Deputetë socialistë kërkojnë unifikimin e kritereve për legalizimin e objekteve informale të ndërtuara në zonat turistike me ato në pjesë të tjera të vendit. Në seancën e djeshme, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Debati për zonat turistike dhe afati limit ishin shqetësimet kryesore që deputetët i shfaqën drejtorit të ALUIZNI-t, Artan Lame. I pyetur për zonën e Velipojës, Lame, tha se 90 për qind e objekteve të kësaj zone do të legalizohen, sepse, siç u shpreh ai, “në këtë komunë janë respektuar disa prej rregullave kryesore urbanistike dhe kryetari i komunës ka kryer detyrën e tij për të mos lejuar ndërtime të parregullta”. Sipas Lames, ndërtimet që respektojnë planet urbanistike do të përfshihen në legalizim. Më tej, drejtori i ALUIZNI-t tha se, ndryshimi me zonat e tjera do të jetë kërkesa për respektimin e kritereve urbanistike, jo i “kritereve minimale urbanistike” siç kemi përcaktuar për legalizimin e objekteve në zonat joturistike. Nuk duhet të lejojmë të prishet dhe betonizohet bregdeti nga objekte që nuk plotësojnë kushtet, tha Lame. Duke sjellë një krahasim, Lame tha se banorët që kanë ndërtuar në të dy anët e Unazës së Re në Tiranë, e kanë ruajtur gjurmën dhe nuk e kanë e prishur planin. Kjo është një përputhje me planin urbanistik të kohës.
Afati i legalizimeve
Amendimet e Kodit Penal që hynë në fuqi në vitin 2009, ku ndërtimi pa leje dhe pushtimi i trojeve të të tjerëve përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen deri në 1 vit burg, ka vendosur edhe kufirin deri kur vepron ky ligj. Disa deputetë hodhën idenë që legalizimet të shtriheshin deri në fund të vitit 2013, pasi sipas tyre, amnistia që ishte dhënë për këto vepra mund të shtrihej edhe për legalizimin.
Përgjigjja ishte se, për këto vepra penale u amnistua dënimi, nuk u fshi vepra penale. Pra, thelbi i ndryshimit të bërë nga qeveria “Rama” është se, nga janari i 2009-s që ka hyrë në fuqi Kodi Penal, ku ndërtimi pa leje quhet apo konsiderohet vepër penale, që nga ai moment nuk lejohen më ndërtime pa leje. Ndaj ato objekte të ndërtuara pas këtij afati, që janë ngritur në tokë të shtetit apo tokë me pronar, nuk do të legalizohen. Sipas të dhënave zyrtare, nga 2009-a e deri më 2013-n rezultojnë se janë ndërtuar rreth 80 mijë objekte informale, por nuk ka një ndarje të saktë se sa prej tyre janë bërë në tokë private dhe sa në pronë publike. Një vit më parë, mazhoranca dhe opozita e asaj kohe ranë dakord për të shtyrë pa afat ligjin për të legalizuar çdo ndërtim të bërë pas 2006-s deri në 2013, por pasi të bëhej fotografimi ajror i zonave informale. Ndërsa ligji ri e ka limitin deri në vitin 2009.
Por, në komision u specifikua një rast kur veprimi i ligjit shtrihet më vonë, ky ishte rasti i ndërtimit pa leje në tokën e vet. Kjo, sipas relatorit të ligjit, nuk sjell përplasje mes Kodit Penal dhe Ligjit të Legalizimeve.
Amendamentet
Opozita - Në emër të anëtarëve të komisionit, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PD-së, Genc Ruli, parashtroi çështjet kryesore që adresojnë amendamentet e propozuara nga ky grup. Propozimet në fjalë kanë të bëjnë me afatin e objekteve që do të legalizohen, pagesat, përqindjen e masës së pagesës nëpërmjet letrave me vlerë, përdorimi i arkëtimeve që do të përfitohen nga kryerja e pagesave për truallin etj.
Deputetët e PS-së - Ndërkaq, komisioni diskutoi edhe për ndryshime të propozuara nga deputetë socialistë si Namik Kopliku dhe Gent Bejko, si dhe dëgjoi shpjegimet e relatorit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Armando Subashi mbi ndikimin e dispozitave të Kodit Penal dhe ligjit për amnistinë në zbatimin e projektligjit.