Lahuta e malesorit

Lahuta e malesorit
Ka më tepër se një dekadë tashmë që flitet  e përflitet  barbaria ndaj pyjeve në pjesën veriore dhe verilindore të vendit, kryesisht ndaj halorëve, lisit dhe të ahut. Është për të ardhur vërtet keq kur shikon sesi hapsira të tëra të gjelbra dimër e verë janë zhdukur, e ne mallëngjehemi kur shohim këto panorama të bukura nëpër kartolina. Pisha dhe bredha shekullorë, lisa ahu me degët e gjëra përbënin dikur faunën e bukur plot jetë, qëi jepnin hijeshi maleve dhe vargmaleve madhështorë.

Duke lexuar shqetësimin në rritje në lidhjeme pyjet e veriut që sa vjen e zhduken mu kujtua nositi i Lazgush Poradecit dhe habitem se sa lidhet me të tashmen kjo lirikë e të dashuruarit të madh liqenas. Dikush mund të pyesë se ç‘lidhje ka kjo dhe unë përgjigjem duke e përngjasuar nositin me Shqipërinë e trimave që ia ngul kthetrat gjoksit të vet për të ushqyer bijtë e saj. Kujt? Pyjeve? Kujt?  Ajrit të pastër që thithte malësori me lahutë në dorë.

E më tej më vjen ndërmend se sa e sa fashatarë kridhen maleve e me duar të shkathëta nxjerrin nga ferrat gjëmbaçe kërpudhat e vogla që shiten për picën e kryeqytetasit që kurrë se ka ditur se çfarë është  pema  e gjelbërimi.

E më tej hedh sytë nga kallot e burrit të malësisë, pasardhësit të birit të pushkës e të penës, që ia kanë veshur duart kallot nga gurët e rëndë që shkul nga gjiri i malit për ti shitur. E më tej lartohet një ndërtesë  shumëkatëshe e ky burrë kurrizdalë  duhet të lodhet për tu drejtuar e ta shohë se si ajo ngrihet në kupë të qiellit.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë shenjtërinë e gurit për malësorin mbi të cilin dikur betohej e që tani duhet ta shesë për bukën e gojës. A duhet harruar mrizi me hijen dhe kroin e ftohtë ku bariu lidhte jetën me natyrën? Por tani malësorin e bijtë e tij, të gjendur përballë nevojave të reja, se nginj më uji i kroit, e hija e pyllit s’ia heq lodhjen.

E ndërkaq, unë kot hutohem e mallëngjehem, ka ardhur epoka e internetit. Sot flasim për universitete. Sot s’ka kallo por ka karrierë. Sot s’ka burra por biznesmenë. Po ky burrë i egër me çfarë do ti çojë në shkollë bijtë e tij?

Dje kishim lahutë sot kemi diskotekë. Dje kishim bukë e kripë e nder në derë, sot kemi uiski. Dje rrëfeheshin baladat e kurbinit sot një Zot e di cfarë rrëfehet skutave të çatit në internet. Ku janë thirrjet e malësorit që janë kthyer në kiamata në celular?

Sot ne pyesim ku shkuan pyjet. Sot ne duam të mbushim një faqe shkrim për një gazetë. Po ai? Ai do të mbushë barkun e fëmijës, ende si në poemat e mjerimit. Po fëmija ende thotë nënë dua bukë e nesër do thotë edhe unë doja shkollë.

Ja dhe një herë tjetër  malësori i gjendur përpara malit që zbëzanë,  ‘grushtin e paligjshëm’ ia njesh pyllit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama