Nëntë të arrestuarit e operacionit “Xibraku” do të dalin për masë sigurie për të paktën gjashtë vepra penale, të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Më e rënda është ajo e “pjesëmarrjes në grup të struklturuar kriminal”, e ndjekur nga akuzat e tjera si “trafikim të narkotikëve të mbetur në tentativë”, “prodhim dhe fabrikim të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, “prodhim, tregëtim dhe përdorim të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike”.
Me anë të një njoftimi zyrtar më në fund Prokuroria e Përgjitshhme jep një verision zyrtar mbi hetimet e zhvilluara gjatë kësaj kohe për grupin e trafikantëve që posedonte edhe një laborator të përpunimit të kokainës.
“Nga hetimi i kryer përmes metodave speciale rezultoi se autoritetet gjermane kanë kërkuar të gjurmohet shtetasi Ilir Hyseni, i cili mbante kontakte me Kastriot Imerin, pronar i një servisi automjetesh në lagjen Kombinat. Në këtë servis u gjet një automjet “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, i cili rezultoi se do të modifikohej me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike pas mbërritjes së korrierit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
“Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, deri sa në datën 13 janar u zbulua se këta shtetas hynin në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç tyre atje hynin edhe Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku, i thirrur me nofkën “Kinezi”. Ndërkohë që dy shtetasit e huaj, Cesar Avila dhe Ëalter Moreno hynin në ambientin e sipërcituar të shoqëruar nga shtetasit Ermal Hoxha dhe Kelmend Dalipi”, vijon dokumenti zyrtar.
Në të saktësohet se më datë 13 janar Ermal Hoxha i mori dy shtetasit kolumbianë nga magazina në Elbasan dhe i çoi në Tiranë, e po ashtu u interesua edhe për kthimin e tyre në Elbasan.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, nga Kukësi, ku mori pjesë në analizën vjetore të policisë së këtij qarku, i pyetur lidhur me këtë ngjarje deklaroi se hetimi vazhdon dhe paralajmëroi se mund të ketë të tjera arrestime lidhur me këtë çështje.