Lala komenton zgjedhjet e De Biazit Ja pse duhej Rashica

Lala komenton zgjedhjet e De Biazit: Ja pse duhej Rashica

Shqipëria në prag të Europianit nuk është vetëm festë dhe hare, por edhe pak ankth, zhgënjim dhe kritika. Këto të fundit pa dyshim që i prodhoi lista e trajnerit të Kombëtares, kur vendosi të lërë jashtë 23-shes lojtarë të rinj e me potencial si Rashica, Gjimshiti, Rrahmani dhe Shala. Një pjesë e opinionit nuk i "aprovoi" zgjedhjet e De Biazit, ndërsa pjesa tjetër i dha të drejtë absolute italianit, sepse në fund të fundit ai ka një meritë të padiskutueshme në kualifikimin në Europian.

Ndër ata që i shohin me rezerva zgjedhjet e italianit është edhe ish-kapiteni Altin Lala, njëkohësisht edhe ish-ndihmës i De Biazit. "Ishte e pritshme që do të kishte pro dhe kundër zgjedhjeve të trajnerit. Kjo është e pashmangshme për çdo vend. Unë personalisht prisja të ishim pak më largpamës dhe pse jo të "investohej" akoma më shumë për të ardhmen. Por, gjithsesi, duhet të respektohen zgjedhjet e De Biazit sepse ai është trajneri", u shpreh Lala ekskluzivisht për "Panorama Sport".

De Biazi dhe Lala

Altin, sa i keni ndjekur zhvillimet në Kombëtare gjatë javëve të fundit?

Jam informuar rregullisht. Aq sa kam mundur, nëpërmjet shtypit, por edhe nëpërmjet miqve të mi.

A e prisnit që një atmosferë festive të shoqërohej me kaq shumë diskutime?

Po, patjetër që po. Ishte e pritshme që do të kishte pro dhe kundër zgjedhjeve të trajnerit. Kjo është e pashmangshme për çdo vend.

Juve si ju dukën zgjedhjet që bëri De Biazi?

Unë prisja të ishim pak më largpamës dhe pse jo të investohej akoma më shumë për të ardhmen. Lojtarë të rinj dhe të talentuar si Rashica dhe Rrahmani ndoshta duhet të kishin pasur një shans në Europian.

shala rrahmani rashica

Ju keni edhe njohje personale me Rashicën, apo jo?

Po, e vërtetë. Dua ta saktësoj këtë pjesë: me Rashicën kam njohje personale dhe sigurisht që nuk kam ndërmend ta teproj. Por nuk është çështja vetëm te një lojtar. E kam për disa të tillë. Personalisht mendoj se duhej të kishin pasur më tepër mundësi ata që realisht kanë zhvilluar edhe një sezon të mirë.

Ju nuk mendoni se janë thirrur ata që janë në gjendjen më të mirë?

Rashica ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer te Viteshe dhe momentalisht është një nga lojtarët më në formë. Rrahmani ka luajtur shumë mirë dhe është votuar në 11-shen e vitit në Kroaci. Në çdo vend të botës thirren lojtarët më në formë. Thirren ata që kanë bërë një sezon mbi mesataren... Nuk dua ta teproj me argumente të tjera...

Çfarë argumentesh?

Shikoni, dua të theksoj me zë të lartë se zgjedhjet janë ekskluzivisht të trajnerit dhe duhet t'i respektojmë ato. Të mos ngatërrohemi! Nuk kam ndërmend as ta kritikoj për listën dhe as t'i jap mend se çfarë duhet të bëjë. Ndryshe do të kisha folur para se të shpallej lista. Por nëse më kërkoni një mendim racional si një njeri që tani e sheh nga jashtë skuadrën, unë mendoj se sot Shqipëria nuk ka një lojtar që në një moment të vështirë mund të hyjë nga stoli dhe të bëjë diferencën. Rashica për shembull është një i tillë. Ai mund të bëjë disa gabime gjatë një ndeshjeje, por ama mund të shpikë edhe diçka nga hiçi. Ndërkohë, shkojmë me 3 qendërmbrojtës në Europian, por nuk i japim asnjë mundësi Rrahmanit, i cili mund të pjesë e së ardhmes së përfaqësueses. Ndoshta e ka pasur 23-shen të fiksuar në kokë që shumë kohë më parë...

Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA ka një tendencë në rritje të lojtarëve të pakënaqur, sidomos nga kampi kuqezi, që menjëherë pas ndonjë hatërmbetjeje t'i shkelin syrin Kosovës. A e shihni si shqetësim këtë fenomen dhe si duhet të veprojnë dy vendet për të evituar rokada të vazhdueshme lojtarësh?

Po, e vërtetë. Këtë e shoh si një çështje shumë delikate. Arsyeja është e thjeshtë: Kombëtarja e Shqipërisë sot ka shumë futbollistë nga trojet e Kosovës, të cilët realisht i kanë dhënë shumë ekipit. Por tani me të drejtë ata që nuk do të kenë mundësi aty, mund të kërkojnë zgjedhje apo zgjidhje te Kosova. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet, por duhet të jemi të kujdesshëm ta menaxhojmë mirë. Kjo nuk duhet bërë modë. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për ata që ikin nga Shqipëria te Kosova, por edhe anasjelltas. Duhet vendosur ndoshta një kod etike mes dy vendeve, apo edhe një marrëveshje specifike që kjo situatë me kalimin e kohës të mos vijë duke u rënduar. Kështu do të kishim një garë vetëshkatërruese mes dy vendeve. E theksoj, duhet menaxhuar mirë kjo situatë, sepse nuk duhet kurrsesi të lejohet nga të dyja kampet që lojtarët të shfrytëzojnë faktin që kanë dy mundësi zgjedhjeje dhe më pas të cenojnë atmosferën apo edhe projektet që ndërtojnë stafet dhe vendet respektive.

Të rikthehemi te Kombëtarja, sa shanse kemi që të kalojmë grupin?

Nuk kemi asgjë për të humbur. Kemi entuziazmin me vete dhe kemi besim se nëse skuadra punon në grup, mund të bëjë gjëra të mëdha. Mjafton vetëm edhe një fitore. Francën e shoh të pakalueshme, por me Zvicrën dhe Rumaninë mund të bëjmë ndonjë surprizë. Unë besoj.

Sa shanse ka që De Biazi të largohet pas Europianit?

Nuk e di. Pyesni atë. Unë kam lexuar gjëra nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë më ka lënë përshtypjen që edhe mund të ikë...

Po jua riformuloj pyetjen: a bini dakord me një pjesë të opinionit që lista e De Biazit ishte ajo e një trajneri në ikje?

Pjesërisht po. Ndoshta është edhe kështu, por tani më mirë ta shijojmë Europianin...

Jetmir Halilaj


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama