Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) nis shqyrtimin e 293 mijë dosjeve të depozituara pranë këtij institucioni, të cilat kanë kryer edhe pagesat konform ligjit dhe presin vetëm aprovimin. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, bën të ditur se Tirana vijon të mbetet një nga zonat më problematike sa i përket informalitetit, ku janë evidentuar 293 000 ndërtime pa leje të regjistruara. sipas tij rreth 1/3 e këtyre ndërtimeve janë kryer pa leje sepse shteti nuk ka qenë në gjendje të japë leje ndërtimi, pasi ndërtuesit kanë aplikuar për të ndërtuar sipas ligjeve në fuqi. Sipas Lames, ka një zgjatje të procesit që nga 2004, çka do të thotë se në këtë institucion ka dosje të depozituara 8 vjet më parë dhe ende nuk kanë marrë një përgjigje.
Shlyerja e detyrimeve
Pronarët e ndërtimeve që presin të marrin tapitë kanë paguar faturat financiare në bazë të legjislacionit në fuqi. Parcelat ndërtimore nga brenda vijës së verdhë me sipërfaqe 1-300 m2, do të kryejnë 70% pagesë me bono dhe 30 % të saj me para në dorë, ndërsa parcelat mbi 300 m2, do të paguajnë 50% të vlerës me bono dhe pjesën tjetër 50 % të shumës me para në dorë. E njëjta linjë do të ndiqet edhe për ndërtimet jashtë vijës së verdhë, por sipërfaqet mbi bazën të cilave llogaritet përqindja në bono dhe para do të jenë më të mëdha. Kështu për parcelat ndërtimore 1-500 m2, 70% e pagesës do të kryhet me bono, ndërsa 30 % e saj, me para në dorë; për parcela mbi 500 m2 pagesa do të kryhet vetëm me lekë.
Operacionet e INUK-ut
Në sitën e INUK-ut do të kalojë të gjithë ndërtimet në të gjithë vijën bregdetare të vendit. Verifikimi do të kryhet edhe për ndërtimet e pajisura me leje në mënyrë abuzive. Ndërsa momentalisht aksioni i INUK- ut mbetet i fokusuar në Vlorë, Lame tha se do të ketë shtrirje gjatë gjithë vijës bregdetare nga veriu në jug. “Ajo që po ndodh është shumë e thjeshtë, ka një grup ndërinstitucional nën mbikëqyrjen e Kryeministrit që po merret me problematikën e bregdetit, jo thjesht të Vlorës. Është përcaktuar një vijë bregdetare të cilës do t’i nënshtrohen krehërit të gjitha ndërtimet, jo vetëm ato pa leje, por edhe ato të legalizuara në mënyrë abuzive. Ky grup pune bën krehjen e zonës, nxjerr objektet problematike, sipas varësive të veta bën kontrollin kush ka kompetencat. Si fazë e mëvonshme pastaj është largimi i inerteve. Është një aksion shumë i komplikuar, më pas rikuperimi i situatës. Momentalisht aksioni po vijon në Vlorë, ka pasur dhe në Lushnjë, këto ditë do të ketë në zonën e Plepave në Durrës, por fokusi momentalisht vijon të mbetet në Vlorë” tha kreu i ALUIZNI- t. Sipas Lames, problemi në Shqipëri nuk janë ndërtimet pa leje, por ato me leje abuzive.
Ndërtimet pa leje
Janë rreth 270 mijë vetëdeklarime. Prej tyre janë kualifikuar rreth 240 mijë, ndërsa të tjerat janë skualifikuar. Janë në proces shqyrtimi duke punuar me mbi 240 mijë dosje. Lista e zonave të palegalizuara përfshin Durrësin me 37 mijë ndërtime, Fierin me 27 mijë, Vlorën me 24 mijë, Elbasanin, 24 mijë, Korçën, 11 mijë e kështu me radhë në qytete të tjera. Ndërkohë që janë evidentuar rreth 80 mijë ndërtime pa leje, të tipit shtesa pallatesh, të cilat me anë të një akti normativ qeveria “Berisha” vendosi t’i legalizojë. Aplikimet për këtë kategori ku përfshihen shtesa dhe ndërtime pas vitit 2006, kanë vijuar deri para pak ditësh, por dosjet nuk janë marrë ende në shqyrtim nga zyrat e ALUIZNI-t në rrethe. Procesi i legalizimit për shtesat do të nisë pas ristrukturimit të ALUIZNI-t dhe përmirësimi i kuadrit ligjor që lidhet me pajisjen me certifikatën e pronësisë të pronarëve që kanë ndërtuar në zona informale.