Dje, në skenën thuajse të përfunduar, ku binin në sy dhjetëra këpucë dhe veshje të shpërndara gjithandej, grupi i artistëve dha një konferencë për shtyp ku zbuluan disa nga vështirësitë dhe gjërat që priten në premierë. Kështu vepra do të ngjitet në skenë vetëm një herë të shtunën në mbrëmje ora 20:00.
Ishte regjisori ai që u ndal te vepra e Bernardit (1931-1989), subjektin e të cilës e përmblodhi në pak fjalë: "Është historia e një burri i cili humbet gjithnjë e më shumë në normalitetin e të përditshmes dhe shndërrohet në një diktator".
Dhe rolin e këtij diktatori Papke ja ka besuar aktorit Vasian Lami. Vetë Caribaldi (Vasian Lami) do ta cilësonte personazhin e tij si një diktator ndryshe. "Do të shihni një diktator të ashpër, të butë dhe të ndjeshëm", tha Lami duke shtuar se "e kishim të vështirë për të perceptuar tekstin, për të perceptuar atë çfarë ka dashur të thotë autori në gjuhën gjermane".
Dhe me "ne" Lami nënkupton grupin e aktorëve që regjisori austriak ka zgjedhur për komedinë "Forca e zakonit", të cilët janë Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha dhe Elton Çefa.
"Die Macht der Gewohnheit" e ka sjell në gjuhën shqipe Jonila Godole. Autori, ndonëse është një nga emrat më të njohur të letërsisë dhe dramaturgjisë austriake, nuk ishte një zgjedhje e saj, por një sugjerim i regjisorit Papke. "Vepra është shkruar në vargje dhe ka një lloj muzikaliteti, vështirësia ka qenë në ruajtjen e ritmit të pjesës. Shpresoj që t\'ja kem arritur", u shpreh Godole.
Për të vënë në skenë këtë premierë nga Austria ka ardhur edhe skenografi Alois Galle, i cili veç skenës së cirkut ku "zhvillohen ngjarjet", ka realizuar edhe veshjet e karaktereve (të tjerë janë Zhongleri, Zbutësi i kafshëve, Mbesa dhe Gaztori).
Koreografinë Papke ja kë lënë në dorë Gjergj Prevazit ndërsa muzikën Georg Luksc. Papke ka pasur mbështetjen regjisoriale të dy të rejave Eglantina Cenoimeri dhe Julia Baule.
Gjithë puna e këtij grupi do të shihet mbrëmjen e së shtunës, të cilën Papke e pret me emocion: "Jam kurioz për atë që do të shohin sytë tuaj të shtunën", përfundoi ai.
Para medias, dje, veç grupit të artistëve ishin edhe përfaqësues të Ambasadës Austriake të cilët, dy ditë më parë bënë publike mbështetjen për dramën shqipe.Këtë takim me gazetarët drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami e shfrytëzoi jo vetëm për të rikujtuar këtë projekt por edhe për të prezantuar parimisht se çfarë do të ofrojë Teatri gjatë sezonit të ardhshëm: "Forca e zakonit" do të jepet premierë të shtunën dhe do të rikthehet në skenë në fund të shtatorit.
Kemi menduar që gjatë sezonit të ardhshëm të jenë në skenë 5-6 premiera, si dhe pjesë të tjetra për të mbushur programin", tha Skrami duke shtuar se do të jetë e vështirë koordinimi i tyre.
Tri prej premierave që do të jenë në TK sezonin e ardhshëm tashmë janë bërë publike. Janë: "Forca e zakonit" e Tomas Bernard, "Këngëtarja tullace" e Eugjen Joneskos me regji të Spiro Dunit e cila do të ngjitet në skenë vetëm më 10 korrik, si dhe drama "Antigona kërkon të atin" e Mihal Luarasit e cila shfaqet sot për herë të parë në teatrin "Bylis" të Fierit.
Maratona e Muzikës Violinistike, edicioni IV me koncertin recital të Duos Kosturi-Ciko. Nga Papajani e Noli, tek Svendsen e Gershwin
Muzika e vjetër shqiptare, ja premierat
Edicioni i katërt i maratonës violinistike sjell këtë të hënë, në orën 19.00 në sallën "Tefta Tashko Koço" të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, një repertor me disa premira dhe vepra të lajtuara fare pak në Shqipëri. Fjala është jo vetëm për muzikën e vjetër shqiptare por edhe të botërore, gjithmonë për pjesët e shkruara për violinë.
Ina Kosturi themeluese e kësaj maratone katër vjet përpara e cila interpreton në duo me pianisten Rudina Ciko, tha se muzika e vjetër shqiptare prezantohet "me tingujt e nokturnit për violinë e piano të kompozitorit korçar Kostandin Papajorgji, që interpretohet për herë të parë, një botim mjaft interesant i vitit 1925 në Napoli (Casa editrice musicale RIZZO, Napoli)".
Ky nokturn i dedikohej avokatit Kristo Floqi, ndërsa kjo partiturë ndodhej në ekspozitën e antikuarëve realizuar pak kohë më parë në Tiranë, midis relikeve të studiuesit Shpëtim Sala. Sipas shtypit korçar të 1940 Papajorgji kishte studiuar në Itali dhe Kosturi thotë se ndoshta në krijimtarinë e tij mund të ketë të tjera vepra të përmasave më të mëdha.
Më pas janë tingujt e romancës së Prof. Albert Paparistos e krahas tyre pjesët e Thoma Nasit "Fyelli i bariut", "E qarë", "Bilbili" interpretimi i të cilave përkon dhe me 100 vjetorin e shoqërisë "Vatra". Ky bllok i pjesëve shqiptare bashkëngjitet me thënien e Thoma Nasit "Përkrahni muzikën e fjeshtë shqiptare".
Është sonata e Fan Nolit (1937) që interpretohet në nderim të këtij personaliteti të madh me kujdesin e Bibliotekës Noliane në Boston, (ku ndodhet dhe origjinali i partiturës) dhe të At Artur Liolinit. Kosturit që e ka futur në program, kjo sonatë e Nolit i kujton muzikën e Bethovenit dhe këngën "Dua më shumë Shqipërinë".
Krahas tingujve kombëtare muzika e shekullit vjen me të tjerë kompozitorë. Tinguj nga Norvegjia vijnë me një romancë romantike të Svendsen-it për të shkuar më pas tek Stravinsky me Duo koncertant për violinë e piano (1932), "vepër sa e vështirë aq dhe interesante, frymëzuar nën gjurmët e mjeshtrit të madh J. S. Bach", komenton violinistja Kosturi.
Pjesa e fundit e koncertit është një melodi e njohur e Gershwin "An american in Paris" e përshtatur nga violinisti Jascha Heifetz, i cili koncert pas koncertit në turnetë e tij në Amerikë në pamundësi për një koncert për violinë të shkruar nga miku i tij Gershëin përshtati një përmbledhje veprash për violinë e piano.
"Heifetz ishte një violinist gjigand dhe këto pjesë u shkruan me një teknikë të përsosur, vëllim i cili u botua i plotë në vitin 2000. "An american in Paris" në këtë version për violinë nuk u interpretua nga Heifetz ndoshta është interpretuar pak edhe në botë", thotë Ina.
Ajo shton se "pothuajse të gjithë kompozitorët që do të interpretohen në koncert kanë jetuar, jetojnë e janë frymëzuar nga Amerika. Është kjo e veçanta e koncertit, gërshetimi i muzikës së vjetër shqiptare (1920 - 1940) me muzikën botërore të shekullit XX."
Duo Kosturi - Ciko vijnë pas disa recitalesh me veprat si Copland, Kreisler, Brahms, Reger etj., mbështetur nga MTKRS dhe Shoqata "Bota e Artit" si dhe një emisioni të përjavshëm televiziv të quajtur "Metronom" nga Bach-u tek Stravinsky, nga Corelli tek Prokofievi.
Jeta jote në 65 minuta
Java e filmit spanjoll vazhdon sonte në Akademinë Marubi me shfaqjen e filmit "Jeta jote në 65 minuta" me regji të Maria Ripollit. Një tragjikomedi për dashurinë, miqësinë dhe vdekjen. Interpretojnë Javier Pereira, Oriol Vila, Marc Rodriguez. Ky prodhim i vitit 2006 shfaqet në orën 19.00, zgjat 92 minuta, në gjuhën spanjolle me titra anglisht.
Çfarë po ndodh me terminologjinë
Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike organizojnë sot, ora 09.00, në Akademinë e Shkencave, konferencën "Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe, probleme e detyra".
Terminologjia në administratën publike, standardizimi dhe normëzimi i terminologjisë shkencore e profesionale, psikologjia e personalitetit dhe terminologjia e saj, çështjet e terminologjisë në tekstet mësimore dhe nevoja për një fjalor të termave të gjuhësisë, janë disa nga çështjet që priten të trajtohen sot nga specialistë jo vetëm të fushave gjuhësore, arsimore, por edhe të ekonomisë dhe ushtrisë, të cilët vijnë edhe nga Kosova e Maqedonia.
Gazeta Shekulli