Dhënia e lejes nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e një Pallatit 9-katësh në mes të Shtëpisë së Fëmijës dhe Shkollës së Gjuhëve të Huaja është kundërshtuar dhe është cilësuar “si leje ikjes” nga Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t. Në një dalje për mediat së bashku me këshilltarin e kryeministrit Edi Rama, Artan Shkreli, Lame u kërkoi qytetarëve që të linin mënjanë politikën dhe të shikonin me sytë e tyre se çfarë po i bën kryetari i Bashkisë këtij qyteti me lejet që po jep në prag të ikjes.
“Në muajt e fundit të kësaj qeverisje të qytetit Bashkia e Tiranës me kryetarin e saj po japin lejet e ikjes. Do të konsideroja të gjitha ato që po ndodhin në kryeqytet këto ditë si leje ikjeje. Është një situatë e njëjtë me atë të muajve prill, maj, qershor të vitit 2013 kur qeveria “Berisha” në ikje dha të gjitha koncensionet e fundit, firmosi gjithçka ç’mund të bënte përpara ikjes”, tha Lame.
Ndërkohë ai theksoi se për këtë situatë pritet dhe reagimi i ministrive të Kulturës, Arsimit dhe asaj të Mirëqenies Sociale. Ndërsa, Artan Shkreli theksoi se, “në këtë shesh ndërtimi midis Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja dhe Shtëpisë së Fëmijës, në këtë sipërfaqe kaq të vogël parashikohet 9+2 kate leja e Bashkisë së Tiranës”.
"Doja të thyesoja dhe një herë para qytetarëve të Tiranës absurditetin e një vendimmarrje të tillë. Në qoftë se qytetarët e Tiranës aspirojnë një vendimmarrje të tillë në fushën urbanistike dhe në qoftë se qytetarëve të Tiranës u ka ardhur në majë të hundës me vendimmarrje të kësaj natyre ju ftojmë ta shohim dhe një herë sheshin e ndërtimit. Në këtë shesh ndërtimi midis Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja dhe Shtëpisë së Fëmijës, në këtë sipërfaqe kaq të vogël parashikohet 9+2 kate leja e Bashkisë së Tiranës", u shpreh Shkreli.
"Dua t'u bëj thirrje investitorëve, pronarëve, profesionistëve të sektorit që të mos tërhiqen nga hunda nga kryetari i Bashkisë me lojërat e tij okulte sepse kështu do të paguajnë një faturë dy dhe tre-fishe në raport me ligjin. Dua të theksoj se këto zona nuk janë lënë si rezervat gjuetie për zotin Basha apo shpurën e tij, por janë zona që presin nga Bashkia e Tiranës një rehabilitim dhe një restaurim, por kjo bashki nuk ka bërë qoftë edhe një restaurim të vetëm në trashëgiminë e kryeqytetit.”