Pas seancës së djeshme, ndërsa Laçi u stërvit në Kamzë, i gjithë delegacioni bardhezi udhëtoi drejt Pogradecit aty ku skuadra dhe stafi kanë kaluar natën. Sot në Korçë, kurbinasit duhet të luftojë sportivisht për të mbrojtur, jo vetëm golin e avantazhit të shënuar në takimin e parë, por edhe "kurorën" si kampionia në fuqi e Kupës. Në këtë ndeshje do të mungojë Veliaj për shkak të pezullimit me kartonë.
Trajneri- Ramadan Ndreu është optimist për këtë sfidë dhe ai niset nga ajo që ka vënë re në humorin e të tijve. "Kjo është ndeshja e sezonit. Pavarësisht se në kampionat nuk jemi treguar aq të zotë, në Kupë synojmë të shkojmë në finale.
Grupi duket se nuk është goditur nga ana psikologjike sepse pas ndeshjes me Flamurtarin kam vënë re se djemtë janë tepër të angazhuar për të zhvilluar ndeshjen e duhur në Korçë. Ekziston besimi se mund t'ia dalim dhe këtë kur e thonë disa nga vetë lojtarët rrit premisat se kualifikimi mund të arrihet", tha dje në mesditë kreu i pankinës kurbinase.
Mesfushori - Argjend Mustafa tha dje se ai dhe shokët e skuadrës do të japin më të mirën në fushën e lojës, paçka se përballë do të kenë Skënderbeun që është një skuadër shumë e fortë. Për mesfushorin, sfida mbetet e hapur, por lojtari kosovar i Laçit shpreson se goli në fushën kundërshtare do të vendosë jo pak në këtë duel.
"Duam kualifikim, edhe pse do të luajmë ndaj një rivali shumë të fortë. Kemi gjithë potencialin për t'ia dalë me sukses. Një gol i yni në Korçë do të ishte vendimtar, por më parë lipset të bëjmë mirë në prapavijë. Aty ku skuadra nuk duhet të pësojë. Ndihem mirë dhe do jap gjithçka në fushë për të ndihmuar skuadrën", ka deklaruar Mustafa.
Formacioni- Në fund të stërvitjes, trajneri ka lënë të kuptohet formacioni i mundshëm. Selmani do të nisë në portë dhe përpara tij pritet katërshja Ademir, Sheta, Buljan dhe Çela. Në mesfushë do të ndihet mungesa e Veliajt, ndërkohë që pritet të aktivizohen Gocaj, Zefi, Mustafa e Sefgjini. Në bazë të modulit 4-4-1-1, Cetkoviç e Nimani do të udhëheqin manovrën sulmuese.