Lamtumira e zarave!

Lamtumira e zarave!
Lokalet me xhama të errësuar dhe të veshura me letra me ngjyra dhe truproje në dyer në të cilat luhet me fatin, do të zhvendosen nga Tirana. Ato do të përqëndrohen në periferi të kryeqytetit, në Shkozë, në ambientet e ish-kombinatit të autotraktorëve. Një inisiativë që duket se do të pasohet edhe nga Elbasani dhe Korça e më pas, edhe nga gjithë qytetet e tjerë të mëdhenj të Shqipërisë. Një taksë e re për pikat e basteve sportive, kazinotë e bingot, pritet të hidhet në diskutim. Gjithë detajet e asaj që do të ndodhë duke nisur që nga data 1 tetor 2012

Zarat u hodhën dhe nuk duket se ka më kthim pas. Të gjitha lojërat e fatit, bastet sportive, lotaritë dhe bingot do të zhvendosen në periferi të kryeqytetit. Aty ku komunistët kishin ndërtuar freza dhe fonderi për të prodhuar njeriu “socialist” traktorë e mekanikë bujqësore, qytetari i sotëm “kapitalist” do të hedhë zarat për të ndërtuar një të ardhme më të mirë thjesht nën shenjën e fatit.

Ish-Kombinati i Autotraktorëve me emrin e Enver Hoxhës, për ironi të fatit, do të bëhet streha e përqëndruar e të gjitha sfidave me fatin. Një inisiativë e nisur nga Tirana, e drejtuar nga demokratët, por që me të gjitha gjasat do të shoqërohet me të njëjtën mënyrë e formë fillimisht edhe në Elbasan dhe Korçë të drejtuar nga socialistët, e më tej në të gjitha qytetet kryesore të vendit, pritet të bëhet shumë shpejt realitet.

Fillimisht Tirana, brenda fundit të vitit, në 31 dhjetor 2012, pretendon se do të spastrojë të gjitha lokalet e lojërave të fatit, kazinotë e pikat e bastit nga vendndodhjet private ku ato gjendet prej vitesh, do të kalojnë të grupuara në një pronë të bashkisë. I njëjti sistem do të përdoret më pas në të gjithë vendin. Arsyeja: përqëndrimi i jashtëzakonshëm i këtyre lloj lojrash në hapësirat e banuara dhe brenda tyre, rritja e kriminalitetit ordiner dhe urban, stimulimi i problematikave sociale. Mjeti që do t’i detyrojë: taksimi.
 
Shqetësimi

“Mori lekët të blinte ushqime, por në momentin e fundit, në vend të derës së minimarketit, zgjodhi atë të një pike lojërash me kompiutera. I humbi shpejt lekët, por sherri në shtëpi vazhdoi gjatë”. Një histori e tillë është e përditshme. Tashmë vende të tilla janë shndërruar në një mënyrë jetese. Në Tiranë, por sidomos në qytete të tjerë, në të cilat lojërat e fatit kanë zëvendësuar edhe kinemanë, edhe teatrin dhe pothuaj gjithë jetën sociale të individit duke u shndërruar në institucion dhe duke përcaktuar dhe duke u shndërruar në një stil të veçantë jetese, ato tashmë janë me mijëra dhe ndodhen kudo. Si gjithmonë në shembuj të këqinj, ky është një shembull tipik shqiptar që nuk gjendet kund në Evropë, qoftë nga dëndësia, qoftë nga afërsia me qendrat e banuara. Madje, duke krijuar një cikël pothuaj të mbyllur: aty shërbehet edhe kafe e pije të tjera, shpesh, televizorë të mëdhenj të fjalës së fundit dhe në të njëjtën kohë, afrohet edhe ushqim. Duke e mbajtur kështu, klientin të mbërthyer e duke i realizuar shumicën e kërkesave të tij, në këmbim të orëve të zgjatura të qëndrimit, e natyrisht, edhe parave të shpenzuara.

“Morri lekët e ushqimeve dhe doli...” Me një akses fare të lehtë dhe fare pranë blloqeve të banimit, kjo është një histori që mund t’i ketë ndodhur kujtdo. Një vend ku mund të rrethohesh nga kompiterat apo ruletat gjendet fare lehtë, ngjitur me dyqanin ku shitet bukë, me dyqanin e lojërave të fëmijëve, bareve të panumurtë, gjithkund. Me një varësi gjithmonë e në rritje dhe me një pritje gjithmonë të pafundme për të qenë i shpërblyer nga fati, qytetari e ka të thjeshtë të luajë bixhoz me paratë e tij. Kryesisht, sipas statistikave jozyrtare, janë qytetarë të varfër dhe me gjendje të mesme ekonomike, klientë të këtyre lloj lojërave. Nuk mungojnë as biznesmenë. Madje, ndër të apasionuarit mbas “vesit” të lirë janë dhe një shumicë politikanësh, gazetarë e të tjerë. Fatlumët që fitojnë numërohen me gishta, të humburit janë shumica dërmuese në pritje që një ditë dhe atyre t’u qeshë fati. Duke u ngushulluar me shprehjen e vjetër: “Kush nuk ka fat në bixhoz, ka fat në dashuri”.  

Ambiente të tilla janë bërë problematike edhe për situatën e rendit. Sidomos këtë verë, media ka raportuar një shtim të konsiderueshëm të gjallërimit të elementëve të dhunës brenda këtyre lloj lokalesh. Një sërë krimesh të rënda, vrasje me armë zjarri janë raportuar të kenë ndodhur brenda apo në dalje të lokaleve të tilla. Në hartën e vendeve të nxehta në Tiranë pikat e lojërave të fatit, janë të shënuara me ngjyrë të kuqe që paralajmëron rrezik qoftë për lojtarët, qoftë për familjarë që banojnë pranë këtyre subjekteve që grishin lojën e pambarimtë me fatin.

Përqëndrimi i gjithë lojërave të fatit në një zonë të vetme, krijon disa mundësi bazë, duke nisur që me monitorimin më të fortë të tyre me pasojë rrudhjen e kriminalitetit, frenimi i aksesit për të rinjtë dhe grupmoshat në risk, por edhe uljen e mundësisë për evazion fiskal. Kësaj rradhe ky nuk është zbulim shqiptar. Të tjera vende në Evropë, kanë ecur në të njëjtën trase dhe kanë afruar të njëjtën zgjidhje përballë vesit të hedhjes së zarave apo të besimit tek ruletat.
 
Si do të realizohet?

Si gjithmonë paraja e hedh ujin përpjetë. Edhe në këtë rast, paratë do të detyrojnë këtë lloj biznesi legal që të largohet nga Tiranë për t’u zhvendosur në periferi të saj. Një sistem i ri i proporcionuar taksimi do të bëjë të pamundur qëndrimin e lojërave të fatit në vendodhjen e tyre të sotme.

Revista JAVA ka zbuluar se do të shtohet një taksë e re e përkohshme për lojërat e fatit. Kësaj takse do t’i nënshtrohen të gjithë personat juridikë dhe fizikë që kryejnë këtë lloj aktiviteti brenda Tiranës dhe do të aplikohet për të gjitha këto subjekte. Taksa do të jetë e diferencuar. Sipas mënyrës së ndarjes së Tiranës në zona në hipotekë. Në të gjithë zonën brenda unazës së vogël dhe Tirana e Re, të cilat klasifikohen si zona A, për kazinotë dhe kazinotë elektronike, taska do të shkojë në një mijë lekë për çdo metër katror të lokalit ku kryhet aktiviteti.

Ky çmim ulet në shtatë qind lekë dhe pesë qind lekë për metër katror në zonën B dhe C. Ky nivel taksimi do të jetë në fuqi për një vit rresht deri në 31 dhjetor 2013. Nga kjo datë, çmimet dhjetëfishohen. Kështu, për zonën A, ajo do të vejë në 10 mijë lekë, për zonën B 7 mijë lekë dhe për zonën C 5 mijë lekë. Por kjo taksë nuk do të ketë fuqi të veprojë mbi subjektet të cilat do të zhvendosin aktivitetin e tyre në ambientet në pronë të bashkisë së Tiranës, ish-kombinatin e Autotraktorëve, në Shkozë.
Kjo taksë që hyn në fuqi në një tetor të këtij viti, do t’u rimbursohet të gjitha atyre aktiviteteve të cilat zhvendosen në Shkozë. Kush vendos të shkojë aty deri në 31 dhjetor 2012, do të rimbursohet në masën 100 për qind, nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë edhe tre muaj me pas, përfiton gjysmën e pagesës së kryer.
 
Sa janë?

Për momentin është e pamundur të jepet një shifër e saktë për faktin e thjeshtë se një numër i madh i lojërave të fatit janë të palicensuara dhe të paregjistruara kund. Zyrtarisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në Tiranë ndodhen 20 kazino, të cilat kanë rreth 80 salla me disa qindra mijëra kompiutera dhe makina elektronike. Ushtrojnë aktivitet të licensuar edhe shtatë subjekte të licensuara për baste sportive, të cilat kanë hapur rreth 800 pika shitjeje dhe sallone bastesh. Më modeste në shifra janë bingot, me vetëm dhjetë të tilla.
 
Praktika evropiane

Përgjithsisht në Evropë, sistemi i taksimit mbi lojërat e fatit i orienton të ardhurat e krijuara për përfitim për komunitetin lokal. Ky biznes ushrohet kryesisht në periferi të qyteteve duke i larguar në maksimum nga qendrat e banuara. Në Britaninë e Madhe, në Gjermani dhe Itali, sa për të marrë një shembull, shumë qytete të mëdhenj kanë miratuar akte të veçantë që e pamundësojnë hapjen e pikave të lojërave të fatit në afërsi të qëndrave të banuara, në zona historike, industriale, shkolla e të tjerë.

Bomba sociale, të papunët

Eshtë e vështrirë të llogaritet sesa është shifra e qytetarëve dhe familjeve që e kanë lidhur jetën e tyre me biznesin e lojrave të fatit. Ato janë të regjistruara edhe si persona fizikë dhe në këto raste janë më shumë një biznes familjar me një të punësuar të vetëm, por realisht punojnë shumë më shumë persona të të njëjtës familje. Janë të regjistruara edhe si persona juridikë, ku personat e punësuar janë të shumtë. Një sallon mesatar basti ka rreth pesë të punësuar të tillë, duke nisur me kamerierët, operatorin që hedh të dhënat në kompiuter e duke përfunduar me rojet e natës.

Në nivele të tilla dhe më të larta janë dhe kazinotë, ndër të cilat ka dhe nga ato që kanë të punësuar deri në dhjetra vetë. Dhe kjo është vetëm hallka e parë dhe e dukshme e zinxhirit, i cili shtohet dhe me konsumin që kryhet në to, kryesisht me kafe, pije alkoolike dhe ushqime. Me një vlerësim të përafërt gjykohet se rreth tre-katër mijë vetë humbasin punën në Tiranë, ndërsa është e pamundur të llogaritet sesa të tillë do ta rifitojnë një të tillë në rast të zhvendosjes së këtij lloj biznesi në periferi të Tiranës, në ish-kombinatin e Autotraktorëve. Këtë zonë e bën të vështirë në akses fakti që ka vetëm një rrugë që e lidh atë me pjesën tjetër të Tiranës, një rrugë e reabilituar së fundmi që në vitin 1999.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama