Laj dhembet qe te mbrosh zemren

Laj dhëmbët, që të mbrosh zemrën

Një arsye më shumë për t‘i larë mirë ato? Higjiena orale të mbron zemrën. Në fakt nuk është një risi, por një çështje e rëndësishme, e cila është prekur shumë herë gjatë kongresit të "Society for General Microbiology" ("Shoqërisë për Mikrobiologjinë e Përgjithshme"), që është zhvilluar në Dublin pas zbulimit të disa studimeve të reja shkencore për temën në fjalë. "Infeksionet bakteriale të gingivave (mishrave të dhëmbëve) janë një faktor i rrezikshëm për sëmundjet kardiovaskulare", ka theksuar një studiues nga Universiteti i Bristolit. "Pra, me fjalë të tjera, nuk ka rëndësi sa të shëndoshë apo të dobët jemi, ose sa i lartë është kolesteroli ynë. Të kesh një gojë "të çrregullt" paraqet një rrezik për zemrën". Në gojën e njeriut gjenden të paktën 700 baktere të ndryshme dhe përdorimi i furçës rrezikon t‘i shumojë ato. Mes këtyre baktereve ka nga ato që janë "shumë të mirë", të domosdoshëm për shëndetin tonë. Pjesa tjetër janë të rrezikshëm, madje mund të provokojnë një sërë ngjarjesh biologjike, pasoja e të cilave mund të jetë rreziku i infarkteve ose iktusit.

Gingiva të gjakosura

"Nëse keni mishra të gjakosur, atëherë bakteret e kanë më të letë të hyjnë në rrëkenë e gjakut dhe t‘u ngjiten pllakëzave, duke lehtësuar kështu tendencën e tyre për t‘u grumbulluar dhe për të formuar pengesa që mund të dëmtojnë rrjedhjen e gjakut. E kemi shpjeguar shumë herë që bakteret mund të përdorin mekanizma të ndryshme për të favorizuar këtë tendencë, natyrisht, përveç formimit të pllakëzave bakteriale që mbulojnë dhëmbët dhe gingivat", ka shpjeguar studiuesi. Pra, kjo jo vetëm që favorizon infarktet dhe iktuset, por gjithashtu i "mbron" bakteret nga ataku i sistemit imunitar dhe terapitë e mundshme antibiotike. Një tjetër studim i bërë nga një shkencëtar prej Zelandës së Re, ka treguar se disa baktere të tjera që jetojnë në kavitetin oral mund të shkaktojnë arteriosklerozë përmes rrjedhjes së fenomeneve biologjike, të cilat lidhen me inflamacionin.

Një studim i publikuar në "Journal of Periodontology" në 2004-ën kishte nxjerrë në pah se 19 për qind e pacientëve që vuanin nga sëmundjet koronare, vuanin edhe nga ato paradentale. Gjithashtu, një tjetër studim i Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, publikuar në të njëjtën revistë në 2005-ën, kishte treguar lidhjen mes nivelit të baktereve të gojës dhe trashësisë së murit të karotideve.

Dhëmbët dhe sëmundje të tjera

Nga kërkimet e shumta që janë bërë në të kaluarën është zbuluar se ekziston një lidhje mes sëmundjes paradentale dhe diabetit, në të cilin është çekuilibri glicemik ai që ua dobëson rezistencën mishrave të dhëmbëve. E njëjta gjë vlen edhe për osteoporozën, e cila gërryen kockat maksilare dhe mandibulare (nofulla e sipërme dhe e poshtme). Pra, ai që vuan nga këto shqetësime, duhet t‘i kushtojë një kujdes të madh higjienës së gojës. Studime të tjera kanë nxjerrë në pah kombinimin e infeksioneve të ndryshme mes aparatit tretës dhe atij të frymëmarrjes. Është vënë re se sëmundja paradentale prek edhe gratë shtatzëna. Femrat që u nënshtrohen trajtimeve të ndryshme për të stimuluar lindshmërinë, janë më të prekura nga inflamacioni i mishrave të dhëmbëve, gjë që mund të rrezikojë suksesin e terapisë. Këtë problem e ka sugjeruar një studim i publikuar në "Journal of Periodontology". Ndaj, këshilla për të gjitha gratë është që të tregojnë një kujdes të veçantë për gojën dhe të bëjnë kontrolle të herëpashershme te dentisti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama