Diçka e kobshme duket se është gatuar diku aty.. në sallën përbri, bardhësisë ia lë vendin një thertore me pllaka të thyera, gropa WC-sh ala turka, çengelë që varen që sipër dhe ca përparëse kasapësh, që në fakt nuk janë prej lëkure, si duhet të ishin, por prej hekuri. Nuk ka trupa të gjakosur bagëtish e gjedhësh, por përtokë shtrihen gjymtyrë njerëzish. Në pllakat majolike që rrethojnë thertoren janë stampuar fotografi bardhë e zi, që na kthejnë në periudhën e diktaturës: parada, ushtrime manifestimi, zbor, menca… ndërsa në krahun tjetër, një kafaz i çuditshëm i ngritur me krevate.
Dashur pa dashur ndihesh nën trysni. Është pesha e së shkuarës, por edhe e së tashmes, e cila jo rrallë herë të hakërrohet rrezikshëm. Krijimi i një gjendjeje të tillë ka qenë edhe një nga synimet e artistit Sadik Spahija, dekan i Fakultetit të Arteve Pamore, qysh se nisi të kristalizonte idenë për ekspozitën “Nën trysni”, hapur dje në galerinë FAP me ndihmën e kuratorit Edi Muka e koordinatorit Genc Përmeti. “Kur shikuesi hyn në punën e Sadik Spahisë, instalacioni duket sikur të gllabëron në brendësinë e tij. Aftësitë perceptuese ngatërrohen, duke ia lënë vendin një ndjesie sikur kemi hyrë në botën imagjinare të një ëndrre të keqe të përbashkët”, thotë kuratori Muka. Sipas tij, “Nën trysni” nuk është një reflektim mbi të kaluarën, “por një thirrje për të tashmen, për syhapjen ndaj trysnisë së matricës së sistemit që fshihet pas shkëlqimit të rremë dhe për zgjimin nga makthi i laboratorit famëkeq, ku zotat e vetëshpallur presin të argëtohen me limfën tonë”.
Një ekspozitë që nuk ngjan me të tjera… keni kohë që e bluani këtë ide?
Është një ide që ka lindur prej vitesh dhe kam 2-3 vjet që punoj për të, duke bërë kërkime në territore të ndryshme, ku janë zhvilluar veprimtari grupesh njerëzore, sepse ideja është të zbulojmë se si reagojnë njerëzit përballë realiteteve, përballë trysnive, qoftë nga politika, media, jeta sociale, nga grupet shoqërore në raport me njëri-tjetrin.
Referencat në kohë, të paktën në njërën prej instilacioneve është e qartë, i përket diktaturës…
Pavarësisht se kjo është një eksperiencë që e ka kaluar i gjithë brezim im, nuk lidhet ngushtësisht me një periudhë kohore. Këtu ka kërkime para dhe pas viteve ’90, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Është një kërkim që ka të bëjë me një apel njerëzor. Më është dashur të shkoj në shumë qytete, fabrika dhe po të shohësh të gjitha materialet që ndodhen këtu, vijnë nga këto ambiente..
Ç’lidhje kanë këto fotografi bardhë e zi të para viteve ’90 me thertoren?
Janë paraqitur fotografi që i takojnë përpara viteve ’90. Janë foto zyrtare, të papërpunuara, të cilat tregojnë kolektiva njerëzorë, ku grupe njerëzish kanë zhvilluar aktivitetin e tyre, si fabrika, ara, fjetore, mensa, parada, ushtrime manifestimi… Ndërsa pjesa tjetër është rikrijimi i një ambienti ku thereshin bagëtitë. Me gjithë dëshirën time për ta zhvendosur ashtu si kanë qenë, ishte e pamundur. Ndër të tjera, kam riprodhuar edhe një përparëse pune në metal, me idenë që ajo do të fliste më shumë se çdo fjalë tjetër. Sepse vetë materiali është pak kërcënues dhe do të na nxiste edhe më tepër idenë që përcjell kjo dhomë.
I gjithë instalacioni të jep idenë e një vendi ku copëtohen idetë, gjymtohen, apo jo?
Këtu nuk ekziston ideja individuale, këtu idetë transmetohen në trupa njerëzorë që reagojnë në mënyrë automatike. Pavarësisht se ekspozita është e ndarë në tri salla, ajo është unike. Dhe e gjitha kjo është produkt i laboratorit, i cili momentalisht është i braktisur, por ndoshta është vendosur diku tjetër. Edhe mjetet e laboratorit janë objekte jonormale, të stërzmadhuara, monstra… dhe të bashkuara, ato krijojnë një situatë që kërcënon jetën njerëzore. Është një vend i frikshëm. Ky është një laborator që nuk i takon një kohe x, por një laborator që shtrihet në çdo kohë, ekziston mundësia që ai të jetë zhvendosur. Projekti i parë ka dështuar. Ne kemi dëshminë e këtij dështimi. Një projekt që ka prodhuar mostra. Por ne nuk jemi të sigurt që ky projekt është ndalur.
Në sallën e tretë është ngritur një burg-disko, ç’lidhje ka ai me krijimin, apo klonimin e ideve, projekteve…?
Aty është krijuar një ambient diskoje, apo striptize… një burg-disko, siç po e quani. Ai lloj kafazi që ju shikoni është krijuar me objekte që ne i gjejmë në shtëpitë tona, në fjetore, në spitale… Janë krevate ku ne flemë, ku ne ngremë ëndrrat tona, një pjesë e të cilave mbetet e parealizuar, ose realizohen në një mënyrë që ne nuk do ta dëshironim.
Qysh në hyrje, impakti është shumë i fortë, e keni marrë parasysh reagimin e spektatorit?
Ky është një objekt arti totale, nuk është një objekt për t’u soditur, por një ambient për t’u futur brenda. Është menduar në mënyrë të tillë. Spektatori që kur hyn kushtëzohet, detyrohet të ulet për të hyrë në një portë të ulët, një portë që nuk lejon hyrjen natyrale, ashtu si na ndodh ne në shumë ambiente, institucione. Jemi të kushtëzuar ta ulim pak shpinën. Dhe kjo ndodh me të gjithë, në mjedise të ndryshme, diku të kushtëzon diçka, diku do përkulesh, do shtrembërohesh… dhe kjo përfshirje fizike e autorit është pjesë e veprës. Edhe spektatori merr pjesë në mënyrën e tij me një përvojë të përjetuar nga vetë ai, duke u vendosur në një kontekst që i ngjall kujtime, apo momente të jetuara.
Dhe në këto “kuzhina” diabolike nuk mungojnë edhe ca gota gjysmë bosh. Ka pasur një festë këtu, dikur?
Është zhvilluar një koktej, është pirë një gotë, është premtuar, është prerë një shirit dhe nuk ka ndodhur asgjë… dhe kjo përsëritet në çdo kohë.