Ekonomia pësoi një bum të vërtetë, ndërkohë që kulturat e të ardhurve filluan të integrohen me njëra-tjetrën. Qyteti i vogël u bë me teatër, opera, shëtitore, dyqane luksoze, hotele, vila e pallate. Porti u zgjerua jo vetëm për anijet ushtarake që vinin nga lindja e perëndimi, por edhe për anijet ushtarake që ndërtoheshin njëra pas tjetrës. Për shkak të arsenalit detar ushtarak, La Spezia u bombardua krejtësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. U deshën vite për të rifituar shkëlqimin e dikurshëm. Sot La Spezia është jo vetëm një qendër ushtarake detare, por edhe një qytet turistik e detar, në kufi me Cinque Terre-n, zemrën turistike më në zë të Italisë. Ashtu si dikur, La Spezia mbetet një qytet i hapur për të gjithë, i dashur e mikpritës për të huajt. Ndoshta ky është shkaku pse shumë shqiptarë janë stacionuar në këtë cep të Italisë së veriut, gati-gati në kufi me Francën. NJE SINDIKATE SHQIPTARE BRENDA SINDIKATES ITALIANE Të gjithë shqiptarët e La Spezia-s, mbi 2500 të tillë, janë organizuar në shoqatën "At Gjergj Fishta".
Bordi i kësaj shoqate dhe kryetari i saj, Juljan Topcia, kanë një raport shumë të afërt me bashkinë, kuesturën, prokurorinë, gjykatën dhe gjithë institucionet e tjera të La Spezia-s. Kjo shoqatë ka lidhje reciproke me të gjitha shoqatat e sindikatat që operojnë në rajonin e Liguria-s. Në diferencë me shoqatat e tjera të emigrantëve, të cilat janë më të mbyllura, shoqata "At Gjergj Fishta" është e veçantë. Sipas kryetarit të bashkisë, zotit Xhorxho Pogano, sindikata shqiptare është e gjallë e aktive. "Ajo është e hapur ndaj institucioneve italiane dhe komuniteteve të tjera që kanë emigruar në rajonin tonë". Me iniciativën e sindikatës italiane CILS, shoqata shqiptare zë fill qysh në vitin 1991, kur në La Spezia erdhën 12 emigrantët e parë. Tani janë bërë 2500 të tillë. Në gjithë Liguria-n, 14000. Ata kanë ardhur kryesisht nga Shkodra, Lezha, Puka, Mirdita e Fushë Arrëzi. 80% e burrave shqiptarë punojnë në ndërtim. Ata janë profesionistë në mjeshtëritë e tyre.
Masiviteti në ndërtim dhe profesionalizmi i bën ata evidentë, të dallueshëm e të spikatur. Për sa u përket grave shqiptare, ato punojnë nëpër familje. Kujdesen për pleqtë dhe ndihmojnë zonjat e moshuara. Theksojmë se në të gjithë Italinë nuk gjejmë një qytet tjetër që të ketë popullsinë më të plakur sesa ajo e La Spezia-s. Pleqtë përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, kështu që gratë shqiptare e kanë më të lehtë për t‘u punësuar. Në vitin 2000, shqiptarët e ardhur në La Spezia, të cilët tashmë ishin integruar disi në shoqërinë italiane, filluan të organizohen më mirë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Të organizuar në një shoqatë të ligjëruar e të njohur nga autoritetet italiane, me kryesi e kryetar, me vulë e logo identifikuese, të drejtat e bashkatdhetarëve mund të mbrohen më mirë. Pas krijimit të shoqatës, askush nuk do të luftonte më i vetëm, askush nuk do të linte punën për të marrë një firmë apo vulë nga administrata italiane. Këtej e tutje, për çdo individ do të luftonte sindikata e tyre. Çlirim Turku, ish-kamerier në hotelin e gjuetisë në Lezhë dhe tani përgjegjës lokali në qendër të La Spezia-s, na thotë se sindikata italiane CISL u ka dhënë një ndihmë të madhe. "Ajo na përfshiu në gjirin e saj e na dha zyra falas në qendër të qytetit, telefon, faks, kompjuterë e kancelari, gjithçka që na nevojitej për një punë normale.
Të gjitha falas". Kujtim Shabani, një tjetër emigrant nga Shkodra, shton se sindikata ka një forcë shumë të madhe për të zgjidhur problemet e tyre. Sot as që mund të bëhet fjalë për shembull që një pronar italian të mos paguajë një punëtor shqiptar. Nëse ndodh kjo, por nuk bën vaki, atëherë pronari italian apo kushdo qoftë nuk ballafaqohet me punëtorin e vetmuar, por me sindikatën. Penalitetet për pronarin në një rast të tillë janë shumë të rënda. Sindikata shqiptare ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha institucionet e administratës shtetërore. Për familjet e reja e me probleme ka marrë ndihma sociale, asistencë familjare etj., pa folur pastaj për marrëdhëniet korrekte me kuesturën e policinë. NJE PRESIDENT SHQIPTAR PER ANOLF-in E LA SPEZIA-s ANOLF do të thotë "Shoqata Nacionale Përtej Kufijve". Ajo e shtrin aktivitetin e saj në të gjithë territorin italian, duke përfshirë në gjirin e saj të gjitha shoqatat dhe sindikatat e emigrantëve në Itali. Është krijuar kohët e fundit si rezultat i dyndjeve të emigrantëve nga Afrika e veriut, Ballkani, Rusia, Azia, madje edhe nga Amerika Latine.
Në zgjedhjet e vitit 2008, sindikata ANOLF vendosi që në krye të saj, krahas italianit Mario Greci, të caktojë si pikërisht kryetarin e shoqatës "At Gjergj Fishta", zotin Juljan Topçia. ANOLF nuk është krijuar për emigrantët shqiptarë, edhe pse në Itali ka rreth 450 mijë shqiptarë. ANOLF është krijuar për të gjithë emigrantët që ndodhen në Itali: marokenët, tunizianët, për rumunët e dominikanët, për moldavët e kinezët. Për të gjithë ata që kanë tentuar të punojnë e të jetojnë në Itali pa dallim feje, seksi, ngjyre, moshe e race, tani kujdeset ligjërisht ish-emigranti Juljan Topçia. "Kam vuajtur vetë kur kam ardhur për herë të parë në Itali, thotë Juljan Topçia. Ishte viti 1994. U nisa nga Vlora me gomone e mbërrita në Lece. Erdha në Milano, nuk kisha asnjë të njohur. E vetmja pasuri që kisha ishte gjuha italiane, që e kisha mësuar në Shkodër, në një kurs privat me 100 lekë ora.
Ku do e kaloja natën? Mendova të shkoja në qendër të qytetit, se aty do vinin e do më kërkonin. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Askush nuk mi hodhi sytë. I mora restorantet me radhë, duke iu lutur se isha i gatshëm të bëja çdo lloj pune, mirëpo të gjithë më tregonin derën. Kam fjetur në shtëpi të pabanuara, në stacione treni, në metro e në kuti kartoni. Një natë të ftohtë dimri i jam lutur priftit të flija në stolat e kishës. Ai më pa me dyshim e vetëm pas lutjeve pa fund pranoi të më linte brenda në kishë. Atë natë më ka zënë gjumi top. Nuk e di nëse ka fjetur apo jo prifti i kishës. Për net me radhë kam fjetur në një kuti kartoni në oborrin e fabrikës ku punoja. Aty ndanim letrën nga plastmasi.
Gjatë ditës merrja fije plastmasi dhe i hidhja në kuti për të bërë dyshekun e natës. Çdo mbrëmje futesha në këtë kuti që ishte shtëpia ime. Në mëngjes çohesha herët për të mos më parë të tjerët, shkoja në banjë, laja sytë e vrap në oborr të fabrikës, ku merrja një çaj të nxehtë për të larguar të ftohtin e natës. Askush nuk e dinte ku e kisha kaluar natën. E lashë atë punë kur më zbuluan se ku strehohesha. Erdha në Shqipëri e meqë nuk gjeta punë, u nisa prapë me gomone. Kisha fituar një eksperiencë të hidhur e nuk doja që ajo të përsëritej më. Ja ku jam tani në La Spezia, me familje, me shtëpi, kryetar i shoqatës "At Gjergj Fishta" e bashkëpresident i shoqatës nacionale përtej kufijve, ANOLF. E kush më mirë se unë mund t‘i kuptojë emigrantët që vijnë nga Maroku, Rumania, Tanzania, Domenika, Kina etj., e përfundon tregimin e tij Juljan Topçia, i cili sot drejton shoqatën më të fuqishme të emigrantëve në Itali. SHESHI EUROPA DHE SHQIPTARET Sheshi në qendër të qytetit La Spezia mban emrin "Piaca Europa". Ai u takon të gjithëve.
Shqiptarët kanë dëshirë ta quajnë sheshin e tyre, pasi këtu kanë zhvilluar të gjitha aktivitetet e tyre kulturore, artistike, sportive, si dhe manifestimet për ngjarjet e mëdha që lidhen me identitetin e tyre. Në këtë shesh, ku ndodhet Teatri i Operës, shqiptarët janë mbledhur për Nënë Terezën, Skënderbeun, At Gjergj Fishtën etj. Këtu kanë prurë ansamblin "Valbona" e këngëtarët Bujar Qamili, Valbona Mema, Irini Qirjako, Altin Shira etj., ambasadorët tanë në Romë e Vatikan, konsullin e Milanos etj. Vetë kryetari i bashkisë, Xhorxho Pogano, ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet e shqiptarëve. Të gjitha manifestimet e shqiptarëve janë pasqyruar në mediat elektronike dhe ato të shkruara në La Spezia, Xhenova dhe Milano. Më 17 shkurt, kur Kosova shpalli pavarësinë, gjithë shqiptarët kudo në botë e festuan këtë ditë. Kështu ndodhi edhe në La Spezia. Pa bërë asnjë organizim, pa lajmëruar askënd, thjesht duke telefonuar njëritjetrin, ata u mblodhën të gjithë në sheshin "Europa".
Fjala u hap aq shpejt, sa pa vajtur ora 10:00, shqiptarët më të rinj e të reja, të moshuar e familjarë me fëmijë dolën në shesh. Shpejt e shpejt u improvizua një podium për oratorët, u gjet një qendër zëri, mikrofon, altoparlant, dixhej e një gjenerator për të siguruar rrymë të pavarur. Sheshi u ndez flakë nga banderolat dhe flamujt kombëtarë, nga kostumet popullore dhe muzika shqiptare. Fjalime pa fund, valle, këngë e hare. Të nesërmen, të gjitha gazetat pa përjashtim i hapën faqet e para me foto dhe komente për këtë eveniment. Kur i pyesin anëtarët e shoqatës "At Gjergj Fishta" nëse kishin marrë leje për këtë manifestim në sheshin kryesor të qytetit, ata përgjigjen: "Jo, aspak". Gjithçka filloi spontanisht. Së dyti, sipas ligjit italian, çdo individ, grup apo shoqatë ka të drejtë të manifestojë pa marrë lejë në polici, në qoftë se ky manifestim nuk prish rendin publik. Festa filloi në orën 10:00 e mbaroi në orën 13:00. Në foto ju shihni mjaft shqiptarë me kostume kombëtare dhe natyrshëm ju lind pyetja: Ku i morët gjithë këto kostume?
Në La Spezia nuk ka familje shqiptare pa flamur kombëtar dhe pa kostume tradicionale. Jo një, por dy, tre e më shumë kostume kombëtare. Aq sa pjesëtarë familjeje janë, aq kostume kanë. Aq shumë të lidhur janë me traditën, sa për t‘ua prezantuar vendasve kanë hapur ekspozita me to, duke prezantuar jo vetëm kostumet kombëtare, por edhe veglat muzikore: çifteli, lahutë, daulle, pipëz, fyell; qilima tradicionalë si dhe orendi shtëpiake të gdhendura në dru. Në La Spezia, Shqipëria etnografike dhe turistike njihet shumë mirë nga italianët. Ua kemi bërë prezente, thotë Dashamir Hysa, një tjetër emigrant nga Shkodra, sepse ne jemi këtu e bashkëjetojmë me ta. Ata duhet ta dinë se kush jemi ne. Falë nesh, italianët e La Spezia-s e dinë më mirë se kushdo tjetër në Itali se kush jemi ne, nga vijmë e ç‘kërkojmë të bëhemi.