të saj, Bledar Coraj, i cili po ashtu rezulton të jetë i papunë.

Prokuroria për Krime të Rënda, e cila është struktura përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”, ka marrë informacionin nga ana e Prokurorisë së Durrësit se në llogaritë të Rovena Kalemit dhe Corajt, gjatë vitit 2014, janë kryer disa transferta, të cilat shkonin mbi 1 milion euro. Sapo është marrë ky informacion, Prokuroria e Durrësit ka marrë miratimin në gjykatë për sekuestron preventive, pasi kjo shumë parash kishte burim të dyshimtë në momentin e parë. Duhet thënë se hetimi për pastrim parash nis sa herë që ka transferua bankare më shumë se 100 mijë lekë. Çdo lëvizje bankare apo akt noterial sipër kësaj shume referohet te Drejtoria e Pastrimit të Parave.

Në momentin e vendosjes së sekuestros, rezultoi se shtetasja Kalemi ka tërhequr rreth 300 mijë euro dhe në llogaritë e saj gjendeshin rreth 850 mijë euro, të cilat u bllokuan. Pas vendosjes së sekuestros dhe mungesës së shpjegimit të burimit të ligjshëm të këtyre parave, Prokuroria e Durrësit e kaloi për kompetencë çështjen në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila kërkon konfiskimin e sasisë së parave.

Pas vendosjes së sekuestros së shumave bankare në bankë, janë paraqitur më datë 5dhe 6 nëntor 2014 dhe në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës Rovena Kalemi dhe shtetasi belg Eric Marie Nyssens, të cilët kanë dhënë deklarime lidhur me rastin e transfertave në fjalë. Të dy këta shtetas kanë pohuar se janë bashkëjetues me njëri-tjetrin në një banesë në Bruksel dhe se më datë 7 nëntor 2014 do të martoheshin në Zyrën e Gjendjes Civile, Komuna Xhafzotaj, Shqipëri. Ata kanë shpjeguar se njihen midis tyre që prej një viti dhe arsyeja e transfertave nga Eriku drejt shtetases Rovena Kalemi ka qenë pikërisht për faktin e bashkëjetesës midis tyre dhe me qëllim të blerjes nga Rovena të një shtëpie të mirë dhe për të hapur një biznes si restorant apo ndonjë supermarket.

Të pyetur në lidhje me faktin e sigurimit të shumave të tilla, ata kanë shpjeguar se Eriku i ka përfituar nga shitja e aksioneve që ai ka patur në disa shoqëri në Bruksel, të cilat kanë si objekt veprimtarie – telekomunikacionin, supermarket, farmaci etj. Këto aksione shtetasi Erik i ka trashëguar nga prindërit e tij. Shtetasi Eric Nyssens ka shpjeguar gjithashtu se ai është në profesion infermier pranë azilit të pleqve që quajtur “Home Saint Joseph” me adresë në Bruksel.

Në lidhje me transfertën prej 465,000 euro të transferuar nga shtetasi belg Eric Nyssens drejt Rovena Kalemit nëpërmjet shtetasit Bledar Coraj, nga deklarimet e shtetases Rovena ka rezultuar se kjo është bërë për shkak se nuk kishte llogari të hapur. Shtetasin Bledar Coraj, shtetësja Rovena ka deklaruar se e ka shokun e ish të dashurit që nuk jeton më.

Sipas prokurorisë gjatë kohës që këto llogari bankare kanë qenë nën sekuestro preventive, Rovena Kalemi dhe Eric Nyssens nuk kanë paraqitur asnjë provë dokumentare për të provuar ligjshmërinë e burimit të këtyre parave. Në bazë të ligjit “Antimafia”, barra e provës për pasuritë e krijuara u takon personave të dyshuar për “pastrim parash”. Në këtë kuadër, Prokuroria e Durrësit dërgoi për kompetencë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda materialin, me qëllimin konfiskimin e saj.

Lëvizjet e parave

Shtetasi Eric Nyssens, nëpërmjet një avokati ka paraqitur në Prokurorinë e Durrësit një kopje të dokumentit që tregon transfertën e kryer më datë 7 gusht 2014 nga llogaria e tij në Belgjikë drejt llogarisë së shtetasit Bledar Coraj në Shqipëri të shumës prej 300 mijë euro dhe të transfertës së kryer më datë 16 shtator 2014 nga llogaria e Eric Nyssens në llogarinë e Rovena Kalemit të shumës prej 800 mijë euro. Nga të dy këto dokumente rezulton se transferimi është kryer nga llogaria e shtetasit Eric Nyssens në bankën “BNP”. Gjithashtu shtetasi Eric Nyssens ka sjellë edhe një kopje të disa kërkesave dhe mandateve burse të vlerave të ndryshme të datës 09 shtator 2014, për llogarinë në emër të shtetasit Eric Nyssens.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama