Ky vit ka startuar krejt ndryshe për Laçin. Edhe pse ekipi ka nisur përgatitjet, në fushë kanë zbarkuar vetëm të rinjtë. Veç largimeve "big", nën urdhrat e Ramadan Ndreut që po drejton seancat stërvitore mungojnë titullarët. Megjithatë pritet që nga sot të ketë zhvillime konkrete.
Burime pranë klubit zbulojnë për gazetën se drejtuesit presin mbështetje më të madhe nga ana e bashkisë për sezonin 2016-2017, këtë herë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe për ndërtimin e ekipit. Pas mungesës në Ligën e Europës, sigurisht që pretendimet do të rriten. Por që të formatohet një ekip pretendent, duhet investim. Dhe, për këtë, pritet kontribut më madhor edhe nga ana e bashkisë.
Miroslav Vujadinoviç, Olsi Gocaj, Marko Cetkoviç dhe Enco Malindi janë zyrtarisht të larguar, ndaj qëllimi i klubit është pikërisht që të gjejë pasuesit e tyre. Deri më tani nuk mund të flitet për prurje, por edhe ato nuk do të mungojnë. Në klub po punojnë për të afruar të duhurit në këtë merkato vere. Do të kërkohen futbollistë cilë- sorë për të zëvendësuar të larguarit. Pritet që në ditët në vazhdim të zbardhen edhe emrat, pasi momentalisht negociatat janë vetëm në hapat fillestarë.
Presidenti Pashk Laska kurdoherë e ka dëshmuar që di të befasojë. Ka ndodhur disa herë që ai e ka ndërtuar ekipin vetëm në limit. Ndoshta këtë sezon do të përsëritet historia dhe në fund do të shohim një Laç të fortë, që di t'i hapë punë çdo kundërshtari. Drejtuesit po projektojnë që ndërhyrjet t'i bëjnë të kujdesshme dhe pritet që afrime të ketë në çdo repart, duke filluar nga porta e deri në sulm. Megjithatë, para se të kalohet te blerjet, klubi do të përqendrohet te rinovimet.
Disa nga lojtarët që mbyllën sezonin janë pa kontratë, ndaj që të mbeten bardhezinj, fillimisht duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Lojtarët janë telefonuar të gjithë nga ana e klubit, megjithatë para se të zbresin në fushë, ata do pritet që të zyrtarizojnë marrëveshjet e reja. E thënë ndryshe, ata do të dalin në stërvitje vetëm pasi të kenë hedhur firmat mbi kontratë.