Motra e Ibrahim Bashës, Vjollca, thotë se familja e tij nuk donte që ai të ishte pjesë e RENEA-s.
“Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, vëllai u bë pjesë e këtij reparti. Ne nuk donim të bëhej pjesë e këtij reparti, madje i kishim thënë edhe që të shkëputej nga forcat speciale në Zall Herr, dhe të mos shkonte as në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak”, tha ajo për GSH.
“Por Bimi nuk hoqi dorë, sepse ai e donte aksionin, e donte këtë punë”.
“Ne donim shumë ta shikonim Ibrahimin të martuar, por gjithmonë na thoshte ‘prisni edhe pak, pastaj do martohem’. Por Zoti e deshi më shumë se sa ne, aq sa e mori pranë vetes. Tani jetojmë kujtimet e tij”.
Vjollca përgënjeshtron me neveri lajmet se ai ka paguar lekë për t’u bërë pjesë e misioneve paqeruajtëse jashtë vendit.
Vjollca thotë se lajmin për vdekjen e të vëllait e mori vesh nga TV.
“Lajmin më të hidhur të jetës sime e mora vesh nga televizioni dhe do të doja që të paktën të na kishte ardhur dikush dhe të na e jepte lajmin, jo ta merrnim vesh në atë mënyrë”.
Ajo thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur atë ditë në Lazarat.
“Të plagosurit i ka takuar vëllai, por të gjithë shokët e Ibrahimit thonë se atë ditë Ibrahimi nuk duhej të ulej në automjetin ku edhe u qëllua. Na thanë shokët e tij, se vendi i Ibrahimit ishte përcaktuar në makinën tjetër dhe në vend të tij duhej të ishte ulur dikush tjetër. Por ka qenë e shkruar që të ndodhte kështu, sepse Ibrahimi kishte dashur që të ulej në vend të parë në makinën ku më pas u qëllua”.